Shoqet, motra nga zemra, ani pse jo nga gjaku!

Life style

Shoqet, motra nga zemra, ani pse jo nga gjaku!

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 18:56
Foto ilustrim

Dhjetori, pra rrumbullakësimi i përfundimit të një viti. Bora e parë dhe reflektimi mbi dymbëdhjetë muajt e shkuar. Ekziston një marrëveshje në grupin tonë të shoqeve prej pesë vetash: sado që t’i kemi agjendat e ngarkuara ditore dhe sado që mund të kemi ulje disponimesh, brenda vitit janë të domosdoshme pesë festime ditëlindjesh, festa e Gruas 8 Marsi dhe darka e fundvitit.

Këto shtatë takime ndodhin gjithsesi brenda vitit, por gjatë rrjedhjes së muajve ne respektojmë dhe një marrëveshje tjetër: organizimin e ndejave në shtëpitë e njëra tjetrës, ku me rradhë secila përgaditë gostinë dhe bëjmë pastaj ftesën në përpjekje maksimale që të përshtaten agjendat e të gjithave, në mënyrë që asnjëra të mos mungojë. Veçmas këtyre rregullave të ëmbla shoqërore ndodhin dhe mjaft takime tjera spontane nëpër ambiente të ndryshme.

– “Motrushe, ç’bëre sot, si të kaloi dita?”
– “Asgjë të veçantë, pata një ditë koti.”
– “Eja dalim për kafe, nuk mund ta lejojmë që kjo ditë të përmbyllet keq!”

Dhe kështu, takimet e kafet tona jetësohen, shoqëruar me ndonjë copë tortë greke apo ndonjë bakllavë me fistek e gjëra tjera të shijshme që porosisim në meny të ndryshme edhepse tri nga ne “jemi në dieta të përhershme”, por kur ndodhemi me njëra tjetrën këto kënaqësi të “fajshme” na shijojnë aq shumë dhe “dieta fillon prej të hënës tjetër”.

Ne jemi pesë, ndërsa viti përbëhet nga treqind e gjashtëdhjetëepesë ditë dhe jo çdonjëra prej tyre është e këndshme dhe e lehtë për t’u jetuar. Ka ditë fenomenale në jetën e secilës prej nesh dhe ka ditë më pak të mira, rrjedha e jetës variron nga shumë faktorë, por diçka tek ne shoqet mbetet e pandryshuar; dëshira që mos të këpusim kurrë miqësinë që kemi, vullnetin për të bërë kompromise, durimin për teket që kemi secila, tolerancën për ndonjë shaka thumbuese e deri tek falja kur plas sherri për ndonjë fjalosje ndonjëherë.

Vite të tëra shoqërim bën që të njohim aq mirë njerëzoren që posedojmë brenda vetes secila, sistemin e vlerave që kemi dhe të metat poashtu, pamë njëra tjetrën në sy kur jeta shkëlqente dhe atëherë kur ajo ndodhej në kthesë tragj*ike. Disa nga ne u përballëm dhe me vde*kje brenda familjes, sëmundje, dhimbje e lotë, poashtu patëm momente e periudha të mëdha lumturie, martesa, lindje fëmijësh, të arritura profesionale, udhëtime nëpër botë dhe kështu pra periudhat tona jetësore siç e do kodi i jetës u zëvendësuan “jin-jang”, ndërsa ne i qëndruam pranë njëra tjetrës gjithmonë, ndonjëherë për ngushëllim e ndonjëherë për të festuar apo thjesht për të biseduar me zemër të hapur.

– “Motrushe, ç’bëre sot, si të kaloi dita?”
– “Po ndihem e lumtur, sot më ndodhi diçka shume e mirë…”
– “Epo, kjo vlenë për tu takuar dhe pirë ndonjë aperol apo kafe turke me llokum shege!”

Në këtë mënyrë ne krijojmë kujtimet e shumta shoqërore, ndonjëherë paraqitemi të zbehta në fytyrë sepse grimi mungon, ndonjëherë jemi përplotë truqe estetike për t’u dukur sa më denjë, mirëpo megjithatë, njëra tjetrën shohim me sytë e shpirtit dhe reflektimi i vetëm që vërejmë është një bukuri e përsosur edhe atëherë kur floku i ndonjërës është i palarë dhe lëkura fytyrës duket me pikla.

– “Motrushe, ç’bëre sot, si të kaloi dita?”
– “Jam shumë e mërzitur, sot është përvjetori i vde*kjes të…”
– “Do të takohemi pra, për të qarë së bashku…”

Dhe veshim palltot dimërore, lidhim dhe shallet në fyt derisa lotët mblidhen në grykë, bora e lehtë e dhjetorit bie, ndërsa ne lëmë gjurmët e hapave tonë mbi trotuare derisa shkojmë në takim me njëra tjetrën. Kësaj rradhe do të pijmë çaj mente për të ngrohur fytin dhe shuplakat e duarve, por mbase dhe shpirtin. Lotët janë ‘okej’ ndonjëherë, por nesër ne do të qeshim patjetër sepse njeriu gjithmonë ka aq shumë arsye për qeshje, konform ligjit të natyrës për push*timin e mimikës me rrudhat gazmore.

Disa gjëra në jetë i zgjedhim, disa të tjerave iu përshtatemi varësisht prej rrethanave në të cilat ndodhemi. Pra, shoqet bëjnë pjesë në zgjedhjet që bëjmë, ato duam t’i kemi në jetë, janë motrat tona nga zemra dhe jo nga gjaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat