Si të keni jetë të shëndetshme familjare

Life style

Si të keni jetë të shëndetshme familjare

Më: 8 maj 2021 Në ora: 10:24
Ilustrim

Familjen perfekte e shohim shpesh në televizor, në postera dhe reklama, megjithatë realiteti është shumë më i vështirë dhe më i ndryshëm kur bëhet fjalë për familjet e vërteta. Çdo familje është e ndryshme dhe ka problemet e veta, por me vullnetin e mirë dhe vendosmëri është e mundur të përmirësoni dinamikat e jetës suaj familjare, duke zhvilluar marrëdhëniet dhe duke mësuar të njihni më mirë veten dhe problemet tuaja. Asnjë familje nuk është perfekte, por gjithmonë mund të përmirësoheni…

Njihni sa më mirë familjen tuaj

Mundohuni të njihni sa më mirë dinamikat dhe problematikat e familjes, në të kundërt do të keni shumë keqkuptime dhe grindje. Kaloni sa më shumë kohë të jetë e mundur me familjarët dhe mësoni t’i kuptoni më mirë ata. Në ditët e sotme shumë familje shpërbëhen, pasi për shkak të orareve të punës nuk kalojnë shumë kohë brenda mureve të shtëpisë. Gjeni kohë për familjen, shkoni në kinema, luani me letra, ose mjafton edhe që çdo darkë të hani të gjithë së bashku.

Respektoni familjarët

Fëmijët, bashkëshorti apo bashkëshortja janë pjesë e familjes suaj, por kini parasysh se ata janë edhe qenie njerëzore. Kanë mendimet dhe pritshmëritë e tyre. Ndonjëherë mund të jenë pozitive dhe herë të tjera negative. Mos u inatosni me ta vetëm sepse kanë një mendim të ndryshëm nga i juaji dhe mos harroni kurrë se askush nuk është i përsosur.

Dhuroni kohën tuaj

Nuk është e drejtë ta injoroni dikë, vetëm sepse keni një takim apo punë të papërfunduar. Kushtojini kohën tuaj secilit pjesëtar të familjes për të mësuar gjëra që nuk i dini apo për t’i njohur më mirë ata. Do të keni mundësinë t’i kuptoni më mirë familjarët tuaj dhe nevojat që ata kanë. Në këtë mënyrë do të evitoni keqkuptime të mundshme në të ardhmen.

Trajtojini të gjithë njësoj

Të gjithë pjesëtarët e familjes suaj kanë të drejtë të duhen dhe të respektohen nga ju, njësoj siç ju doni që t’ju respektojë gruaja ose fëmijët. Trajtojini ata ashtu siç dëshironi që t’ju trajtojnë. Kjo është mënyra më e mirë që të keni marrëdhënie të shkëlqyer familjare.

Mos ulërisni dhe mos fajësoni askënd

Familjarët mund të inatosen me ju kur u bërtisni dhe i fajësoni për çdo gjë. Mundohuni të shpjegoni këndvështrimin tuaj në mënyrë të qartë. Përse të shpenzoni energji kur mund t’i bëni gjërat në mënyrë të qetë? Evitoni grindjet me vëllain apo motrën. Debatet e vazhdueshme mund të përkeqësojnë marrëdhënien tuaj dhe me kalimin e viteve mund të vijë dita që të pendoheni. Shijojeni sa më shumë kohën që kaloni në familjen tuaj, sepse ajo kohë nuk kthehet më.

Mësoni të bëni kompromise

Nëse dikush në familje dëshiron diçka krejtësisht të kundërt me atë çka dëshiron një anëtar tjetër i familjes, mundohuni të gjeni një zgjidhje të vlefshme në mënyrë që të jenë të gjithë të kënaqur.

Ndihmoni njëri-tjetrin

Kur shihni që vëllai apo babai juaj ka nevojë për ndihmë, mundohuni t’i jepni një dorë. Nuk ka nevojë të bëni gjëra të mëdha, mjaftojnë edhe gjeste të vogla, si për shembull, t’i hapni derën babait, nëse është i ngarkuar, apo t’i mbani nënës qeskat e pazarit.

Respektoni ndjenjat e fëmijëve

Ndonjëherë adoleshentët mund të ndihen të vetmuar dhe të trishtuar. Gjëja e parë që duhet të bëni është t’i pyesni nëse kanë nevojë për ndihmë. Nëse nuk duan të flasin, nuk prish punë, por nëse mendoni se situata është serioze, mundohuni të flisni me miqtë e tyre më të afërt, në mënyrë që t’i ndihmoni.

Mbani premtimet

Kurrë mos e thyeni një premtim. Do t’i lëndoni familjarët dhe ata nuk do t’ju besojnë më, sepse do të mendojnë se nuk e mbani fjalën e dhënë.

Këshilla

Kompromisi është arma më e mirë që ju keni.

Nëse keni një punë urgjente, mundohuni t’u shpjegoni familjarëve se çfarë problemi keni dhe mundohuni që herës tjetër t’i jepni përparësi familjes suaj.

Nëse fëmija juaj adoleshent nuk flet dot me ju, mund të ketë një problem serioz ose mund të jetë viktimë e bullizmit. Mos mendoni se hormonet ndikojnë në këtë gjendje. Pyeteni fëmijën nëse ka ndonjë problem dhe fitoni besimin e tij.

Kur dikush ju kërkon një ndihmë në punët e shtëpisë, bëjeni menjëherë. Mos e shtyni për më vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat