Pesë shenjat e dashurisë së vërtetë

Life style

Pesë shenjat e dashurisë së vërtetë

Më: 7 prill 2021 Në ora: 18:23
Ilustrim

Sa herë e shtrojmë pyetjen se pse dashurohemi me një person? Çfarë na shtyn të jetojmë lidhje që dhurojnë pakënaqësi? Sigurisht që kjo nuk quhet dashuri, e megjithatë psikanaliza thotë se dashuria, ajo “e vërteta”, nuk ka të bëjë me qetësinë. Dashuria nuk mund të përkufizohet me rehatinë. Ajo na lidh në mënyrë misterioze me tjetrin duke e sfiduar arsyen dhe në këtë mënyrë mund të zbulojmë disa sinjale domethënëse që përkufizojnë dashurinë tonë.

1. Misteri

Dashuria është një mister për të dy partnerët, si dhe për ata që e vëzhgojnë së jashtmi. Në këtë mënyrë, konstatojmë se nuk kuptojmë gjithçka që na përket, por përse? Sepse ajo që na mban të lidhur me dikë, është e pashpjegueshme. Të duash me të vërtetë, nuk do të thotë se tërhiqemi nga imazhi (bukuria, ngjashmëria) as edhe për faktin që simbolizon (babanë, mamanë, fuqinë apo paranë), por për misterin që ai/ajo mbart. Dashuria është e panjohur për ne. Ajo është takimi i dy të personave të panjohur dhe nuk mund të pretendojmë se partneri të na tregojë se kush është e të na japë atë që na mungon. Ta duam tjetrin për misterin që na dhuron, është prova më e drejtë për të na qartësuar se dashurojmë me të vërtetë.

2. Frika nga të qenit vetëm

Të dashurosh, do të thotë të kesh frikë në çdo çast. Sipas Frojdit, ne bëhemi të varur në momentin kur pretendojmë se tjetri duhet të na mbështesë në rrugëtimin tonë të jetës. Pikërisht për këtë, ne kemi frikë nga humbja. Ndonjëherë, ndjesia e frikës kthehet në një fiksim patologjik, aq sa shumë njerëz dëmtojnë qëllimisht lidhjen e tyre si pasojë e kësaj frike, duke e zhvlerësuar rëndësinë e dashurisë.

Në fillimet e njohjes është normale, sidomos përgjatë fazës së rënies në dashuri, të ekzistojë një varësi kundrejt tjetrit. Një dëshirë e fortë për t’u “bashkuar me partnerin” e për të mos u ndarë prej tij në asnjë çast. Një marrëdhënie që funksionon në mënyrë të tillë nuk është e ngjashme për këdo që nis një lidhje dashurie. Kur ndjejmë boshllëk, frikë dhe mërzitje nga mungesa e personit, duhet ta quajmë veten me fat. Jo kushdo e takon dashurinë e vërtetë.

3. Pranimi i të panjohurës

Dashuria nuk është e njëjtë për të gjithë. Ajo mund të zgjedhë një rrugë të kundërt dhe ne duhet të mësohemi të pranojmë se asgjë nuk është e shkruar. Njohja me partnerin është e konceptuar në episode të shkëputura dhe të ndryshme me njëra-tjetrën. Dëshira për të pranuar angazhimin maksimal me të panjohurën që na sjell dashuria, është një provë e sigurt për besimin dhe përkushtimin e pakushtëzuar ndaj ndjenjave që jetojmë kur jemi në çift. Në këtë kontekst, nuk do të thotë se ndjenja e dashurisë është e njëjtë, pavarësisht personit që na e nxit këtë ndjenjë. Për të dashuruar me të vërtetë duhet të besojmë në mrekulli. Nuk duhet të pretendojmë për një kënaqësi të menjëhershme, por të pranojmë të panjohurën dhe të jemi të duruar.

4. Të kuptojmë se përse e dashurojmë partnerin

Është e kuptueshme se: “Të dashurosh, do të thotë se ndjejmë dëshirë për tjetrin”. Pa shkëmbim trupor, nuk mund të kuptojmë dashuri. Dashuria kërkon kënaqësinë, sepse e ka të nevojshme përmbushjen e dëshirës vetjake. Por e rëndësishme është t’u japim përgjigje pse-ve që na mbajnë të lidhur me dikë edhe kur ka kaluar kohë pranë njëri-tjetrit. Çiftet që u rezistojnë viteve, duke qenë në një lidhje të shëndetshme, kanë ditur ta transformojnë ndjenjën e varësisë në ndjenjë mirëqenie. Këto çifte kanë ditur të zhvillohen së bashku dhe të ndërtojnë projekte të përbashkëta. Ajo që ka vlerë në marrëdhëniet dyshe është që partnerët të jenë të vetëdijshëm për arsyet që janë ende bashkë. Nëse mund të artikuloni qoftë edhe tri arsye, atëherë jeni në rrugën e drejtë!

5. Të ndjesh se ekziston

Koncepti për dashurinë e vërtetë është iluzioni se dashuria jonë është unike, si përvoja më legjitime në botë. Partneri është ideali i mishëruar tek ne dhe ne ekzistojmë falë këtij këndvështrimi. Kur jemi të dashuruar, investojmë dhe bëjmë të pamundurën që dashuria jonë të funksionojë. Jemi të gjallë dhe jeta merr më shumë kuptim nën ritmin e ditëve pasionante. Tashmë nuk jemi më vetëm. Tjetri gjithashtu, na përcjell botën në mënyrën e tij, ndaj dhe përjetojmë ndjenja me një forcë më të madhe se më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat