Pse ju merr uria natën vonë dhe çfarë mund të bëni për këtë?

Life style

Pse ju merr uria natën vonë dhe çfarë mund të bëni për këtë?

Më: 6 korrik 2021 Në ora: 16:43
Foto ilustrim

Ka shumë arsye që mund të ndiheni të uritur gjatë natës, sipas ekspertëve.

"Shihni nëse keni me të vërtetë uri apo thjesht s'keni çfarë të bëni tjetër në shtëpi. Ose mbase ndonjë emocion tjetër që po ndjeni? Shumë shpesh, ky është rasti", thotë Lisa Young, mjeke. "Nëse është fiziologjike, është e mundur që nuk keni ngrënë mjaftueshëm gjatë ditës ose në darkë, veçanërisht nëse keni anashkaluar proteinat".

Hannah Brilling, nutricioniste, shton se "karbohidratet e thjeshta - që gjenden në ushqime si orizi i bardhë, patate dhe makarona - treten më shpejt, duke bërë që ne të ndihemi të uritur më shpejt sesa në rastet kur konsumojmë proteina, yndyrna dhe fibra".

Është gjithashtu e mundur që uria juaj e natës të lidhet me gjumin. Shpesh, ndjenja e urisë shkaktohet nga netët ku ju flini vonë, ose kur keni probleme me gjumin. Njerëzit, ndonjëherë, e trajtojnë pagjumësinë me ushqim.

Merrni parasysh se cila është marrëdhënia juaj me ushqimin natën: A ndjeni se duhet të hani me patjetër, përndryshe nuk shkoni dot për të fjetur? Mblidhni disa të dhëna duke vëzhguar sjelljen tuaj gjatë netëve, për të parë se çfarë po ndodh vërtet me ju.

Si mund t'i parandaloni dëshirat gjatë natës?

Filloni duke shkuar në shtrat herët dhe kini kujdes se çfarë hani për darkë.

"Duket pa kuptim, por ngrënia e tepërt - veçanërisht një vakt me karbohidrate të larta - mund të shpejtojë kohën ose të rrisë intensitetin e urisë më vonë," shprehet dr. Brilling. "Sigurohuni që vakti i fundit i ditës të përmbajë jo më shumë se 25 përqind karbohidrate dhe përpiquni të zgjidhni drithëra të papërpunuara si quinoa, thjerrëzat ose fasulet. Pjesa tjetër e pjatës është idealisht e mbushur me perime."

Nëse jeni akoma të uritur përsëri para gjumit, nuk ka problem - nuk duhet të ndiheni kurrë keq për përgjigjet e trupit tuaj.

Ne kemi uri natën sepse, përveç arsyeve të sjelljes, hormoni i urisë grelin rritet në mbrëmje. Pra, si e luftoni? E thjeshtë, nuk e luftoni. Nuk ka asgjë të keqe me ngrënien natën, për sa kohë që marrja kalorike ditore e përgjithshme është e përshtatshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat