Ditari i një nëne të re

Life style

Ditari i një nëne të re

Më: 9 maj 2021 Në ora: 14:42
Foto ilustrim

Mbërritëm në sallë. Kisha shumë pyetje që kërkonin përgjigje, por u rezervova se nuk doja të çuditeshin mjekët. Pas disa minutash, me shikimin drejt tavanit ku ndodhej një dritë e madhe e rrumbullakët, dëgjova të qarën tënde të parë…aty bota ime u nda në dy pjesë, e shkuara dhe e ardhmja…zemra mu drodh e lotët m’i ngriu ajo dhomë e ftohtë, por që njoha ngrohtësinë më të madhe të jetës sime.

Pas disa çastesh, të sollën pranë meje dhe pushove së qari. Oh Zot! Çfarë është ky emocion? Çfarë është kjo ndjenjë që po bërtet si e çmendur?

S’dija çfarë të thosha e të mendoja…veç ndjeja e arrita të them mirë se erdhe Sieli im, mirë se erdhe mrekullia ime!

Ky fragment i shkëputur nga ditari i një nëne të re me emrin Meri Ndoj, të rrënqeth. Sytë e saj plot shkëlqim dhe buzëqeshja që ia çel fytyrën të vijnë edhe nëpërmjet rreshtave të shkruar me ndjesinë e një nëne.

Ajo e nis rrugëtimin e njohjes me fëmijën që në çastet e para që e ka ndjerë brenda saj duke ndryshuar gjithçka.

“Ndryshove të menduarit, të ndjerit, mënyrën e jetesës…nuk e mohoj dot lumturinë teksa po arrija realizimin e ëndrrës më të madhe timen për t’u bërë nënë. Sa përgjegjësi e madhe, sa mund dhe sa frymëmarrje të mbetura përgjysmë”, i tregon Ndoj fëmijës së saj në ditar.

Ndoj rrëfen se ardhja e fëmijës së saj në jetë është e sotmja dhe e ardhmja e një ëndrre. Ëndërr, e cila nuk i lë më ditët të duken të zakonshme, por që të vendos para sfidave më të vështira e padyshim më të bukura.

“Më bëre të provoj që kraharori im të mbajë shumë, po shumë peshë”, i thotë ajo fëmijës.

Madje edhe ditën në të cilën lindi Sieli, datë 7, në ora 7 dhe në dhomën që mbante numrin 107, Ndoj e lidh me 7 mrekullitë e botës, me 7 kontinentet, me 7 ngjyrat e ylberit e me 7 notat e tingullit.

Këtë etapë të re të jetës, nëna e re e emërton “kapitull të bardhë” ku çdo ditë do të jetë ndryshe dhe ku çdo ditë do të ketë emocion dhe motiv brenda.

“Me lindjen e fëmijës, lind edhe nëna. Edhe unë atë ditë linda për së dyti herë. Me energji, me mendime të reja dhe me shpirtin luftarak që injoron vogëlsitë dhe i bën ballë çdo gjëje për fëmijën e vet”, tregon Ndoj.

Ajo përmbyll në atë faqe ditari duke shkruar se “e kap shpeshherë duke buzëqeshur pa arsye sepse ti nuk je një arsye, ti je buzëqeshja e jetës sime”.

Përtej…

Sonila Sharra, një tjetër nënë e re, e cila përpiqet që çdo fjale t’i fali ëmbëlsi dhe kujdes, e kujton momentin e të bërit nënë si më të çmuarin e jetës së saj.

“Kam përjetuar diçka përtej natyrores, përtej reales, përtej asaj çfarë logjika mund të perceptojë nga dikush që ende nuk ja ka arritur kësaj dite”, tregon ajo.

Ndjesinë që ka përjetuar ajo e emërton si “të shenjtë” pasi për të është shërim dhe kuptim për jetën. Por, edhe forcë për mos ta ndalur e për t’ia arritur çdo gjëje në jetë.

“Njoha një tjetër unë, një tjetër dimension të vetes që deri në atë moment nuk më përcaktonte mua”, thotë Sharra.

Me ëmbëlsinë që e karakterizon, Sharra rrëfen se “atje ku zemra e shpirti gjejnë prehje është te ajo aromë engjëjsh, është vetëm te fëmijët e tu”.

Përqafuar nga dashuria

Ditën që erdhe në jetë, akrepat ndaluan. Mora frymë thellë dhe kur të pashë në duart e mia, ndala. Në sallën e lindjes, sapo pashë fytyrën tënde, bota mu rrotullua. Mendoja nëse kjo qenie e vogël ishte e imja

Sytë e tu janë parajsa ime. Fjalët që mendoj çdo natë janë me mijëra dhe në errësirë të gjithave u buzëqesh vetëm një fytyrë, e jotja.

Hipnotizohem e tëra para teje. I mbyll sytë dhe verbohem nga drita, mbushem me ajër e marr frymë nga fryma jote.

Një tjetër nënë e re, Ermelinda Ismalaj, rrëfen emocionin e papërshkrueshëm të të qenit nën për herë të parë.

“Nëse deri më sot kisha jetuar, tani jeta mori tjetër kuptim, mori kuptimin real të saj. U futa në një botë tjetër që nuk kisha shkelur më parë”, shprehet ajo.

Për të, e vetmja gjë që qëndron vërtetë është të provuarit vetë pasi asgjë që mund të jetë provuar më parë nuk ngjan me mëmësinë dhe askush që nuk e ka provuar më parë nuk mund ta përshkruajë dot saktësisht ndjesinë e të qenit nënë.

“Jetova 9 muaj me emocione, 9 muaj ku çdo ditë ishte më e veçantë se tjetra. Brenda një vajze po rritej një mrekulli që do t’i shtohej kësaj bote”, thotë Ismalaj.

Nëna e re shprehet se fëmija i saj është një arsye më shumë për t’u zgjuar në mëngjes. “Të jesh nënë do të thotë të dëgjosh zërin e të voglit kudo të jesh, do të thotë të duash të rrish vetëm pranë tij, do të thotë të luash me të, por edhe të rrish me netë të tëra pa gjumë e me dashuri”, tregon ajo.

Madje, e përqafuar nga emocioni i të folurit për fëmijën e saj, Ismalaj  përmbyll duke thënë se nuk pyet përse jetohet pasi ajo e di që është vetëm për të.

Përgjatë rrugës

Anisa Husi, tregon se mëmësia është një ndjesi që forcohet akoma edhe më shumë me kohën.

“Mëmësia nuk lind në momentin e parë që e merr vesh se brenda teje rreh një tjetër zemër, as në momentin e parë që e merr në krahë. Mëmësinë e mëson gjatë rrugës. Çdo ditë që fëmija rritet”, thotë ajo.

Husi bën një krahasim. Për të mëmësia është njëjtë si dita e parë e shkollës. Të shumtë janë ata që të kanë folur për të dhe për librat që do të shfletosh kur të jesh ulur në bankën e shkollës, por që nuk e kupton derisa e provon vetë atë ndjesi.

“Asgjë nuk është si më parë, çdo gjë ndryshon. Vjen fëmija i pari në radhë e pastaj vetja jote. Ai bëhet mendimi i parë kur lind agimi e i fundit përpara se të flesh gjumë”, shprehet nëna e re.

Ajo thekson se përpos gjithë të tjerave, fëmija është hallka e zinxhirit drejt lumturisë së plotë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat