​Hapat që ju ndihmojnë të mos bëni gabime kur dorëzoni dokumentet për aplikimet e punës

Life style

​Hapat që ju ndihmojnë të mos bëni gabime kur dorëzoni dokumentet për aplikimet e punës

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 17:29
Foto ilustrim

Punëdhënësit dinë të jenë shumë piketues gjatë procesit të punësimit. Një gabim i vogël gjatë CV-së, letrës motivuese, apo materiale të tjera të aplikimit mund të ndikojnë që kandidatët të mos thirren fare në intervistë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të shikohen të gjitha dokumentet në imtësi përpara se të dërgohen në vendin përkatës.

Vlen të përmendet që sado që dikush mund të jetë shumë i mirë në çështje të drejtshkrimit mund të ndodhë të ketë gabime, për shkak se syri mësohet me tekste dhe t’i vëresh ato nganjëherë bëhet e vështirë.

Akademi Pune ua sjellë disa këshilla në dukje të thjeshta, por që do t’ju ndihmojnë shumë

Mos i besoni korrektorit

Korrektori mund t’ju ndihmojë që t’i rregulloni një numër të madh të gabimeve, por jo të gjitha. Për shembull, ai nuk rregullon fjalë si “punoi” dhe “punoj”. Prandaj, në fund është mirë që patjetër t’i rishikoni vetë të gjitha dokumentet.

Bëni pak pushim

Mos i redaktoni dokumentet e aplikimit menjëherë pasi t’i keni përfunduar. Krijoni pak hapësirë, në mënyrë që t’ju ndihmojë që herën tjetër të mund t’i shihni ato. Zakonisht kjo hapësirë për çdo lloj teksti rekomandohet të jetë 24 orë, por për të aplikuar mund të mos keni kaq shumë kohë, kështu që, edhe disa orë mund të mjaftojnë.

Printoni ato

Për t’i parë gabimet e mundshme është më e lehtë në letër të printuar se sa në ekranet e kompjuterit. Printimi mund t’ju ndihmojë po ashtu, që t’i shihni dokumentet ashtu siç do t’i shohin rekruterët.

Lexoni me zë të lartë apo në drejtim të kundërt

Leximi me zë të lartë i dokumenteve, mund t’ju ndihmojë shumë në gjetjen e gabimeve në tekste. Shumë redaktorë madje rekomandojnë që përmbajtjet të lexohen prej fundit (për shembull fjalinë e fundit, fjalinë e parafundit e kështu me radhë deri në fjalinë e parë). Kjo është forma më e mirë për ta parë rendin logjik të çdo fjalie veç e veç, në çështjet gramatikore.

Ngushtoni kriteret tuaja të redaktimit

Mund të jetë e vështirë të redaktohet si për gramatikën, ashtu edhe për drejtshkrimin në të njëjtën kohë. Për redaktim më të mirë, fokusohuni njëherë tek njëri lloj i gabimit pastaj tek tjetri! Për shembull, bëni një korrigjim për drejtshkrim, një për pikësim, një për kohën e foljeve, një për informacionin faktik etj. Kjo sigurisht do t’ju marrë më shumë kohë, por do të jetë më e sigurtë.

Kontrolloni për qëndrueshmëri

Shumë njerëz gjithçka që i japin rëndësi dokumenteve për aplikim janë drejtshkrimi dhe gramatika. Por, fillimisht sigurohuni, që edhe madhësia dhe stili i shkronjave të jetë e njëjta në të gjithë tekstin. Sigurisht, që kjo ndryshon për shembull në CV, por e rëndësishme është të qëndrohet brenda rregullave.

Korrigjoni informacionin personal

Shumë persona nuk i kushtojnë kujdes informacionit personal. Ata thjesht hedhin në letër emrin, mbiemrin, numrin e telefonit e të tjera të këtij lloji, duke mos ia dhënë vëmendjen e duhur. Por, një gabim në këto informacione dhe punëdhënësi juaj nuk do të mund të jetë në gjendje të kontaktojë me ju për intervistim. Përveç kësaj, keni kujdes edhe në informacionet rreth kompanisë dhe punëdhënësit!

Pyeteni ndonjë mik apo mikeshë

Personat që lexojnë më pak dokumente të tilla zakonisht i shohin gabimet më mirë. Kërkoni nga dikush tjetër që t’i shikojë këto dokumente para se përfundimisht t’i dorëzoni në emailin e kompanisë ku po aplikoni! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat