Si të shmangni tekat e fëmijëve

Life style

Si të shmangni tekat e fëmijëve

Më: 6 prill 2021 Në ora: 15:09
Ilustrim

Një fëmijë i vogël 8 ose 10 muajsh nuk e ka aftësinë që të kuptojë dhe tolerojë frustrimet. Nëse ai bën teka për të luajtur me një objekt delikat, si për shembull celulari, ju mund t’i ofroni një lodër tjetër në këmbim. Nëse fëmija është në moshën parashkollore, dialogu duhet të bëhet rregull. Nëse nuk funksionon kështu, duhet të aplikoni një ndëshkim. Nëse fëmija është nga 10-12 vjeç, ai mund t’i kuptojë shumë mirë pikëpamjet dhe rregullat tuaja, por e rëndësishme është që ato të jenë të arsyeshme.

Jini të qartë dhe të vendosur në rregullat e rëndësishme

Bëni përpjekje që fëmija juaj të zbatojë rregullat që i keni vendosur që në vogëli. Disa rregulla të domosdoshme janë si psh: Të qëndrojë në karrigen e tij në makinë; të mos godasë fëmijët e tjerë; të flejë e të zgjohet në orar. Për këto rregulla bazë përpiquni të mos bëni kompromise. Ka situata të tjera në të cilat ju mund të tregoheni më tolerante. Si psh: Fëmija mund të vendosë vetë se cilin libër t’i lexoni para se të flejë; çfarë supe do të hajë; çfarë lodre t’i blini si dhuratë etj. Mos harroni t’i bëni të qartë fëmijës se ka situata në të cilat rregullat nuk duhen shkelur. Kujdes! Rregullat nuk duhet të jenë të panumërta, sepse dhe fëmija bëhet nervoz. Rregullat duhen respektuar nga të gjithë pjesëtarët e familjes.

Përballoni me qetësi të qarat e fëmijës

Përpiquni të kuptoni nëse fëmija qan për një arsye domethënëse. Nëse ankohet se ka dhimbje, uri, frikë, duhet të reagoni për të qetësuar situatën. Nëse qan se dëshiron diçka, duhet të vendosni nëse do t’ia plotësoni dëshirën. Në rastet kur fëmija bën kapriço, zemërime të çastit, shpërfilleni. Mos e përkëdhelni në momentin kur është duke qarë apo duke bërë kapriço të ndryshme. Shpesh fëmijët janë kapriçozë për të marrë vëmendjen tuaj, për t’ju ndërruar mendimin dhe të bëjnë atë që ata duan. Mos u dorëzoni para shantazheve. Nëse ai bërtet, përplas dyert, shtrihet përdhe, lëreni të lirë të shfryhet, mjafton të jetë në një vend të sigurt ku ju e kontrolloni.

Mësojini të luajë edhe vetëm

Edhe pse mund të qëndroni me orë të tëra në shoqërinë e fëmijës suaj, nuk është e nevojshme që ju të bëheni shoqëruesi i tij në çdo sekondë. Nëse ju duhet të merreni me diçka tjetër, mësojeni të luajë edhe vetëm. Studimet kanë vërtetuar se në vitin e parë të jetës, fëmija mund të luajë vetëm nga 15-20 minuta.

Mësojini pritjen

Pritja i shërben fëmijës që të mësojë të jetë më i duruar. Gradualisht, ai do të ambientohet me faktin se nuk do të ketë menjëherë shpërblimin për atë që bën, siç ndodh edhe në botën e të rriturve. Prindërit nuk duhet të ndihen në faj nëse fëmija duhet të presë në disa raste. Pritja nuk e dëmton zhvillimin psikologjik të fëmijës, përkundrazi, pritja shërben për ta bërë më të fortë individin në të ardhmen. Për ta ndihmuar fëmijën që t’i përballojë më lehtësisht pengesat, kërkoni të gjeni alternativa të tjera të ngjashme me kërkesën e fëmijës, si për shembull: “Nuk mund të hash tortë në këtë moment, por do të jap një frut”…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat