​Pse është e rëndësishme ta doni punën dhe çfarë mund të bëni për këtë?

Life style

​Pse është e rëndësishme ta doni punën dhe çfarë mund të bëni për këtë?

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 17:02
Foto ilustrim

A jeni në kohën kur nuk keni aspak ndjenja pozitive për punën që jeni duke e bërë? Në të tilla raste fillon të shfaqet mungesa e dëshirës për t’u zgjuar në mëngjes për punë, krijohet ndjenja e mërzitjes dhe ndjenja të tjera negative.

Në kohë të tilla punonjësit duhet të marrin me seriozitet çështjen dhe të mundohen ta ndryshojnë atë, sepse shëndeti mendor dhe lumturia në jetë janë të pandashme me punën. Akademi Pune ju sjellë disa arsye përse duhet ta doni punën.

Ju e meritoni një punë që e doni

Kjo mund të duket si një fjali e librave “mendo pozitivisht”, por në fakt nuk është pikërisht ashtu. Është shumë e rëndësishme, që të jeni të vetëdijshëm që puna juaj po ju shkakton dëm në jetë si dhe më e rëndësishmja, kjo mund të ndryshohet. Ndaluni dhe rishikojeni pozitën dhe punët që përfshinë ajo! Çfarë do të doje të bëje dhe çfarë do të ndryshoje në të?

Flisni me shefin tuaj për ndryshimet që dëshironi t’i bëni! Bisedoni me kolegët tuaj për ta gjetur se në cilën pjesë ata janë më të interesuar! Ndoshta gjërat që ju i urreni, ata do t’i duan.

Të kesh të ardhura është më mirë se të qëndroni në shtëpi i stresuar

Është mirë që t’ua shikoni fundin në atë që po sjellë kjo ndjesi. Fillimisht shikoni nëse keni ofertë serioze të punës, përpara se ta jepni dorëheqjen tek punëdhënësi aktual. Edhe kur nuk keni ende ndonjë ofertë, mendojeni faktin që jeni duke siguruar jetesën nga puna që po bëni. Madje, keni kujdes që përformanca juaj mos të bjerë në atë nivel që punëdhënësi të detyrohet t’ju largojë nga puna, për shkak të saj.

Është shumë më e lehtë të gjeni punë në kohën sa jeni duke punuar diku, se sa kur jeni i papunë. Punëdhënësit kanë treguar që të dhënat e kandidatëve që kanë qenë për shumë kohë të papunë shihen më me dyshim, se sa të atyre që veçse janë duke punuar diku.

Njerëzve gjithmonë iu pëlqejnë më shumë gjërat e të tjerëve

Zakonisht njerëzit kanë prirje që t’i mendojnë gjërat e të tjerëve si më të mira. Ata lakmojnë dhe ëndërrojnë për punën e mikes apo mikut të tyre, apo qoftë edhe pozitën e ndonjë kolegu në të njëjtin vend të punës. Kjo sepse, askush nuk mund ta dijë se si po ndihet dhe në çfarë situatash po kalon tjetri.

Një gjë duhet të jetë e qartë, që puna nuk do të jetë asnjëherë e barabartë me një pushim në vende ekzotike. Gjithmonë do të kesh çështje me të cilat do të preokupohesh, një sërë problemesh, qoftë vetëm të punës apo edhe me kolegët atje. Por, ndonjëherë është më mirë të kesh një sërë problemesh me shefin e keq, ose një punë të vështirë që e njeh mirë dhe mund të punosh për ta ndryshuar atë. Asnjëherë nuk do ta dini se çfarë ju pret puna juaj e re, prandaj vëzhgoni dhe vlerësoni me kujdes dhe mësohuni me faktin që nuk ka punë të lehtë!

Duhet ta minimizoni stresin dhe të ndjehurit të sëmurë për shkak të punës

Personat që e urrejnë atë që bëjnë, përjetojnë stres dhe ankth gjatë 24 orëve të ditës. Ata janë të prirë të përqendrohen në të gjitha pjesët e këqija të jetës së tyre, duke i bërë të ndihen kështu sikur nuk ekziston asgjë e mirë.

Të tillë persona që kanë shumë stres në lidhje me punën janë gjithashtu të prirë për sëmundje shoqëruese. Madje, disa studime kanë hedhur në dritë që stresi kronik është i lidhur me zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe disa llojeve të diabetit. Pra, ata gjetën një grup faktorësh që, së bashku, rrisin rrezikun e disa sëmundjeve, duke përfshirë presionin e lartë të gjakut, rezistencën ndaj insulinës, mbipesha qendrore (dhjami i tepërt i barkut, i cili është lidhur me rritjen e kortizolit në qarkullimin e gjakut, si dhe disa probleme të tjera shëndetësore).

Sipas psikologes, Lirije Cakaj, një ndër simptomat që puna është duke e dëmtuar shëndetin është të ndjehurit të sëmurë shumë shpesh gjatë vitit. “Analizojeni ambientin tuaj të punës edhe njëherë nëse ndjeheni të sëmurë apo jeni me grip gjatë gjithë kohës”, ka thënë Cakaj.

Marrë parasysh këto deklarata, kjo del të jetë shqetësuese. Por, a e dini që nuk jeni vetëm ju ai që prekeni nga urrejtja që keni ju për punën tuaj? Nëse shkoni dhe ankoheni çdo ditë në shtëpi, duke treguar se sa shumë e urreni punën tuaj, atëherë njëjtë do të ndikojë edhe tek familjarët. Mund edhe të mos flisni për këtë, por ata do ta urrejnë t’ju shohin aq të trishtuar, shto këtu që ju nuk do të keni më energji për komponentët e tjerë të rëndësishëm, si ushtrimet e argëtimet me miqtë dhe familjen.

Njerëzit e ndryshojnë punën sepse nuk duan ta ndryshojnë vetveten

Nganjëherë nuk është puna ajo që duhet të ndryshojë, je ti! Duhet ta vëzhgoni çdo aspekt dhe pikëpamje të keqe në mënyrë që ta kuptoni se çfarë dhe si mund t’i ndryshoni gjërat. Tento të përqendrohesh njëherë në gjërat pozitive, mbase do të bëjnë ta shohësh punën ndryshe, e pse jo, edhe ta duash.

Shprehni aftësitë tuaja më të fuqishme

Egoja dhe imazhi i një punonjësi është i lidhur ngushtë me atë se sa me sukses përformon në punë. Prandaj, ndaluni dhe mendoni se nëse një i njohur ju pyet “Çfarë bëni?”, si do ti përgjigjeshit? Nëse gjatë këtyre momenteve e mendoni punën tuaj si një mjerim, atëherë nuk i shfrytëzoni të gjitha aftësitë e mira që keni.

Nëse edhe në situatat kur duhet të jepni maksimumin pavarësisht të gjithave, atëherë çfarë i sjellë vendit të punës? Gëzohuni me arritjet që bëni, shprehni talentet dhe do të filloni të ndiheni të kënaqur!

Mendoni aftësitë e rritjes dhe përvojave në karrierë

Mbase në fillimet tuaja keni ëndërruar gjithmonë të keni sukses në punë, por nëse jeni përqendruar në atë se sa shumë e urreni punën që po bëni, atëherë nuk do të mund ta plotësoni ëndrrën tuaj. Nëse dëshironi ende që të rriteni, mos harroni që edhe puna aktuale është mundësia më e afërt dhe më e mirë për këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat