Ç’individualizimi i njeriut si një dukuri sociale, me efekte psiko-sociale e psiko-individuale dhe disa këshilla për të ndalur atë

Life style

Ç’individualizimi i njeriut si një dukuri sociale, me efekte psiko-sociale e psiko-individuale dhe disa këshilla për të ndalur atë

Nga: Prof.Assoc.proc.Doc.Dr. Ilia S.Larti Më: 15 prill 2021 Në ora: 17:54
Foto ilustrim

Mjaft individë të shoqërisë sonë demokratike në këto dy dekada duke mos patur kulturën e duhur dhe angazhimin për të përqafuar idetë e reja progresive, janë të ngathtë në ndjekjen e hapit të shoqërisë sonë të emancipuar, ndaj sipas vendit dhe hapësirës ky kontingjent bëhet pengesë dhe nganjëherë me pasoja mjaft serioze.

Midis këtyre ka disa persona, të cilët më parë janë joshur nga pozicionet e detyrave sa  shoqërore dhe institucionale dhe e kanë mjaft të vështirë të përshtaten natyrshëm si gjithë të tjerët dhe gjejnë lloj-lloj formash që të kapen e kacavirren pas atyre hapësirave që i lejon për të gjithë njerëzit shoqëria demokratike. Pra, këta njerëz po humbasin gjithnjë e më shumë kohezionin social duke u përplasur me veprimtarinë dhe jetën e përditshme sa individuale, shoqërore dhe pse jo dhe institucionale.

Kjo gjendje te këta njerëz, duke e parë qartazi situatën për të mbijetuar me çdo kusht (kuptohet, joshja me përfitimet sociale), bëhen çdo ditë e më shumë dertiminantë në veprimet e tyre individuale (braktisja e detyrave dhe shkuarja drejt mëshimit të interesave të ngushta vetjake, familjare pse jo dhe nepotike).

Këta njerëz  nuk duhet t`ia dinë fare (përveç përfitimit personal dhe shijimit të jetës sa në mënyrë personale dhe familjare), për ballë njerëzve me halle, problem, mërzie personale, shëndetit jo të mirë, pafuqisë për të përballuar konkurrencën e mbijetesës, padrejtësisë etj.

Sipas socio-psikologut From, lidhur me situatën psiko-sociale të individit në raport me natyrën e shoqërinë cilëson midis të tjerash: “…Rreziku… i ç’individualizimit të njeriut në rrjedhën e ndryshimeve shoqërore… janë dukuri sociale, me efekte psiko-sociale dhe psiko-individuale, mjaft të ndjeshme, sidomos në jetën dhe veprimtarinë e atyre njerëzve që nuk arrijnë të përshtaten ashtu siç duhet me rregullat dhe normat e reja të shoqërisë së re”.

Ky aspekt flet qartë se këta njerëz jetojnë jashtë “dimensionit social”, duke mbijetuar në periferi të shoqërisë, ku gjithnjë e më shumë dobësojnë deri në shkëputje “lidhjet sociale”, me realitetin, me njerëzit në tërësi dhe me stafin (kur është drejtues), që e rrethon në veçanti.

Intensiteti i ndryshimit të dimensionit të këtyre njerëzve, nëpërmjet ç’individualizimit, është e lidhur me nivelin e shkëputjes dhe të izolimit të njeriut nga jeta shoqëria dhe komuniteti social.

Kjo sigurisht është e lidhur me shkallën e pjesëmarrjes në punëra të mira e të dobishme sikurse dhe në zhvillimet në përgjithësi të problemeve sociale, si nëpunës, qytetar aktiv e jo si spektator inaktiv e moskokëçarës ndaj problemeve dhe shqetësimeve që kanë njerëzit me të cilët e lidh puna dhe bashkëpunon, për të zgjidhur problemet dhe realizuar detyrat e deri me të gjithë komunitetin ku shtrihet juridiksioni i plotësimit të detyrës e të tjera.

Sociologët janë shumë të shqetësuar për këtë dukuri me pasoja të rënda “sociale”. Lidhur me këtë dukuri ata cilësojnë se: “Nuk ka shumë “ilaçe”, për të mbrojtur këta njerëz me këto prirje dhe sindroma mjaft të rënda me ndikim te individi dhe deri te shoqëria”.

Por gjithsesi, ata udhëzojnë që politologët, psikologët dhe sidomos sociologët, të mos heqin dorë për të mbrojtur mos ç’individualizimin e njerëzve, që i shfaqin atë në kushte dhe rrethana jetese dhe veprimtarie, sepse është mëse e nevojshme në stadin ku ata kanë arritur, që të gjenden forma dhe metoda të reja të decentralizimit te relacioneve personale, në raport me kërkesat, pushtetin (detyrat, të drejtat, interesat), të këtyre njerëzve të ç’individualizuar në marrëdhënie me të “tjerët”.

Kjo sigurisht do të shërbejë si një “antidotë sociale”, për të ndaluar këto procese regresuese. Sigurisht, këto ndodhin sepse, sot për sot në këtë drejtim punohet shumë pak për t`ju kundërvënë  këtyre njerëzve të tjetërsuar (sidomos kur janë të veshur me pushtet zyrtar), të cilët gjithnjë e më shumë thellohen drejt komunikimit amorf, i pa lidhur me asnjë kohezion social, ku për pasojë ç’individualizimi do shkojë drejt një gjendjeje katastrofike.

Nuk i lejohet kërkujt, që me mendjelehtësi dhe indiferentizëm sociologjik të anashkalohet si një problem jo i rëndësishëm, që është personal e të tjera, kjo mënyrë sjelljeje nuk i përket një shoqërie të civilizuar, ku në asnjë mënyrë dhe për askënd nuk është tepri që të ndalësh një të keqe siç është ç’individualizimi i njeriut, qoftë ky dhe me nota dhe ritme sa do të vogla apo të ulta.

Anonimiteti dhe tendenca e mungesës së identitetit personal për të pasqyruar individualitetin human sipas filozofit të kohës sonë Hans George Gadamer del se: “.. vjen nga tendenca dominante e njerëzve për të pasur rehati, qetësi personale, i të qenit larg personave me halle dhe probleme dhe sidomos me shqetësime sociale, si dhe për të bërë një “jetë”, që të jetë më e mirë se e të tjerëve, pavarësisht se ata vuajnë dhe herë pas here lëshojnë thirrjen “sos”.

Ky qëndrim asocial, nëpërmjet indiferentizmit, ndarjes së “unit”, nga të “tjerët”, të “vetes”, nga “shoqëria”, në tërësi flet qartazi për një ç’individualizim të theksuar dhe mjaft alarmant që kërkon pa tjetër një ndërhyrje të menjëhershme sepse ai “gërryen” dhe nuk “vadit”; “prish” dhe nuk “ndërton”;“streson”, dhe nuk jep shanse për “ekuilibrim  shpirtëror”.

Ky individ, “anonim”, “amorf”, apo  “gri” (e ç`mund të mos e quash këtë tip..!), synon të zgjasë e gjejë baza qëndrueshmërie të dimensionit të tij individual apo personal, me të vetmen arsye dhe qëllim që të marri përfitime dhe të kënaqë mirë “epshet” e tij, sigurisht për të parë të tjerët që të vuajnë. Ai arrin deri atje sa të ndërtojë dhe strategji për të realizuar një “izolim social”, të tjerëve, (pavarësisht se mund të dëmtohet interesi i shumicës). Kuptohet,  ai përpiqet me të gjitha format dhe metodat për t`ia hedhur dhe shijuar sa më gjatë mbijetesën amorfe, duke marrë parasysh edhe përballjen me rrezikun e prekjes së identitetit, pra është gati të paguajë dhe “koston” e “humbjes së vetes” (edhe se mund ta ndjejë mos respektin dhe përbuzjen nga të tjerët).

Këta njerëz, që hynë në këtë kategori zbehen dhe shkojnë drejt humbjes së “dimensionit social”, duke e quajtur të huaj madje as që nuk pranojnë afrimin personal me të tjerët, ku as mund të bëhet fjalë për lënie hapësirash për të tjerët si në planin intelektual, profesional dhe atij shoqëror

Për ta, emancipimi i njerëzve përbën një prishje qetësie duke i quajtur kundërshtarë e pse jo dhe deri armiq numër një, sidomos  në sensin civilizues dhe qytetar, me frymë dhe ide thellësisht demokratike. Kjo pa tjetër për ata, që mendojnë ndryshe dhe dalin për tej interesave vetjake, madje në këto raste, ju planifikohet dhe zhvillohet një “luftë e heshtur”, me prapavijë goditëse dhe deri denigruese, të cilët shfaqin iniciativën për t’u vënë në interes të kolegëve, institucionit e gjithë shoqërisë.

Kënaqësinë në këtë sens, ata e shprehin nëpërmjet mendimeve dhe veprimeve duke i zëvendësuar me kënaqësitë dhe refrenin e mërzitshëm duke “përsëritur vetveten orë e çast”, në mënyrë të njëtrajtshme. Sigurisht, nëpërmjet strategjisë së ndërtuar, për të zvogëluar të “tjerët”, sa të jetë e mundur e më shumë, për mbylljen e hapësirave intelektuale, ambicieve profesionale, si dhe për të përbaltur figurën e pastër morale, pra kryerja e një “izolimi social”, gati total për ta, që të mos shpalosin vlerat e tyre.

Këta njerëz të ç’individualizuar, nëpërmjet këtyre strategjive dhe manovrave të shumëllojta sa teknike dhe taktike, të tërthorta dhe djallëzore, i kanë krijuar vetes kushte nga më idealet për të mbijetuar nëpërmjet “harmonisë finalizuese”, të cilët duke e personalizuar atë e quajnë “domosdoshmëri personale” edhe se bie ndesh me normat dhe parimet që i ka mirëpranuar e gjithë shoqëria jonë demokratike.

Si për çdo njeri të zakonshëm, intelektual, profesionist e deri specialist, si dhe për mua si studiues, krijues dhe specialist modest në fushën e shkencave shoqërore, këta njerëz që shkojnë gjithnjë e më tej drejt humbjes së identitetit të dimensionit social, përbëjnë një shqetësim sa dhe angazhim, për të trajtuar tema të tilla me qëllimin e vetëm, për të zbutur sadopak ç’individualizimin e disave prej këtyre njerëzve që na rrethojnë në ambientet e jetës dhe veprimtarisë tonë, të cilët në një farë mase, bëhen pengesë për plotësimin e detyrave të besuara dhe atyre shoqërore.

Si përfundim mund të cilësoj se: Individi sa do i pavarur që mund të bëhet nga shoqëria që e rrethon apo atje ku është anëtar e bën pjesë në një komunitet të caktuar, (kjo ka qenë, është dhe do të mbetet), është i lidhur me strukturën sociale “Vlerësimi i mendimit mestar progresiv”, apo “përcaktimi i mendimit të përbashkët”, ku njeriu i përveçëm gjen vetveten si anëtar i shoqërisë në një sërë angazhimesh sociale, nisur nga detyrat, të drejtat dhe interesat brenda parametrave të shtetit ligjor, atij demokratik dhe të së drejtës.

Në këtë aspekt, le t’i referohemi pak Frojdit, lidhur me anën biologjike të agresivitetit, ku sipas tij: “Agresioni është pjesë e natyrës sonë, predispozitë e lindur e pavarur, intiaktive (e brendshme)” (1930). Fakti që agresioni është predispozitë e lindur dhe e përcaktuar biologjikisht justifikohet me atë që, me gjithë gjykimin racional, njeriu ndjen kënaqësi kur godet. Ky veprim shfaqet si një nevojë e lindur e natyrshme te këta njerëz të ç’individualizuar e që sa vjen dhe thellohet.

Disa këshilla të mençura për të ndalur ç’individualizimin

1-Një njeri me vlera e tregon veten duke manifestuar:

Guximin në kulmin e rrezikut.

Kthjelltësinë e shpirtit për të mos u hakmarrë.

Humanizmin e gjerë përballë njerëzve në nevojë.

Qëndrime etike për zgjidhjen sa më drejt të dilemës midis të mirës dhe të keqes.

Emancipim, qytetari dhe kulturë të gjerë, për  zgjidhjen e rrugës dhe ndriçimin e saj në mënyrë sa më të drejtë, gjatë përplasjes të së resë me të vjetrën.

2-Njeriu, nuk mund të shohë kurrë me siguri detyrën që merr përsipër, derisa të mësojë se çfarë kërkesash dhe detyrimesh ka ndaj saj, ndërsa disa që rrojnë me bindjen e brendshme për detyrën, kanë një mburojë rreth vetes e cila u jep atyre qetësinë në çdo rrethanë sido që të jetë ajo.

3-Ai njeri, që nuk përshtat dot vetveten, për këtë mospërfillje duhet të vuajë pasojat.

4-Drejtuesi i mirë, duhet të ketë harmoni të plotë me grupin e njerëzve që udhëheq apo drejton.

5-Psikiatri i shquar amerikan doktor Henrih Ling cilëson se, te një njeri me karakter, duhet të mbizotërojë me të vërtetë:

Dashuria për punën

Vetëdija

Ndershmëria

Besnikëria ndaj fjalës së dhënë

Qëndrueshmëria në sjellje

6-Doktor Ling (amerikan), cilëson se: “Individualiteti ka të bëjë me, personalitetin, autoritetin, karakterin dhe vullnetin e njeriut, i cili, shndërron aftësitë dhe energjitë e tij në zakone dhe  veprime, të cilat evidentojnë dhe pasqyrojnë vlerat individuale, por dhe që bëhen mjaft ndikuese, për njerëzit e tjerë”.

7-Njeriun,të cilin nuk e prekin fatkeqësitë e shokëve, ai  nuk bën gjë tjetër veçse, shfaq në marrëdhëniet me të tjerët një padrejtësi të madhe.

8-Në jetën e përditshme, aftësia praktike është dhjetë herë më e dobishme sesa mençuria abstrakte. Mendimtari abstrakt di se çfarë duhet të bëjë, ndërsa njeriu praktik di se si duhet bërë.

9-Të jesh i aftë, është diçka e pamjaftueshme, në qoftë se nuk ngjall besimin në vetvete.

10–Në qoftë se doni të flisni qartë ,“gdhendeni” çdo fjalë, para se ta nxirrni nga goja!

11–Njerëzit e thjeshtë, janë nxënës kokulur të mësuesit të madh e të pagabueshmit popull.

12-Të dish të flasësh, do të thotë të mendosh me zemër.

13–Gjuha e mendjes, duhet të kalojë nëpërmjet zemrës.

14-Të kemi kujdes, që të mos i themi të vërtetën atij që nuk është në gjendje ta kuptojë, sepse do të thotë që atë ta zëvendësojë me gabimin.

15-Vetëm pasuria e shpirtit, është pasuri e vërtetë, të tjerat janë të tejmbushura me dhimbje.

16-Asgjë nuk kushton më lirë, se sa sjellja e mirë dhe asgjë nuk çmohet aq shumë sa ajo.

17-Madhështia e njeriut, duket sidomos në veprimet e tij për të plotësuar detyrën morale.

18-Injoranca dhe zilia kanë dënuar deri tani shumë njerëz të tjerë të mirë dhe besoj se kështu ka për të ndodhur edhe në të ardhmen. Nuk ka asnjë shkak që ajo të ndalet tek unë.

19-Duhet të jemi të drejtë edhe me ato që nuk janë të drejtë. Ndaj nuk bën t’i kundërvihemi padrejtësisë me padrejtësi, e keqja nuk zhduket më të keqe, por me mirësi.

Këto nuk duhet t’i harrojmë kurrën e kurrës!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat