Si ndikojnë marrëdhëniet ndërpersonale në cilësinë e jetës? Kur duhet kërkuar ndihmë?

Life style

Si ndikojnë marrëdhëniet ndërpersonale në cilësinë e jetës? Kur duhet kërkuar ndihmë?

Më: 12 mars 2021 Në ora: 22:25
Foto ilustrim

Njeriu si qenie sociale është gjithmonë në kërkim të vendosjes së një marrëdhënieje me tjetrin. Ka një lloj tendence që, për të jetuar në shoqëri duhet të ndërtojë marrëdhënie me të tjerët dhe të krijojë lidhje me grupin social që i përket. Marrëdhëniet ndërpersonale janë esenciale në jetën e përditshme të njeriut. Ato shërbejnë si një mundësi për të reflektuar, kuptuar dhe përsosur veten.

Marrëdhënia interpersonale është marrëdhënia që përfshin raportin me njerëzit e tjerë, mënyrën se si lidhemi dhe vendosim kufijtë me të tjerët, si reagojmë dhe ndërveprojmë me tjetrin. Për këtë arsye, këto marrëdhënie kanë një ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si ne e shohim veten, të tjerët dhe botën, dhe se si krijojmë sistemin e besimeve. Ka një ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si ne funksionojmë në jetën e përditshme.

Marrëdhëniet ndërpersonale janë disa lloje: marrëdhënie shoqërore, marrëdhënie intime, marrëdhënie familjare, marrëdhënie profesionale.

Kur fillojnë këto marrëdhënie të interferojnë në jetën e përditshme dhe cilat janë fushat e jetës që mund të prekin?

Problemet ndërpersonale janë vështirësitë që hasen në vendosjen e raportit me tjetrin, janë vështirësi që përfshijnë njerëz të tjerë, reagimet e tyre dhe mënyrën se si lidhemi me të tjerët, të cilat mund të prekin disa fusha të jetës si: probleme në punë, probleme në situata sociale, vështirësi për të nisur apo mbajtur shoqëri, vështirësi në marrëdhëniet intime.

Problemet ndërpersonale shfaqen në mënyra të ndryshme si p.sh: të ndjerit jo rehat në situata sociale, të qenit agresivë. Sjellja shmangëse apo distancimi social, është një karakteristikë si shmangia e afërsive emocionale, të qenit abuzivë dhe të papërmbushur në marrëdhëniet e vendosura.

Cilat janë shenjat të cilat na tregojnë për një vështirësi në marrëdhëniet ndërpersonale?

Personat që kanë probleme nderpersonale, fillojnë të ndihen të zemëruar edhe në situatat më të thjeshta. Kanë vështirësi për të vendosur një komunikim me të tjerët.

Të kthyerit në antisocialë, vështirësi për të ndërtuar dhe ruajtur marrëdhënie të shëndetshme me të tjerët, vjen dhe nga mendimet negative që këta persona mund të kenë për veten, mendojnë sikur nuk janë mjaftueshëm të mirë për të qenë në një marrëdhënie me të tjerët.

Vështirësi komunikimi, vërehet një vështirësi për të shprehur veten si verbalisht ose joverbalisht. Ka një lloj besimi se nuk do të mund të kuptohen nga të tjerët, ose ekziston frika se mund t’i thotë gjërat gabim.

Vështirësi për të dëgjuar, ka një mungesë interesi, përqendrimi për të dëgjuar nevojat e tjetrit, si rrjedhojë e distancimit social apo marrëdhënies konfliktuale.

Izolimi, që përjetohet me ndjenjat e vetmisë, të ndjerit bosh, të izolimit social.

Mënyra se si ne lidhemi me të tjerët, ndërtojmë marrëdhënie nderpersonale, është e qenësishme për mënyrën se si ndihemi të pranuar dhe qasemi ndaj situatave sociale.

Të gjithë mund të preken nga marrëdhëniet nderpersonale jo të shëndetshme. Më të prekshëm janë ata persona që vuajnë nga çrregullimet e ankthit, kryesisht ankthit social, personat që kanë vetëvlerësim të ulët, mbartin trauma nga fëmijëria, kanë eksperienca të marrëdhënieve abuzive dhe neglizhimit, apo kanë probleme të shëndetit mendor. Karakteristikë e personave që kanë vështirësi për të vendosur një marrëdhënie është se, problemin e shikojnë gjithmonë tek tjetri, përpiqen që të etiketojnë tjetrin si jo tërheqës, dhe të papërshtatshëm për të qenë pjesë në jetën e tyre.

Vështirësitë në marrëdhëniet nderpersonale nuk konsiderohen probleme të shëndetit mendor, por për shkak të disa modeleve të keqpërshtatura dhe negative të të menduarit, mund të shfaqen probleme dhe vështirësi në marrëdhëniet sociale, intime në çift apo familjare.

Në të tilla raste është e rëndësishme të adresohen këto vështirësi tek psikologu, terapisti për këshillim dhe trajtim, për të ndihmuar dhe punuar me veten për çështje si: kontrolli i emocioneve, rritja e ndërgjegjësimit, përmirësimi i aftësive sociale, menaxhimi i stresit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat