Cilat janë shtatë llojet e dashurisë sipas mitologjisë?

Life style

Cilat janë shtatë llojet e dashurisë sipas mitologjisë?

Më: 12 prill 2021 Në ora: 06:58
Ilustrim

Cilat janë shtatë llojet e dashurisë? Koncepti i dashurisë është shumë i ndërlikuar. Ne dashurojmë dikë, martohemi dhe më pas kalojmë jetën me ta. Mund të duam një fëmijë pa kushte dhe me gjithë zemër.

Mund të duam një prind ose një mik të mirë, por ndryshe nga ç’duam njeriun e jetës. Gjithashtu, mund të tregojmë dashuri dhe dhembshuri për të tjerët. Ndoshta, shoqëria na ka mësuar të dallojmë llojet dhe shkallët e ndryshme të dashurisë bazuar në konotacione, nuanca ose përvoja.

Filozofët në Greqinë e lashtë e ndanin në disa kategori konceptin e dashurisë. Mirëpo a e dini cilat janë llojet e dashurisë sipas këtyre filozofëve? Më poshtë mund të lexoni për secilën prej tyre.

Eros – Dashuria e trupit

Kjo lloj dashurie ilustron tërheqjen seksuale, dëshirën fizike ndaj dikujt dhe mungesë kontrolli. Erosi është një ndjënjë mjaft e fortë, pasionante por që zhduket shpejt. Marrëdhëniet që ndërtohen vetëm mbi ndjenjën e Eros-it priren të jenë jetëshkurtra.

Philia – Dashuria familjare

Philia është dashuria që ndjejmë për prindërit, motrat, vëllezërit, anëtarët e familjes në përgjithësi dhe miqtë e ngushtë. Kjo lloj dashurie lidhet me besnikërinë, shoqërinë dhe besimin. Ndjenja e dashurisë philia ndahet mes atyre që kanë vlera dhe përvoja të ngjashme me ne. Filozofët grekë e konsideronin philinë si një ndjenjë shumë më të lartë se dashuria e Eros-it.

Storge – Dashuria për fëmijën

 Kjo lloj dashurie e përshkruan dashurinë e pakushtëzuar që prindërit kanë për fëmijët e tyre. Përcaktohet me miratimin, pranimin dhe sakrificën e pakushtëzuar të prindit. Kjo lloj dashurie ndihmon një fëmijë të zhvillohet përmes lidhjes me prindin, inkurajimit dhe sigurisë.

Agape – Dashuria vetëmohuese

Dashuria Agape është përfaqësuese e dashurisë universale. Filozofët grekë menduan se kjo është lloji i dashurisë që njerëzit ndiejnë për njerëzit e tjerë, për natyrën dhe për një fuqi më të lartë se ata. Kjo dashuri shprehet më lehtë përmes meditimit, natyrës, intuitës dhe spiritualitetit. Dashuria Agape krahasohet me empatinë që ndjejmë dhe kujdesin që shfaqim për të tjerët.

Ludus – Flirtimi

Ludus përcaktohet nga flirtimi, joshja dhe marëdhëniet seksuale pa angazhim. Pika kyçe e kësaj dashurie është më tepër përvoja sesa tërheqja apo ndjenjat që ke për dikë. Ludus shfaqet në fillimin e një marrëdhënieje dhe është përbëhet nga elementet e lojës, ngacmimit dhe ekzaltimit emocional.

Pragma – Dashuria afatgjatë dhe e qëndrueshme

Dashuria afatgjatë ose Pragma është e dukshme tek çiftet që kanë qenë së bashku për një periudhë të gjatë kohore. Kjo lloj dashurie vazhdon të zhvillohet ndër vite dhe portretizon sinkronizimin dhe ekuilibrin. Kjo lloj dashurie mbijeton vetëm me mirëmbajtje dhe ushqim të vazhdueshëm.

Philautia – Dashuria ndaj vetvetes

Philautia lidhet me besimin dhe dashurinë që ndjejmë për veten tona. Kjo lloj dashurie është e domosdoshme që të ndjehesh se i përket vendit ku ndodhesh. Megjithatë, philautia mund të jetë e pashëndetshme dhe lidhet me narcizmin ose arrogancën. Kjo ndjenjë merr vlerë nëse do veten në mënyrë të shëndetshme, që do të thotë se duhet të mësosh të duash veten para se të duash të tjerët.

Filozofët grekë besonin se lumturia e vërtetë arrihet vetëm kur dikush ka dashuri të pakushtëzuar për veten e tij. Në ditët e sotme ne nuk i përdorim këto terma si grekët e lashtë, ama jemi dakort me ndarjen e konceptit përgjithësues të dashurisë. Nëse do ta përshtasnim mënyrën se si filozofët e lashtë mendonin për dashurinë, ndoshta do ishim më të qartë me veten dhe ndjenjat tona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat