Thonjtë zbukurojnë duart, hijeshojnë veshjet

Life style

Thonjtë zbukurojnë duart, hijeshojnë veshjet

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 08:57
Ilustrim

Kërkesa më e shpeshtë e klienteve femra në sallonet e bukurisë, janë pikërisht rikonstruksioni i thonjve. Duart e bukura, të cilat shtojnë hijeshinë e veshjeve, por edhe ju bëjnë të veçanta, duhet medeomos të kenë edhe thonj të kuruar mirë dhe zbukuruar me shije.

Ngjyrat

Ngjyrat e thella dhe të forta janë ato të cilat shënojnë edhe tendencat për momentin. Kështu thonjtë tuaj mund të marrin ngjyrën e purpurt të thellë, të qershisë, të vishnjës, portokallit të kuq, uthullës së errët.

Pavarësisht se në pamje të parë të japin përshtypjen e ngjyrave të cilat mund t’i rrinin për shtat dimrit, në fakt ato shkojnë edhe në pranverë. Ndërkaq akoma edhe më të preferueshme janë thuajse të gjitha nuancat e së kaltrës, duke filluar që me blunë e thellë e të zënë e deri tek gurkali apo bojëqielli i lehtë.

Të preferuara janë edhe kafja e pjekur e deri tek bezha e lehtë, apo ngjyrat e tjera, ato të çelëtat si roza e lehtë karamele, apo portokallia dhe e gjelbra e çelët.

Kombinimet

Ngjyrat mund t’i aplikoni të njëtrajtshme, por edhe me kombinime, duke qëndruar pak a shumë në të njëjtat tonalitete. Kur vendosni të përdorni ngjyrat e çelëta, i jepni vetes më tepër mundësi të kombinoni me ngjyrat edhe ndonjë dizajn, apo materiale, të cilat mund t’ia bashkëngjisni thonjve.

Manikyri magnet

Ky lloj manikyri i veçantë ka në përbërje të tij substance magnetike. Në këtë mënyrë, pasi keni aplikuar në thonjtë tuaj këtë manikyr, përmes një mjeti specifik, i cili tërhiqet nga magneti prezent në përbërjen e manikyrit, mund të krijohen dritëhije shumë të bukura e të veçanta, të cilat përmes dorës së lirë është vështirë t’i realizosh.

Manikyri që shpërthen

Është një tjetër tendencë e prezantuar, e cila pas aplikimit në thoin e gishtërinjve, krijon vetiu plasaritje, duke dhënë idenë e copëzave të shkëputura. Nuancat këtu janë të shumëllojshme dhe ju nuk keni pse të mendoheni për zbukurimin e mëtejshëm të thonjve, pasi thjesht aplikimi i këtij lloji të manikyrit, jep mundësinë edhe për zbukurim.

Manikyri xhel

Aplikimi i këtij lloji të manikyrit është i njëjtë me atë të xhelit për thonjtë, vetëm se është jo vetëm më i shëndetshëm, por edhe lehtësisht më i rinovueshëm, përmes një solucioni të veçantë. Është po aq rezistues sa edhe xheli i zakonshëm që përdoret për thonjtë.

Motivet

Këtë vit do të bëni mirë të jeni në sintoni me detin, diellin dhe tokën, jo vetëm duke përdorur ngjyrat e tri elementëve, por edhe motivet e tyre. Kështu dizajnet në formën dhe ngjyrën e një deti më dallgë, do të ishin shumë moderne. Por nuk mbeten pas edhe lulet shumëngjyrëshe, kryesisht ato me ngjyra të ndezura, apo fluturat, mollëkuqet, fjongot dhe madje edhe mbi thonj mund të aplikoni edhe dizajn në formën e vijave diagonal.

“French”, klasiku që nuk humbet

Një prej preferencave të shumta është edhe pamja “french”, ku pjesa e thoit është e bardhë ose në një ngjyrë tjetër dhe pjesa tjetër mbetet pa ngjyrë, pra e tejdukshme. Nëse kombinimi do të bëhet me të bardhën, ky model mbetet tërësisht klasik dhe preferohet më shumë nga mosha të mesme, ndërsa vajzat e reja preferojmë më tepër që pjesën e lyer ta kenë në një tjetër ngjyrë, jot ë bardhë, por kryesisht rozë, bojëqielli, kaltër, ciklamin etj., pse jo edhe duke i zbukuruar me dizajn, por vetëm në njërin prej gishtave të cilësdo dorë, për të mos qenë shumë të ngarkuar.

Forma e thonjve

Nëse më parë thonjtë në formë drejtkëndore korrën shumë sukses, këtë vit pikët maksimale shkojnë për thonjtë e rrumbullakët. Gishtërinjtë e duarve, duke i modeluar në një formë ovale, do të duken më këndshëm, megjithatë kjo preferencë jo gjithmonë është e mundur, pasi varet në një masë të konsiderueshme edhe nga forma e dorës apo gishtave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat