Teatri i higjienës: Gjithë pastrimet e pandemisë kanë qenë shumë punë për pothuajse asgjë

Life style

Teatri i higjienës: Gjithë pastrimet e pandemisë kanë qenë shumë punë për pothuajse asgjë

Më: 20 prill 2021 Në ora: 09:59
Foto ilustrim

Kur nisi të përhapej masivisht Covid-19, njerëzit u përpoqën të merrnin dezinfektues dhe të pastronin sa të mundeshin sipërfaqet më të prekshme dhe më me shumë rrezik për t’u infektuar me koronavirusin. Tani, me sa duket, e gjitha mund të mos ketë pasur ndonjë rëndësi të madhe.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë publikuar një përmbledhje shkencore që thotë se mesatarisht rreziku i një personi për t’u infektuar me Covid nga një sipërfaqe është 1 në 10,000, ose 0,01%. Në përmbledhje thuhet se "është e mundur" që njerëzit të infektohen me Covid-19 nga prekja e një sipërfaqe të infektuar dhe më pas prekja e hundës, gojës ose syve.

Fill pas kësaj, nisi të përhapej më shumë termi “teatri i higjienës”. Ky term përdoret për të përshkruar praktikën e marrjes së masave higjienike për të krijuar ndjenjën e sigurisë se kemi ulur rreziqet për t’u infektuar. Termi u referohet të gjithë godinave, dyqaneve ushqimore, bizneseve, madje edhe njerëzve në shtëpi që kanë bërë pastrim intensiv që nga fillimi i pandemisë, ndonëse ka pasur pak përfitime reale.

Termi u bë i njohur për herë të parë në një artikull të korrikut të vitit 2020 botuar në Atlantic. "Po sikur kjo të jetë thjesht një humbje e madhe kohe?" shkruhej në artikull.

"Është humbje kohe," tha për Health Richard Watkins, një specialist i sëmundjeve infektive dhe një profesor i mjekësisë së brendshme në Northeast Ohio Medical University. "Njerëzit duhet t'i përqendrojnë përpjekjet e tyre në përpjekje më produktive.”

Eksperti i sëmundjeve infektive Amesh A. Adalja, studiues i vjetër në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore, bie dakord. "Është budallallëk", tha ai po për Health. "Njerëzit e kanë bërë këtë që nga fillimi dhe është thjesht teatër".

Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të bëni pastrime rregullisht, sidoqoftë. "Padyshim, nëse dikush teshtin në një tavolinë dhe ka Covid, ju doni ta pastroni atë," thotë Dr. Adalja.

Cili është dëmi i “teatrit të higjienës”?

Dr. Adalja thotë se të pastrosh nuk është domosdoshmërisht e dëmshme, por shqetësohet për mesazhin që ky veprim u dërgon njerëzve. "Kjo u jep njerëzve përshtypjen e gabuar për atë që është dhe nuk është e rrezikshme", thotë ai. Përpos kësaj, krijon një “ndjenjë false sigurie” sepse njerëzit nuk e kuptojnë që kjo nuk është mënyra kryesore se si mund të infektohen.

“Nëse keni qenë shumë të ngarkuar me pastrimin e vazhdueshëm gjatë pandemisë, ju këshilloj të qetësoheni pak. Mos e stresoni veten më shumë seç duhet,” shton ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat