Nëse asgjë nga kjo listë s'të intereson më, je zyrtarisht e rritur

Life style

Nëse asgjë nga kjo listë s'të intereson më, je zyrtarisht e rritur

Më: 15 shtator 2021 Në ora: 17:02
Ilustrim

Procesi i rritjes kërkon kohën e tij dhe gjithçka duhet të bëni ju është ta respektoni dhe të jetoni çdo fazë. E kupton që je rritur kur e gjen veten indiferente ndaj shumë gjërave, të cilat më parë ndikonin në humorin dhe madje në vendimet e tua. Mund t'i thoni vetes "zyrtarisht e rritur" nëse aprovoni listën më poshtë:

S'të intereson më moda dhe trendet e saj

Mund të vishesh kur ta do puna apo rasti, por një bluzë 5 mijë-lekëshe nuk të bën më të ndihesh më pak e mirë se një bluzë 60 mijë-lekëshe.

S'ke më asnjë interes për ish-in tënd

Kjo është më e vështira, por u shërove. Nëse arrin të shkëputesh emocionalisht nga dikush që nuk e ke fizikisht, mund të thuash me plot gojën se i ke ndjenjat e tua në dorë.

Ankthi i të qënit "sa më femërore"

Ti mund të dukesh shumë “femërore”, por s’e ndjen nevojën e të qenit përherë “me klas, e kuruar dhe elegante”.

Gabimet s'janë më gabime, por mësime

Mëson të falësh veten, por kjo s’do të thotë se përsërit të njëjtat gabime. Gabimeve u merr mësimin, jo pasojat. Gjithçka kthehet në: prish-rregullo-vazhdo.

Ironitë dhe kunjat e shoqeve s'të ndikojnë më

Çdokush meriton ta lësh në vendin e vet dhe shoqja jote kunja-xheshë s’e zgjat gjuhën më shumë se ç’e lejon ti. Jo se do të të interesonte edhe sikur t’u fliste të gjithëve keq për ty, gjithsesi. S’të hyn në punë fare se ç’bëjnë e ç’thonë të tjerët.

S'vuan më për t'u përshtatur me të tjerët

Në gjimnaz të duket se duhet të bëhesh si ata, që të rrish me ta. Pastaj kupton se të rrish me ta s’ka kurrfarë vlere për ty, përveçse të bën të ndihesh se nuk je më vetja. Me kalimin e kohës e njeh veten më mirë dhe mëson ta pranosh pa qenë e nevojshme të ndryshosh për të tjerët.

Nuk shqetësohesh më për gjëra që s’i ke në dorë

S’mund të kontrollosh gjithçka; ta kuptosh këtë është çelësi për të kanalizuar energjitë aty ku duhet, tek gjëra që i ke në dorë t’i ndryshosh. Kur je akoma adoleshente, ke prirjen t’ia vësh fajin vetes për gjithçka ndodh rreth teje. Më vonë, kupton se ca gjëra thjesht s’mund të bësh asgjë për t’i rregulluar.

S'vuan më për status

Nuk mundohesh më të tregosh se ke çantën më të shtrenjtë apo këpucët më të fundit. Për ty statusi nuk është më ajo çfarë duket, por ajo çfarë është në të vërtetë.

S’je e interesuar për marrëdhënie të sëmura

Qoftë me një shoqe, qoftë me një të dashur, s’do të kesh më të bësh më me askënd që të lodh gjatë kohës kur je me apo pa të. Njerëzit rrotull teje janë vetëm ata që të lejojnë të jesh vetja dhe respektojnë limitet e tua.

As se çfarë mendojnë të tjerët për ty

Ti e ke të qartë se kush je dhe përse është më mirë kështu se në çdo mënyrë tjetër.

S’të intereson më se je single

Më mirë vetëm, se me dikë që nuk është ashtu siç do të doje. Duke u rritur e njeh mirë veten; kështu duhet të të njohë dhe të të pranojë edhe tjetri, pa kurrfarë shtirjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat