Disa këshilla se si të freskoheni dhe të kënaqeni në temperatura tepër të larta

Life style

Disa këshilla se si të freskoheni dhe të kënaqeni në temperatura tepër të larta

Më: 1 gusht 2021 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Ngritja e shpejtë e temperaturave, përveç që na vështirëson jetën e përditshme, gjithashtu, paraqet dhe rrezik për shëndetin.

Ja disa këshilla se si të freskoheni dhe të kënaqeni në temperaturat e verës.

Dielli dhe temperaturat e larta gjatë ditës rrezikojnë veçanërisht shëndetin e të moshuarve dhe të njerëzve që mund të preken më lehtë nga sëmundjet. Sportistët ambiciozë, amatorë, madje edhe ata profesionistë janë të pambrojtur ndaj dëmtimeve të nxehtësisë. Këtu hyjnë çrregullime të përshtatjes së temperaturës (goditja nga dielli dhe nga nxehtësia), mungesë lëngjesh dhe elektrolitesh si rezultat i djersitjes së madhe (ngërçe nxehtësie nga nxehtësia) si dhe çrregullime funksionimi të kushtëzuara nga enët e gjakut në të cilat shfaqet një rënie kritike e presionit të gjakut (kolaps nxehtësie).

Edhe pse të gjithë duhet të kenë kujdes gjatë nxehtësive të mëdha, kujdesin më të madh e kërkojnë fëmijët! Fëmijët absorbojnë sasinë më të madhe të ngrohtësisë, ndërsa ekspertët theksojnë që më e rrezikshmja është të lihen fëmijët në automobil pa mbikëqyrje. Pavarësisht nga aktivitetet fizike në ujë (deti, pishinat), fëmija po ashtu duhet të pijë sasi të mjaftueshme të ujit për të mbetur i hidratuar dhe mbrojtur nga nxehtësia. Larja në det pse pishinë do të freskojë trupin tuaj, por nuk do të zëvendësojë ujin i cili është i nevojshëm për organizmin tuaj dhe çdo qelizë në trup. Le të pijë vazhdimisht ujë fëmija juaj, ndërsa po ashtu rregullisht përdorni edhe kremin për rrezitje.

Nëse dyshoni në gjendjen e lidhur me nxehtësinë apo vapën, më së miri ndërmerrni këto veprime: largoni fëmijën nga dielli dhe shkoni me të në hije, jepini ujë të ftohë, mbulojeni me peshqir të lagët, fëmija duhet të ulet në karrige ashtu që këmbët t’i ketë të ngritura mbi zemër, nëse simptomat nuk kalojnë, thërrisni ndihmën e shpejtë. Sulmi i nxehtësisë është rast urgjent, ndërsa shenja e parë është niveli i zvogëluar i vetëdijes. Nëse e vëreni këtë gjë te fëmija, thirreni menjëherë urgjencën.

Rreziku i dëmtimeve nga nxehtësia në jetën e përditshme është kryesisht për sportistët e mbimotivuar dhe të paushtruar më parë “të cilët me ambicien e tyre personale duan të shkojnë gjithmonë deri në kufi”. Veçanërisht delikatë janë të moshuarit pasi ata kanë një ndjenjë etjeje më të dobët sesa të rinjtë dhe rregullimi i temperaturës tek ata funksionon më me vështirësi. Në këtë mënyrë qarkullimi i gjakut në kushtet ekstreme të bën të ndihesh më i dobët. Po ashtu shumë të rrezikuar janë njerëz me probleme të qarkullimit të gjakut në zemër, si p.sh.: me hipertension dhe të sistemit nervor qendror, si p.sh.: epilepsi.

Edhe disa medikamente mund të rrisin rrezikun për sëmundje të nxehtësisë. Këtu hyjnë për shembull ilaçet diuretike, antihistaminikët dhe antidepresivët, të cilat ndikojnë djersitjen në kushte të caktuara. Faktorë të tjerë rreziku janë mbipesha, mbimotivimi (tek sportistët) dhe veshja e gabuar.

Të parandalosh dëmtimet e nxehtësisë

Në rast temperaturash të larta këshillohet të shmangen aktivitetet e lodhshme. Kopshtaria apo aktivitetet sportive duhet të planifikohen për në orët e para të mëngjesit dhe në mbrëmje. E rëndësishme është të pihen sa më shumë lëngje. Veçanërisht për të moshuarit vlen: pini edhe atëherë kur nuk ndjeni etje. Këshillohet gjithashtu, një ushqim që tretet lehtë dhe me përmbajtje uji si: fruta dhe perime të freskëta. Një veshje e lirshme dhe një kapele e lehtë që lejon ajrosjen pengojnë bllokimin e nxehtësisë.

Në temperatura të larta, sportistët duhet të bëjnë pushime të shpeshta për tu freskuar dhe të pakësojnë kohëzgjatjen dhe intensitetin e stërvitjes, si për shembull vetëm një gjysmë ore ecje të lirë apo vrap i ngadaltë në vend të një ore. Veshje funksionale dhe një kapele që lejon ajrosjen garantojnë një ndjenjë të këndshme lëkure.

Çrregullimet nga mungesa e lëngjeve eliminohen duke pirë lëngje në mënyrë të vazhdueshme në sasira të vogla para dhe gjatë stërvitjes- çdo dhjetë deri në pesëmbëdhjetë minuta. Ideal është uji mineral pa dyoksid karboni dhe lëngje me elektrolite. Pas stërvitjes shkoni menjëherë në hije dhe mundësisht sa më shpejt bëni një dush me ujë të vakët apo të ftohtë.

Çfarë duhet bërë në rast urgjence?

Në rastin e një goditje nga nxehtësia llogaritet çdo minutë: është i nevojshëm një freskim urgjent. I prekuri duhet sjellë menjëherë në hije, apo në një dhomë të freskët, rrobat duhen hapur dhe duhen vënë kompresa të ftohta dhe të njoma mbi kokë. Njoftoni mjekun apo urgjencën në çdo rast, pasi pacienti duhet shtruar sa më shpejt në spital.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat