A është mosha vërtet ‘thjesht një numër’, në një lidhje romantike?

Life style

A është mosha vërtet ‘thjesht një numër’, në një lidhje romantike?

Më: 12 maj 2021 Në ora: 17:23
Foto ilustrim

Mosha është vetëm një numër, apo jo? Për disa çifte, absolutisht. Megjithatë, për të tjerë, mosha është shumë më tepër se një numër

Diferenca në moshë midis partnerëve mund të krijojë shqetësime se ndoshta lidhja s’do funksionojë apo probleme lidhur me atë se si do e shohin njerëzit lidhjen e tyre. Në këto raste, diferenca është e konsiderueshme. Përmendim Katharine McPhee, bashkëshorti i së cilës (David Foster) është 35 vite më i madh, apo George Clooney-n, gruaja e të cilit është 17 vite më e re se ai.

Dëshmitë sugjerojnë se paragjykimet lidhur me moshën, vijnë më tepër nga ideja se personi më i madh në moshë po “përfiton më shumë” nga personi më i ri (Collisson & De Leon, 2018), shkruan Psychology Today.

Sipas psikologjisë evolucionare, preferencat e moshës janë të futura në “psikologjinë tonë të çiftëzimit”. Mënyra se si mendojmë për marrëdhëniet romantike është një faktor vendimtar që formon mënyrën se si i qasemi këtyre marrëdhënieve.

Psikologjia evolucionare bazohet në premisën që mendja njerëzore ka evoluar strategji adaptive për të mbështetur riprodhimin dhe mbijetesën (Buss, 2016).

Image

Përgjatë këtyre linjave, që prej brezave të hershëm, gratë përfituan duke kërkuar burra që kanë status dhe burime për të mbështetur rritjen e fëmijëve dhe gatishmërinë për ta bërë këtë. Këto tipare janë të lidhura me burra më të mëdhenj në moshë. Ndërkohë, burrat kanë evoluar një preferencë për gratë më të reja sepse rinia e tyre është një “sinjal për pjellori”.

Kjo shpjegon pse gratë preferojnë dhe priren të martohen me burra pak më të mëdhenj në moshë dhe pse burrat priren të preferojnë dhe martohen me gra pak më të reja.

Pra, lidhjet me diferencë moshe shpesh pasqyrojnë preferencat e evoluara të burrave për gratë më të reja, pjellore dhe preferencat e evoluara të grave për burrat e moshuar, me status të lartë. Në këtë aspekt, kjo diferencë moshe është edhe një prirje e fuqishme ndërkulturore.

Sidoqoftë, ky nuk është gjithnjë rasti. Ne njohim shumë çifte ku partneret gra janë ato që janë më të mëdha në moshë. Përmendim Pryanka Chopra-n, e cila është 10 vite më e madhe në moshë se bashkëshorti, Nick Jonas apo të dashurin e Madonna-s, që është 35 vite më i ri se ajo, citon Anabel.

Çuditërisht, tek çiftet në moshë të re, ku të dy partnerët janë nën 25 vjeç, gratë priren të jenë më të mëdha në moshë. Ndërsa, në grupmosha më të mëdha, ku burrat janë në të dyzetat e lart, gratë priren të jenë më të reja. – Të paktën këtë kanë treguar statistikat e lindjeve të këtyre çifteve në SHBA.

Nëse jeni në një lidhje me diferencë të madhe moshe, ka disa pyetje që mund t’ja bëni vetes:

– A është lidhje afatgjatë apo afatshkurtër?
– A ndani të njëjtat synime për jetën?
– A planifikoni të bëni fëmijë?
– A ju mbështesin familja, miqtë?

Së fundmi, duhet të kuptoni se mosha mund të mos ketë fare rëndësi në suksesin e një marrëdhënieje.

Kur dy njerëz janë të përshtatshëm për njëri-tjetrin, ndajnë të përbashkëta, kanë të njëjtin vitalitet, energji, mosha është gjëja e fundit për të menduar. Janë emocionet, mendimet dhe sjelljet e përditshme ato që përcaktojnë një lidhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat