8 këshilla për fillestarët në sportin e patinazhit

Life style

8 këshilla për fillestarët në sportin e patinazhit

Më: 7 mars 2021 Në ora: 22:13
Foto ilustrim

Nëse ju pëlqen patinazhi por e keni për herë të parë, ja disa këshilla praktike, bileta për ta praktikuar këtë sport me vetëbesim dhe për ta mësuar sa më shpejt atë...

Mos e ulni kokën gjatë praktikimit. Është çudi, por të gjithë fillestarët në patinazh, në vend që të shohin drejtimin për ku janë nisur, i mbajnë sytë poshtë, te këmbët. Jo, mbajeni kokën lart, që të paktën të shihni se me çfarë ose me kë do përplaseni.

Merrni patina të mira. Nëse dilni për herë të parë në pistën e akullit, merrni hua ose me qira patina të rehatshme, por nëse e keni ndarë mendjen ta vazhdoni këtë sport, blini një palë patina cilësore, që rrojnë gjatë dhe mbi të gjitha, rrinë mirë në këmbë.

Lidhini mirë patinat. Sigurohuni që të mos jenë as të ngushta, që këmbët të mos ju mpihen, por as të gjera, se kështu rrezikojnë të mos ju falin sigurinë e duhur.

Nxehja duhet të bëhet ngadalë. Meqenëse patinazhi është një sport që zhvillohet në pistë me akull, fillimisht do t’i ndjeni pak të ftohtë muskujt. Para se të bëni patinazh, nuk është e këshillueshme të bëni “streching”, sepse kjo mund t’i dëmtojë muskujt, por vishuni mirë (jo aq sa t’ju pengohen lëvizjet) dhe bëni ndonjë përkulje apo nxehje të lehtë.

Bëni kurs patinazhi. Nëse doni vërtet të mësoni bazat e patinazhit, atëherë duhet patjetër të bëni kurs për këtë. Mund të merrni dhe ndonjë shok apo shoqe me vete, sepse kur je i shoqëruar, ndihesh më i qetë mbi akull.

Kujdes me qëndrimin. Gjatë patinazhit, mos u përkulni mbrapa sepse rrezikoni të bini mbrapsht, ose edhe më keq. Këshilla më e mirë është të qëndroni me gjunjët të përkulur e peshën ta mbani përpara. Krahët gjithashtu mbajini përpara dhe hapini plotësisht që të ruani ekuilibrin.

Shkoni në drejtimin e duhur. Drejtimi që merrni për herë të parë, mund të mos jetë ai që do të donit ju, por ka një rregull që duhet të ndiqet mbi akull: ose në drejtim të akrepave të orës, ose anasjelltas. Mos u përpiqni të bëni patinazh në drejtimin e gabuar, sepse rrezikoni të lëndoni të tjerët dhe veten.

Mos u nervozoni me patinazhin. Kur të bini (që me siguri do të ndodhë shpesh), mos u nervozoni, merreni me të qeshur dhe ngrihuni sërish në këmbë e vazhdoni të rrëshqisni mbi akull. Mos e kapni as me veten dhe as me patinazhin, sepse dhe patinatorët më të mirë rrëzohen ndonjëherë. Madje kjo mund të jetë argëtuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat