Përkëdheljet, ushqim për shpirtin

Life style

Përkëdheljet, ushqim për shpirtin

Më: 8 maj 2021 Në ora: 14:15
Ilustrim

Ekzistojnë disa forma për t’u kujdesur e për t’i falur dashuri dikujt. Ajo më eksplicitja është përmes fjalëve, por shpesh ajo që bëhet edhe më e fortë e konsiderohet si ilaçi më i mirë për shpirtin është përmes prekjes.

Të gjithë kemi të arkivuar në memorien tonë momente kur gjithçka për të cilën kishim nevojë ishte një përqafim, një dorë mbi sup, një dorë që luan mbi flokë apo lëkurë etj. Gjeste të tilla kanë fuqinë jo vetëm për të na dhënë një mesazh dashurie, por për të ndryshuar gjendjen tonë emocionale. Që nga fëmijëria e deri në moshën e tretë, në qenie humane e ato jo humane nevoja për të tillë ushqim shpirtëror është po njësoj e domosdoshme.

Një gjest përkëdhelie është një armë e fuqishme, e cila sjellë një botë të tërë emocionesh, ekuilibër të brendshëm dhe mirëqenie psikologjike. Asnjë teknologji s’e arrin dot ta bëjë një gjë të tillë, asnjë pajisje nuk zëvendëson dot ngrohtësinë e një përqafimi. Kur një fëmijë vjen në jetë ne vendosim t’i ushqejmë jo vetëm stomakun, por edhe shpirtin e në këtë formë i sigurojmë atij mbijetesën. Sipas Karl A. Menninger psikiatër amerikan, “Gjithçka i japim fëmijëve ata ia kthejnë mbrapsht shoqërisë”, më shumë afeksion e më shumë dashuri.

Në të ardhmen ai fëmijë do të jetë një i rritur me më shumë vetëbesim, më optimist, më i pavarur e më shumë produktiv. Përkëdhelitë emotive nuk i shërbejnë vetëm kënaqësisë sonë fizike, ato shihen si një akt i riafirmimit të raportit mes dy njerëzve dhe përkatësisë, një lidhje e krijuar nga shqisat përmes së cilave mesazhi i shkon trurit. Ato konsiderohen një lloj gjuhe me fuqi të lartë për të shpuar lëkurën dhe depërtuar shqisat e për t’i dhënë trurit një dozë të lartë endorfine.

Nëse nuk do të ushqehet me këtë lloj ushqimi atëherë njeriu do të pësonte një gjendje paniku, gjendje stresi dhe zbrazëtie të thellë. Truri është organi që përçon kënaqësinë e prekjes e përkëdheljes njerëzore, ai e kërkon pa pushim këtë ndjesi si një ushqim të përditshëm. Lëkura e njeriut është e pasur me miliona mbaresa nervore, ndaj çdo mesazh që përcillet përmes saj rigjeneron trurin dhe gjallëron gjithë gjendjen emocionale.

Përkëdhelja është gjithashtu detektori emocional i frikës, dëshirës apo trishtimit. Andaj qysh fëmijë e deri më sot e dimë mirë se nëse dikush qan mjafton një përqafim dhe e gjithë bota e tij mund të ndryshojë. Si një armë e fortë që e kemi vetë në dorë e nuk ka asnjë kosto le ta përdorim atë pa hezitim, përkëdheleni foshnjën tuaj, babain, nënën, gjyshërit, partnerin, miqtë, gjithkënd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat