Pronësia morale dhe intelektuale mbi fëmijën

Life style

Pronësia morale dhe intelektuale mbi fëmijën

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 10:49
Foto ilustrim

Në çdo kulturë është e rëndësishme mënyra se si qasemi në ndërtimin e strukturës bazë shoqërore, atë të familjes, ku edhe përcaktohen rolet shoqërore, gjinore por edhe identitare, si dhe relacionet më të rëndësishme të tilla si, marrëdhëniet mes partnerëve, marrëdhënia mes prindërve dhe fëmijëve si dhe interaksionet e tjera familjare kur bëhet fjalë për familje me më shumë se një brez anëtarësh të cilët jetojnë bashkë.

Në këto rrethana, shumë e rëndësishme për t’u analizuar ndërmjet kulturave, është koncepti i pronësisë mbi fëmijën si dhe marrëdhënia e ndërtuar me to. Në mes gjithë arsyeve që secili ka për të ndërtuar një familje apo për të pasur fëmijë, a kemi ne të drejta legjitime mbi fëmijën të cilin shpeshherë e sjellim në jetë nga motive tejet personale? A vjen së bashku me lindjen edhe një lloj detyrimi i fëmijës ndaj nesh për të na kthyer “nderin” e faktit se pikërisht prej nesh u bë e mundur ardhja e tyre në jetë?

Ndryshe, a ka një marrëdhënie gabimisht të ndërtuar mbi baza interesi reciprok ndërmjet prindërve dhe fëmijëve? Referuar pyetjeve më lart kemi parë se në kultura të ndryshme, ballkanase, të lindjes së mesme, krahasuar me vendet perëndimore, ka një dallim të madh konceptual ndërmjet elementit moral dhe intelektual të pronësisë që ne pretendojmë mbi fëmijën.

Në vendet perëndimore fëmija vjen në jetë si një produkt tejet intelektual, ku familja shpesh është e modelit bërthamë e përbërë nga një çift partnerësh në karrierë dhe një fëmijë i cili edukohet me baza të individualizmit, por në të njëjtën kohë lihet i lirë të nisë një jetë dhe të ndërtojë një të ardhme larg nga detyrimet prindërore që me arritjen e moshës së pjekurisë. Ky model ka elementët e vet pozitivë, duke qenë së prindërit bëjnë një jetë të pavarur nga detyrimi ndaj fëmijës e po ashtu përgjithësisht e mbajnë atë larg përfitimeve ekonomike, duke zgjuar shpirtin e iniciativës dhe duke e zhveshur atë nga detyrimet morale ndaj konceptit fillestar të lindjes, por nga ana tjetër prodhon një marrëdhënie të ftohtë dhe jo emocionale në binomin prind – fëmijë.

Në vendet e Ballkanit koncepti i pronësisë mbi fëmijën është shumë i theksuar, në më të shumtën e rasteve ardhja në jetë e një fëmije kryhet për arsye të mbështetura në modelin tradicionalist të të parit fëmijës si trashëgimi, pronë dhe individin e vetëm i cili ka një detyrim për të na pleqëruar ekonomikisht dhe moralisht. Shpesh familjet e ndërtuara në këto koncepte të ngurta janë familje të cilat jetojnë me breza të tërë në një çati dhe ku interaksioni dhe përleshja mes të drejtave dhe detyrimeve është shumë e komplikuar si dhe përcaktimi i roleve gjinore, identitare dhe morale është shumë i ngurtë.

Pesha më e madhe e këtyre modeleve bie mbi rolin gjinor të gruas dhe mungesën e lirisë ekonomike dhe sociale të saj në vendimmarrje. Shpesh në vende të Lindjes së Mesme kjo marrëdhënie rregullohet nga kode morale dhe fetare, dhe nga ku fëmijët ndjekin me rigorozitet kulturën dhe traditën fisnore dhe familjare, duke u shndërruar në një pronë të mirëfilltë të po kësaj kulture detyrimi familjar. Gjithsesi, modele të tilla të orientimit të familjes dhe marrëdhënies prind-fëmijë janë të ndërtuara në solidaritetin reciprok i cili prodhon modele më të afërta mes anëtarëve të saj.

Në këtë kontekst kuptojmë se ndarjet kulturore kanë përcaktuar modele të qarta të ndërtimit të familjes, marrëdhënieve prind-fëmijë, burrë-grua si dhe rolet identitare apo gjinore. Dalja nga këto korniza shpesh konsiderohet e papranueshme apo e dënueshme nga konteksti shoqëror duke diktuar edhe marrëdhëniet e tjera shoqërore jashtë familjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat