A thua banesa juaj është vërtetë e pastër?

Life style

A thua banesa juaj është vërtetë e pastër?

Më: 1 mars 2017 Në ora: 22:04
Ilustrim

A e dini se cilat janë burimet potenciale të infektimeve shtëpiake? E vërteta mund t'ju befasojë, prandaj mësoni si të mbroheni nga rreziku.

Secila shtëpi është vendbanim natyror i parazitëve mikroskopikë, kështu që nganjëherë është shumë me rëndësi si pastrohet shtëpia dhe jo a pastrohet shpesh. Në çdo centimetër katror të hapësirës ka rreth 200.000 mikrobe, por nuk janë që të gjitha të rrezikshme për njerëzit. Vetëm një përqindje e vogël mund të shkaktojë sëmundjet, ndërsa nikoqirë të tyre më së shpeshti jemi ne, kafshët shtëpiake dhe ushqimi.

Kur ta pastrojmë shtëpinë, shpesh dhe më së shumti ndalemi në vende të gabuara, prandaj duhet mësuar ku dhe si duhet të pastrojmë. Nuk duhet harruar rregulla kryesore e higjienës dhe e shëndetit: DUART duhet pastruar sa më shpesh dhe me themel, në mënyrë që të shmangen infektimet e zorrëve, nga të cilat vuajnë një nga pesë njerëzit çdo vit.

Frigoriferi

Rrezik i mesëm! Nëse ushqimet e ziera dhe ato të njoma mbështillen pa kujdes dhe vendosen pranë njëra-tjetrës, ekziston mundësia e kontaminimit të ndërsjellë. Temperatura në frigorifer duhet të jetë nën 5 shkallë C. Ushqimi duhet të qëndrojë veç e veç,  ndërsa mishi vendoset në fund

Dërrasa për prerje

Rrezik i madh! Nëse e shfrytëzoni të njëjtën dërrasë për prerjen e perimeve dhe për prerjen e mishit, ekziston rrezik i madh nga kontaminimi i ndërsjellë. Për çdo sasi ushqimesh duhet përdorur dërrasa e veçantë. Pas çdo përdorimi, dërrasa duhet pastruar, dezinfektuar dhe tharë.

Peshqirët, leckat dhe sfungjerët

Rrezik i madh! Pëlhurat e lagështa i mbledhin dhe i përhapin bakteret! Duhet përdorur lecka të ndryshme, sfungjerë dhe peshqirë veç e veç, për punë të ndryshme.

Vaska dhe kabina e dushit

Rrezik i ulët! Nëse dushi nuk është përdorur një kohë, ndodh, ndonëse rrallë, që të shpërthejnë baktere të cilat e shkaktojnë sëmundjen legionare, një formë e ndezjes së mushkërive.

Nëse dushi nuk është përdorur për një kohë të gjatë, atëherë hapeni ujin dhe lëreni që me vrushkuj të fuqishëm të rrjedhë për një kohë, në mënyrë që mikrobet të pastrohen. Pastaj mund të bëni dush.

Rubineti, lavapjata 

Rrezik i mesëm! Nëse mishin e freskët e përgatitni për zierje në lavapjatë, e pastaj i pastroni duart, do t’i lini bakteret në rubinet. Herën tjetër, kur ta lëshoni ujin, ato baktere do t’i bartni në duar. Rubineti duhet hapur para se të punoni me mish të freskët.

Nga sipërfaqja e lavapjatës duhet pastruar yndyra me anë të sapunit dhe të ujit të nxehtë, pastaj duhet dezinfektuar dhe tharë me letër.

Lavamani dhe guaca e nevojtores

Rrezik i ulët! Shumë studime kanë treguar se në dërrasën e guacës ka më pak mikrobe se në vende të tjera përreth. Rreziku më i madh nga infektimet vjen nëse dikush nga anëtarët e shtëpisë ka barkqitje ose vjellje.

Gjithherë pas përdorimit të guacës së WC-së, duhet pastruar dhe tharë mirë duart. Mos harroni ta pastroni rregullisht dorëzën për lëshimin e ujit.

Duhet kontrolluar ventilimi, sepse ventilimi i dobët mundëson krijimin e mykut dhe të pluhurit. Lavamani duhet pastruar me sfungjer të veçantë, ndërsa guaca me tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat