Nga ndryshon vetja nga identiteti

Life style

Nga ndryshon vetja nga identiteti

Më: 13 qershor 2021 Në ora: 14:08
Foto ilustrim

Konceptet si “vetja” dhe “identiteti” duken të thjeshta dhe lehtësisht të kuptueshme, por ndaluni pak dhe përpiquni t’u jepni një shpjegim me disa fjalë. Gjasat janë që të ngecni disi: Vetja është identiteti? Apo identiteti është vetja? Apo asnjëra nuk është tjetra?

Atëherë, çfarë kuptojmë me “veten”?

Një fjalor psikologjik e përshkruan si: Tërësinë e individit, të përbërë nga të gjitha atributet karakteristike, të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, mendore dhe fizike.

Nocioni i “vetvetes” i referohet përvojës së një personi si një qenie e vetme, autonome, e ndarë nga të tjerët, nocion i përjetuar në vazhdimësi në kohë dhe vend. “Përvoja e vetvetes” përfshin vetëdijën për “të brendshmen” dhe “të jashtmen”/fiziken e dikujt si dhe jetën emocionale.

Po me: Identitet?

Me identitet kuptojmë cilësitë, besimet, pamjen dhe/ose shprehitë që e bëjnë një person të jetë ai që është – Këtu kemi të bëjmë me “self-identity”, pra identiteti i vetvetes. Kjo sepse, ekziston dhe ajo që psikologët socialë e quajnë “collective identity”, pra identitet kolektiv.

Pra, ja ku u shfaq dhe një ndryshim bazë mes “vetes” dhe “identitetit” – Ekzistoka një “identitet kolektiv”, por një term si “vetvete kolektive” [?] do të ishte i pakuptimtë.

Në psikologjinë njohëse, termi “identitet” " i referohet aftësisë për vetë-reflektim dhe vetëdijes/ndërgjegjësimit për veten. Identiteti ka dy karakteristika të rëndësishme: vazhdimësinë dhe kontrastin. Vazhdimësia do të thotë që “njerëzit të gjejnë tek ju sot, të njëjtin person që lanë dje”. Sigurisht, njerëzit ndryshojnë, por shumë aspekte të rëndësishme të identitetit social mbeten relativisht të qëndrueshme si gjinia, mbiemri, gjuha dhe përkatësia etnike.

Në thelb, nga ndryshon “vetja” nga “identieti”?

Në përgjithësi, “identiteti” përdoret për t'iu referuar “fytyrës” sociale të dikujt – sesi dikush percepton dhe sesi perceptohet nga të tjerët. “Vetja”, i përgjigjet më mirë pyetjeve “kush jam dhe çfarë jam”. Termi “vetja” – përfshin si aktorin që mendon (Unë jam duke menduar), ashtu edhe objektin e të menduarit (për mua). Ky aktor është në gjendje të mendojë dhe i vetëdijshëm se po mendon. “Vetja” konsiderohet uni ynë, por edhe një aftësi  konjitive (njohëse) e idesë që kemi për veten.

Zhvillimi i vetvetes dhe identitetit është para së gjithash një proces kompleks, shumëplanësh që ndërthur elemente të vetëdijshëm dhe të pavetëdijshëm. Të “njohësh veten”, në një moshë të rritur (pra, jo adoleshent) do të thotë të bësh tre gjëra:

1. Të kuptosh dhe perceptosh rolet dhe tiparet e tua në shoqëri.

2. Të ndjekësh në mënyrë idealiste qëllimet dhe planet e tua.

3. Të integrosh si duhet të kalurën, ndërsa përjeton të tashmen, me shpresën se e ardhmja do jetë ashtu si ju e vizualizoni.

Në faza të caktuara të jetës, pyetja rreth “vetes” dhe “identitetit” mund t’u shfaqet si mjegullë të gjithëve. Është njerëzore të ndiheni të humbur në rrugën drejt gjetjes së vetvetes, por mos harroni se është thjesht pjesë e procesit. Mjafton të ruani një mendësi pozitive dhe pse jo, t’i besoni një psikologu!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat