Pandemisë po ia shohin sherrin edhe kozmetikat: Maskat “ulin” me 20% shitjet e buzëkuqëve

Life style

Pandemisë po ia shohin sherrin edhe kozmetikat: Maskat “ulin” me 20% shitjet e buzëkuqëve

Më: 7 mars 2021 Në ora: 16:53
Foto ilustrim

Nga produktet e bukurisë, i vetmi që shënoi rënie në përdorim ishte buzëkuqi, për shkak të mbajtjes së detyrueshme të maskës

Përkeqësimi i situatës epidemilogjike dhe detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura dhe në rrugë ka ndikuar në rënien e shitjeve të buzëkuqit. Irma Prifti, menaxhere në kompaninë “Flormar Albania”, thotë se kërkesa për produkte bimore të bukurisë është rritur në 2020, ndërsa i vetmi produkt që pati rënie 20% ishte buzëkuqi.

Znj. Prifti tha se shampo-krem trupi dhe linjat e trajtimit të flokëve janë tendencat që shiten më shumë në përditshmëri. Kërkesa në rritje ka edhe për produktet e trajtimit të lëkurës të fytyrës, sidomos ato që përmbajnë vitaminë E.

Përfaqësuesja e “Flormar” shpjegoi se shitjet për këto produkte janë ciklike, për shkak të jetëgjatësisë së përdorimit. Por duke qenë se çmimet e tyre janë më të shtrenjta se produktet e trajtimit të flokëve kompensojnë kërkesën e konsumatorit për këto produkte një herë në dy muaj.

“Në 6 muajt e parë të 2020-s, shitjet për produktet kozmetike pësuan rënie, pasi njerëzit ishin të frikësuar nga përhapja e infeksionit dhe i përqendruan blerjet te produktet bazë ushqimore dhe ato të kujdesit personal. Pas kësaj periudhe, ne parashikuam se shitjet do të vazhdonin të ishin me rënie, por u vu re se ecuria e tyre ishte normale, pasi popullata po mësohet me jetën në pandemi. Mbajtja e maskës dhe mungesa e festave dhe eventeve kanë sjellë uljen e përdorimit të buzëkuqit dhe make up.

Kërkesa për produktet e makijazhit të syrit dhe vetullave është kthyer në normalitet. I vetmi produkt që nuk ecën si më parë te produktet e make up është buzëkuqi. Kërkesa për 2020 ra 20% krahasuar me një vit më parë. Versioni hidratues bimor për buzët para pandemisë ka qenë shumë i kërkuar, tani nuk ka më kërkesë të lartë”.

Për shkak të pandemisë, një kategori e caktuar konsumatorësh kanë rritur kujdesin për trajtimin e flokëve vetëm me produkte bimore. Gratë shtatzënë dhe ato të moshës mbi 40 vjeç janë të orientuara për të përdorur vetëm bojë bimore për lyerjen e flokëve. “Përdorimi i bojës pa amoniak ka kosto, pasi nëse gjatësia e flokëve është deri te supet do të duhet të përdoren dy bojëra. Këto produkte preferohen shumë nga nënat shtatzënë dhe zonjat, ndërsa vajzat e reja janë më pak të interesuara për bojërat e flokëve pa amoniak”, pohoi menaxherja e “Flormar Albania”.

Pavarësisht jetës së kufizuar, mungesës së festave dhe aktiviteteve kërkesa për parfume vazhdon të jetë në trendin normal. “Ne ofrojmë parfume me çmime ekonomike, që variojnë nga 3,300 deri në 4,000 lekë dhe kërkesa për to nuk ka pasur rënie krahasuar me 2019. Njerëzit vazhdojnë të jenë të interesuar për parfume në përditshmërinë e tyre”, shpjegon Irma Prifti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat