Studimi/ Njerëzit me tipare të spikatura ‘antisociale’, janë më të pritur t’u bashkohen grupimeve të dhunshme

Life style

Studimi/ Njerëzit me tipare të spikatura ‘antisociale’, janë më të pritur t’u bashkohen grupimeve të dhunshme

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 19:08
Ilustrim

Një studim i kryer të fundmi në Poloni, ka zbuluar se njerëzit që shfaqin tipare të caktuara të personalitetit antisocial, kanë më shumë të ngjarë që të mbështesin veprimet dhe dhunën e grupeve radikale. Midis 877 studentëve, psikologët konstatuan se ata që ishim më shumë impulsivë ose në përgjithësi të vrazhdë ndaj të tjerëve,shfaqnin gjithashtu një radikalizëm më të madh politik në një sondazh.

Vrazhdësia, e cila i referohet zemër-ftohtësisë apo të qenit të pa shpirt, u zbulua të ishte një parashikues i fortë i mbështetjes së veprimeve të grupeve radikale,si për ekstremin e djathtë ashtu edhe për atë të majtë të skenës politike. Ndërkohë, impulsiviteti i pakontrolluar, lidhej me mbështetjen ndaj ndryshimeve të dhunshme në një vend, por vetëm në emër të grupeve të ekstremit të djathtë.

Në fakt, edhe kur studiuesit morën parasysh shkallën në të cilën individët identifikoheshin me ndonjë grup të veçantë, mbetën lidhjet midis veprimeve të dhunshme dhe tipareve të personalitetit asocial. Identifikimi në grup është qartë një faktor i rëndësishëm në gatishmërinë e një personi për të marrë pjesë në një veprim kolektiv. Por ky studim sugjeron që ndryshimet individuale, mund të diktojnë gjithashtu mbështetjen tonë ndaj një veprimi të tillë.
Si impulsiviteti po ashtu edhe vrazhdësia cilësohen si tipare jo-klinike të personalitetit psikopatik. “Rezultatet e studimit tonë, nuk thonë se njerëzit që zgjedhin të veprojnë në mënyrë të dhunshme në emër të një grupimi janë gjithmonë antisocialë apo shfaqin tipare si vrazhdësia”-thotë psikologu social Tomash Besta nga Universiteti i Gdanskut.

“Gjëja e vetme që mund të themi, është se njerëzit që shfaqin tipare si impulsiviteti apo niveli i ulët i ndjeshmërisë, priren të jenë mbështetës më të fortë të veprimeve të grupeve të dhunshme në emër të grupeve politike, sesa ata që kanë kontroll më të mirë të impulseve vetjake. Këta të fundit janë më pak të prirur ndaj sjelljes makiaveliane, dhe më shumë të orientuar drejt ndihmës së tjetrit”– thekson ai.

Për t`a kuptuar këtë, studiuesit në Poloni ekzaminuan mënyrën sesi 3 tiparet e personalitetit psikopatik – guximi, vrazhdësia dhe impulsiviteti – ndikuan në mbështetjen politike të një personi. Në sondazh, studentët pjesëmarrës nga universitetet polake u pyetën mbi gatishmërinë e tyre për të vepruar në emër të një grupi të rastësishëm:një grupim i krahut të djathtë apo atij të majtë në Poloni. Më pas studentët u pyetën se me çfarë synimi do ta mbështesnin kauzën e atij grupi. Për shembull, gatishmërinë e tyre për të luftuar dhe vdekur, apo mbështetjen ndaj ndryshimeve sociale të dhunshme. Edhe kur e përshtatën identikitin e një personi që atashohet me një grup për shkak të perceptimeve se ai po lufton një lloj padrejtësie, studiuesit zbuluan se ata që ishin më të vrazhdë dhe impulsive në jetën e përditshme, ishin më të prirur të mbështesnin ndryshimet më radikale.

Në të njëjtën kohë, ky grup nuk kishte më shumë gjasa që të mbështeste një veprim kolektiv të moderuar jo të dhunshëm, si për shembull një protestë paqësore. Pra, njerëzit që janë më të ftohtë apo të pashpirt, mund të mos e konsiderojnë dhe aq veprimin e dhunshëm, pasi nuk e vrasin mendjen sesi ai do t’i dëmtojë të tjerët.

Veprimi radikal i grupit, mund të jetë gjithashtu një mënyrë sesi mund të shprehen këta njerëz, duke lejuar shpërfilljen e tyre për të tjerët, sugjerojnë studiuesit. Sigurisht, këto janë tani për tani vetëm hipoteza. Veprimet e dhunshme kolektive mund të nxiten nga faktorë të tjerë, përfshirë diskriminimin strukturor, perceptimin e mungesës së domethënies në një shoqëri, apo nga një shkelje të vlerave dhe shumë faktorë të tjerë nxitës. Por historikisht në këtë fushë të kërkimit shkencor, ishin anashkaluar tiparet e personalitetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat