Momente të vogla, kënaqësi të mëdha

Life style

Momente të vogla, kënaqësi të mëdha

Më: 10 mars 2021 Në ora: 12:56
Ilustrim

“Të shijoni çdo kënaqësi është e pakuptimtë, t’i evitoni ato është pandjeshmëri”. Kjo thënie e Plutarkut, mund të përmbledhë përsosmërisht se si ndihemi shpesh në momentin kur jemi në kërkim të lumturisë. Shumë mendojnë se mund ta gjejnë lumturinë vetëm nëpërmjet dashurisë, parave apo të mirave materiale.

Shumë herë nuk jemi të vetëdijshëm që lumturia varet vetëm nga ne dhe nuk është e nevojshme të koklavisim jetën për të qenë pak më shumë të lumtur. E dini se kujt i referohemi? As më pak e as më shumë sesa kënaqësive të vogla, por të mëdha që na ofron jeta, që janë gjithmonë aty për të na dhuruar një buzëqeshje në çfarëdolloj momenti dhe vendi…

Mos e merrni asgjë për të mirëqenë, ushtroni kuriozitetin, harroni mosmarrëveshjet. Lumturia përbëhet nga gjëra të thjeshta, edhe pse ndonjëherë nuk ju duket se është kështu. Shoqëria e miqve, një surprizë, një buzëqeshje e papritur: gjeste të thjeshta dhe momente të jetës së përditshme, të cilat mund të fshehin kënaqësi të mëdha.

Kënaqësitë e vogla varen nga njeriu

Mund të shkruajmë faqe të tëra mbi sasinë e kënaqësive të vogla me të cilat përballemi. Shumë prej tyre i dimë se cilat janë, duke filluar nga leximi i një libri apo aroma e një parfumi, te një recetë e sapogatuar apo bukuria e një perëndimi. Sigurisht këto janë momente të bukura, të cilat pa dyshim i shijoni, por varet shumë edhe se çfarë njeriu jeni, sepse dikush i pëlqen këto gjëra, dikush tjetër jo.

Për këtë arsye është e rëndësishme të përqendroheni te shijet personale dhe nga ato të merrni hov për të njohur më mirë se cilat janë kënaqësitë që bëjnë për ju. Është e rëndësishme edhe të dalloni se në ç’moment të jetës suaj jeni. Për shembull, nuk është e njëjta gjë të shihni një film me partnerin, në vend që të dilni e të pini një birrë me miqtë apo kolegët.

Shijoni çastin

Shumë prej jush janë duke pyetur: si t’ia bëj që të shijoj kënaqësitë e jetës? Para së gjithash, nuk është e nevojshme t’i kërkoni ato, as t’i planifikoni, sepse kështu do të merrni vetëm efektin e kundërt. Dikujt i pëlqen të kthehet në shtëpi, të vishet me rroba sportive dhe të dëgjojë muzikë, ndërkohë që është duke ngrënë biskota me çokollatë. Dikujt tjetër i pëlqen momenti kur blen një disk të ri me muzikën e preferuar dhe i heq ambalazhin. Në këtë mënyrë krijohen më shumë pritshmëri. Megjithatë, siç e kemi thënë, kjo gjë varet nga personi në person. Numëroni çdo sekondë si të ishte e fundit dhe kështu do të shijoni magjinë e madhe të momentit. Me këto kënaqësi të vogla që jeta ofron, ndër të tjera, duhet vetëm të vini në praktikë thënien latine: “carpe diem” për të shijuar sa më mirë shkëlqimin e tyre.

Jetoni të tashmen

Mendoni se sa kohë keni shpenzuar gjatë viteve duke menduar për ngjarjet e së kaluarës, të cilat nuk keni fuqinë t’i ndryshoni, ose duke u shqetësuar për diçka që në të vërtetë nuk mund ta parandaloni ose ta ndryshoni. Të humbisni në këto lloj mendimesh mund të shkaktojë stres dhe ankth, sidomos kur e kuptoni se nuk mund të bëni asgjë për të ndryshuar të kaluarën ose të ardhmen. E vetmja gjë që keni fuqinë të ndryshoni është e tashmja, “këtu dhe tani” dhe gjëja e parë që duhet të bëni është të jeni më të vetëdijshëm për vendin ku ndodheni, për atë që po bëni dhe për atë që po ndodh rreth e rrotull jush.

Injoroni mendimet kalimtare

Është e thjeshtë të bindni veten se mendja juaj është nën kontroll, veçanërisht kur rrethanat ju shqetësojnë dhe ju fusin në ankth. Sidoqoftë është e rëndësishme të keni parasysh se gjithmonë keni fuqinë për të vendosur nëse do të përfshiheni apo jo nga një mendim i caktuar, në çfarëdolloj situate. Pak nga pak do të bëheni më të vetëdijshëm dhe do të mësoni të vëzhgoni mendimet dhe mund të zgjidhni nëse do t’u kushtoni kohë atyre apo jo.

Pranoni realitetin

Mund të keni tundimin ta etiketoni të tashmen me ndonjë lloj vlerësimi. Ndoshta po mendoni se sa më i mirë është ky moment, krahasuar me një javë më parë ose që mund të jetë edhe më mirë nëse disa faktorë do të ishin të ndryshëm. Në çdo rast, gjykime të këtij lloji mund të pengojnë aftësinë tuaj për të shijuar plotësisht të tashmen për atë që është në të vërtetë.

Vlerësoni gjërat e vogla

Mund të mendoni se jeta juaj është pasojë e ngjarjeve të mëdha dhe që ato janë aspekte unike të rëndësishme. E megjithatë jeta është e përbërë edhe nga momente të shumta të vogla që ndodhin çdo ditë. Një nga mënyrat më të mira për t’i shijuar dhe për t’i jetuar me vetëdije është që t’i vlerësoni për atë që janë. Mund ta bëni çast pas çasti, për t’i dhënë më shumë kuptim jetës suaj dhe të jetoni çdo moment në mënyrë më harmonike.

Pranoni këndvështrimet e të tjerëve

Nëse ndiheni të turbulluar për shkak të sjelljes së një miku apo të një familjari është e mundur që frustrimi juaj të shkatërrojë momente të tjera të kënaqshme. Është e lehtë të ndjeni inat kundrejt të tjerëve, kur i vlerësoni veprimet e tyre nga këndvështrimi juaj, por duhet të keni parasysh se në mendjen e tyre veprimet që i bëjnë i konsiderojnë të rëndësishme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat