Ngjarje e vërtetë: Më braktisi ditën e martesës

Life style

Ngjarje e vërtetë: Më braktisi ditën e martesës

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 23:26
Foto ilustrim

- Ajo do të jetë vetëm shoqëruese - thashë duke buzëqeshur. Nuk do të bjerë me ne në shtrat. Përzgjedhja e shoqërueses nuk do të duhej të të shqetësonte. Athua ka rëndësi ajo? Rëndësi ka se si ndihemi ne të dy. Asgjë në botë nuk do të mund të më bënte që ta ndryshoja mendimin në këtë drejtim, të paktën atëherë kështu mendoja. - Ke të drejtë - më tha Kastrioti.

Për të ajo temë kishte mbaruar. Ai nuk ishte nga ata njerëzit të cilët diskutojnë gjërat me orë të tëra. Tha atë që kishte për ta thënë dhe kaq. Doja gjithçka që lidhej me të, e doja atë, e për këtë shkak, doja shpjegime për gjithçka që lidhej me të. Për asnjë moment nuk kam dyshuar në dashurinë e tij. Nuk kisha arsye për një gjë të tillë, apo ndoshta isha e verbër për të gjitha ato shenja të dukshme që mund t'i kishin dërguar ata dy.

E, si mund të dyshoja? Ata e fshihnin lidhjen e tyre, pas asaj që thoshin se nuk e duronin njëritjetrin. Ai e shfaqi haptazi mosdurimin e tij, kurse Meri ishte tërhequr në vetvete. Rrallë fliste. Edhe pse merrte pjesë në përgatitjet e dasmës, ajo nuk u zbulua me asgjë. Me gjasë edhe ajo do të duhej ta kishte pasur vështirë. Njeriu që donte martohej, e ajo duhej të ishte shoqëruese e nuses së tij. Kurrë nuk kam menduar në këtë mënyrë për të. Kur agoi dita e dasmës, u zgjova me të zbardhur dita.

E piva kafen dhe, për disa momente, qëndrova vetëm. Kisha nevojë për një gjë të tillë, për t'i menduar disa gjëra. Në njëfarë mënyre përshëndetesha me fëmijërinë, me lirinë, me tërë atë që e kishte karakterizuar jetën time deri atëherë. Isha e lumtur që do ta filloja për së mbari jetën e re, e cila duhej që të zgjaste deri në vdekje. Shkova për ta rregulluar grimin dhe flokët, e pasi që u ktheva, fillova ta vishja fustanin e nusërisë. Edhe pse e kisha thirrur Merin, ajo nuk kishte ardhur ende.

Paksa kisha filluar që të zemërohesha në të. - Nuk bën që të shkosh te ajo - e dëgjova zërin e nënës sime. Nëse dhëndri e sheh nusen në fustan të nusërisë para martesës, kjo sjell fat të keq - shtoi ajo. Unë u ndala në gjysmë të udhës. Vajza e cila më ndihmonte, vetëm më shikoi. - Nuk duhet të të shoh - tha ajo me frikë. Këto janë marrëzi, thash me vendosmëri. U nisa kah dera dhe e hapa atë. Nëna ia zuri derën Kastriotit me trupin e saj. - Çka po ndodh? - pyeta. - Duhet të bisedojmë - tha ai. A nuk do të duhej edhe ai të ishte duke u përgatitur? Çka ishte duke ndodhur? Pse donte të bisedonte në momentin më të papërshtatshëm për një gjë të tillë? Me gjasë ishte diçka me rëndësi.

Sikur të mos ishte ashtu, ai kurrë nuk do të sillej ashtu si u soll. Njëherë e shikova atë vajzën, e më pas sytë i ktheva kah nëna. Kjo e fundit sa nuk kishte vdekur nga frika. - Lëre që të hyjë - i thashë me sa më shumë qetësi që munda. Mundohesha që ta fshihja frikën e cila më kishte kapluar. Nuk ishte ajo ndonjë frikë e vogël, por aq e madhe, sa që thjesht, më kishte paralizuar. Çka nëse kishte ndërruar mendjen? Kjo është e pamundur, e ngushëlloja veten.

Nuk ka njeri që të braktisë ditën e martesës. E aq më pak ai, për të cilin nuk mund të thuhej se ishte i papërgjegjshëm. Pasi që hyri, unë qëndroja para tij. E shikoja. Fytyrën e kishte të hirtë, si xhenaze. U mundua të më thoshte diçka, por nga goja e tij doli një zë i pakuptueshëm. - Çka u bë? - thashë me qetësinë më të madhe që munda, për hir të ne të dyve. - Nuk di si të ta them - tha Kastrioti, duke prekur me dorë flokët e tij të dendura. Nuk më shikonte në sy. Kjo ishte një shenjë ogurzezë që nuk më pëlqente aspak.

- Gjeje mënyrën të ma thuash - thashë unë, goxha e fortë. Në vetvete përjetoja një dramë të vërtetë. Nuk lejoja që ajo të shihej. - E di… Unë … Nuk mund të martohem me ty - tha ai. Këto fjalë më tingëlluan në veshë edhe për një kohë të gjatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat