Këto janë 13 llojet e intervistave të punës

Life style

Këto janë 13 llojet e intervistave të punës

Më: 11 mars 2021 Në ora: 19:52
Foto ilustrim

Punëdhënësit kryejnë lloje të ndryshme të intervistave të punës. Këto intervista zakonisht bëhen dhe janë të rëndësishme kur kërkohet punë, mirëpo nuk përfundon me kaq. Ka intervista të tjera të cilat mund t’i përjetoni gjatë gjithë karrierës tuaj. Akademi Pune ju njofton me llojet më të shpeshta të intervistave.

Intervistat e sjelljes

Intervistuesit i përdorin intervistat e bazuara në sjellje për të përcaktuar se si punonjësit kanë trajtuar situata të ndryshme gjatë së kaluarës në punë. Ideja e kësaj është që punëdhënësit të kuptojnë se si sjellja juaj në të kaluarën ju bën që të veproni në punën e re. Kjo intervistë nuk parashikon përgjigje me “po” ose “jo”, por zakonisht duhet ta tregoni një ngjarje dhe ta sqaroni atë deri në rezultate.

Intervistat e rastit

Intervistat ku intervistuesi ju jep një skenar të biznesit dhe ju kërkon ta menaxhoni atë situatë janë të quajtura si intervista të rastit. Ky lloj intervistash është më së shumti i përdorur në konsultimet e menaxhimit apo intervistat bankare të investimeve dhe kërkojnë që kandidatët t’i tregojnë aftësitë analitike dhe aftësinë për zgjidhjen e problemeve.

Intervistat e bazuara në kompetencë

Intervistat që kërkojnë nga ju të jepni shembuj të aftësive specifike quhen intervista të bazuara në kompetencë, ose intervista specifike për punën. Intervistuesi do të bëjë pyetje që do t’i ndihmojë ata të përcaktojnë nëse keni njohuritë dhe aftësitë e kërkuara për atë pozitë.

Intervistat e daljes

Intervistat dalëse janë takime në mes të punonjësit që ka dhënë dorëheqjen ose është duke u larguar dhe departamentit të burimeve njerëzore ose punëdhënësit të kompanisë. Kompanitë i bëjnë këto intervista për të mësuar më shumë rreth mjedisit të punës dhe të marrim reagime apo sugjerime të mundshme për punën. Punëdhënësi këtu i pyet punonjësit përse janë duke e lënë punën, apo pse po kërkojnë një punë të re.

Intervista përfundimtare

Kjo intervistë është hapi i fundit në procesin e intervistimit. Kjo zbulon nëse do të merrni një ofertë pune apo jo. Zakonisht kryhet nga CEO ose anëtarët e tjerë të menaxhmentit të lartë. Edhe në këtë intervistë ashtu si në ato paraprake duhet të jeni seriozë, sepse vetëm pse po e bëni një intervistë përfundimtare, nuk do të thotë që jeni pranuar në punë.

Intervista grupore

Punëdhënësit mund të mbajnë intervista në grup, sepse ato shpesh janë më efikase sesa intervistat një për një. Ekzistojnë dy lloje të intervistave në grup: njëra përfshin një aplikant që intervistohet nga një grup (ose panel) intervistuesish; tjetri përfshin një intervistues dhe një grup aplikantësh.

Intervistat jo formale

Rekruterët mund të fillojnë procesin e shqyrtimit me një bisedë të relaksuar, joformale në vend të një interviste zyrtare. Ky është më shumë një diskutim rastësor se sa një intervistë tipike për punën. Një bisedë e shoqëruar me një filxhan kafe është një lloj tjetër më pak zyrtare e intervistës për punë.

Intervista informative

Intervista informative përdoret për të mbledhur informacion në lidhje me një punë, fushë karriere, industri ose kompani. Në këtë rast, intervistuesi gjen njerëz për të folur në mënyrë që të mëson më shumë për një fushë specifike.

Intervista e simuluar

Intervista e simuluar ju ofron një mundësi për të praktikuar një intervistë dhe për të marrë reagime. Megjithëse mund të bëni një intervistë të tillë jozyrtare edhe me një mik ose anëtar të familjes, intervista e simuluar me një trajner karriere, këshilltar ose zyrë karriere universitare do të japë reagimet më të mira.

Intervista jashtë

Punëdhënësit nganjëherë caktojnë intervista pune në një vend publik, si një kafene apo restorant. Ndoshta nuk ka asnjë zyrë lokale ose ndoshta ata nuk duan që punonjësit aktual të dinë për mundësinë e një punësimi të ri. Në çdo rast, është mirë të jesh i përgatitur për intervista diku jashtë.

Intervista aty për aty

Ndonjëherë do t’ju kërkohet të bëni një intervistë në vend. Për shembull, ju mund të paraqisni kërkesën tuaj (të aplikoni) dhe t’ju kërkohet të bëni intervistën menjëherë. Ose kur një organizatë njofton se do të mbajë intervista të hapura në një datë të caktuar. Në situata si këto, personeli i punësimit përdor intervista të menjëhershme për të kontrolluar aplikantët dhe aty vendos se kush duhet dhe nuk duhet të përfshihet në hapin tjetër të procesit të rekrutimit.

Intervistat me telefon

Derisa jeni duke kërkuar punë në mënyrë aktive, mund t’ju duhet të jeni të përgatitur për një intervistë telefonike në çdo kohë. Kompanitë shpesh fillojnë me një telefonatë të paplanifikuar, ose ndoshta ju duhet ta planifikoni atë. Në secilin rast, është mirë të jesh gati dhe i përgatitur për t’u përgjigjur në pyetje gjatë një interviste telefonike, por edhe për të bërë pyetje gjithashtu.

Intervista me video

Ndoshta keni aplikuar për një punë në distancë ose po intervistoheni për një pozitë në një shtet ose qytet tjetër. Platformat si Skype, Zoom, Google Meet dhe FaceTime janë duke i bërë intervistat me video gjithnjë e më të lehta, në një kohë kur ky lloj po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat