Fjalori i dashurisë

Life style

Fjalori i dashurisë

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 08:09
Foto ilustrim

Gjëja më e rëndësishme për ata që duhen është komunikimi. Por, pse atëherë komunikimi në dashuri sjell aq shumë mospajtime? Pse duhet të kemi shumë kujdes se si komunikojmë me të dashurin tonë?

Jeni ulur në lokalin tuaj më të dashur apo keni shkuar në ndonjë ndejë dhe përnjëherë ndiheni si njeriu më i vetmuar në botë. E pyesni veten: a thua çka është aq e rëndësishme dhe për çfarë flasin njerëzit përreth teje kështu me orë të tëra? Zakonisht përgjigjja në këtë pyetje është: asgjë. Pra, edhe kur nuk thuhet asgjë ajo, biseda është gjëja kryesore që mban lidhjen apo shoqërinë.

Mos harroni se njerëzit nuk presin momente të caktuara, të rëndësishme për të biseduar me njëri-tjetrin. Ato as që duhet të jenë të ndonjë rëndësie të madhe. Vetëm një pjesë e vogël e asaj që thuhet është e rëndësishme për transmetimin e informatave që arrihen përmes fjalëve. Pra, çdo bisedë te njeriu zgjon interesim. Rëndësia e bisedës qëndron në atë se përmes saj tregohet kujdesi që kemi për partnerin dhe, normalisht, ai për ne. Prandaj, flisni edhe atëherë kur as vetë nuk e dini se për çka jeni duke folur.

Informacioni i cili transmetohet përmes fjalëve është një lloj porosie. Ajo që gjithashtu transmetohet te personi tjetër, me rastin e transmetimit të porosisë është edhe qëndrimi ynë ndaj personit të cilit ia drejtojmë këtë porosi e kjo quhet metaporosi.

Derisa porosia shprehet me fjalë, metaporosia shprehet dhe kuptohet në bazë të ngjyrës së zërit dhe fuqisë së tij, në bazë të shprehjes së fytyrës, gjestikulimeve, mimikërisë etj. Për këtë arsye edhe reaksioni ynë në metagjuhë, respektivisht në metaporosi është më i madh se në vetë porosinë.

Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme për t’i kuptuar shkaktarët e mospajtimeve që ndodhin midis dy të dashuruarve. Kjo më së shumti vlen për ata që duhen dhe që duan që lidhja e tyre të zgjasë sa më shumë. Mirëpo, sa i përket krijimit dhe ruajtjes së një lidhjeje, kërkesat e femrave dallojnë shumë prej atyre të meshkujve.

Shumica e vajzave thonë: “Pas gjithë asaj kohe që e kemi kaluar së bashku, ti tashmë sigurisht e di se çka mendoj, kështu që nuk kam nevojë çdoherë të tregoj se çfarë dua të them”. Ndërsa meshkujt thonë: “Pas gjithë asaj kohe të kaluar së bashku do të duhej ti tregonim njëri tjetrit se çka në të vërtet dëshirojmë”.

Këto dy përgjigje të kundërta janë edhe çelësat kryesor të dallimeve në mes meshkujve dhe femrave. Në bazë të kësaj edhe komunikimi shkon kah balancimi i këtyre nevojave krejtësisht të kundërta. Në njërën anë qëndrojnë nevojat për afërsi dhe unitet sa më të madh e në anën tjetër janë nevojat për pavarësi sa më të madhe.

Edhe pse te të dyja palët, si te meshkujt ashtu edhe te femrat, paraqiten këto nevoja, te femrat dominon kërkesa për të qenë e mbrojtur ndërsa te meshkujt e kundërta – ata kërkojnë më tepër hapësirë. Kështu femrat shumë e çmojnë faktin se dikush mund t’i kuptojë ato edhe pa qenë nevoja t’ua “vizatojnë” kërkesat e tyre dhe kështu më shumë kujdes i kushtojnë metaporosisë gjatë bisedës me partnerin. Kur femrat e bëjnë këtë, meshkujve e tëra kjo u “shkon në nerva” dhe u duket shumë misterioze, këtë e quajnë “intuitë femrash” (normalisht nëse pajtohen me ato që thotë femra e tyre) ose “ekzagjerim femëror” (Atëherë kur nuk pajtohen me atë që thonë ato).

Përkundër asaj se komunikimi sjell kokëçarje, ai është i domosdoshëm për një lidhje. Pa të as lidhja nuk do të ekzistonte. Mosmarrëveshjet lindin për shkak të këtij komunikimi. Mospajtimet kryesore në mes femrave dhe meshkujve shkaktohen për shkak të disa imtësive apo keqkuptimit të asaj që thuhet dhe asaj që në të vërtetë mendohet.

Femrat shpesh lëndohen kur partneri i tyre në vend që të thotë “ne” ose “neve,’ thotë “unë” apo “mua”. Kur ai të thotë: “Unë jam për një shëtitje”, atëherë femra ndihet e padëshiruar dhe e tepërt, sepse kjo “unë” e ka përzënë atë prej shëtisë. Po ashtu, këtu është harruar edhe pyetja të cilën e dëshiron femra, çfarë është: “A dëshiron të më bashkëngjitësh në shëti?” Kjo ndodh sepse metaporosia kuptohet edhe prej asaj që nuk është thënë.

Prej një fjalie të tillë mund të rrjedhin keqkuptime dhe këto bëhen shkak i grindjeve. Kur të thuhen gjëra të tilla, atëherë është shumë vështirë që ato të kuptohen ashtu si duhet, sepse të dy palët mendojnë se kanë të drejtë dhe se partneri i tyre është duke gabuar. Kështu as që mundohen ta zbusin situatën derisa mundohen ta gjejnë fajtorin. Partnerët janë të predisponuar t’i marrin fjalët më keq se që janë thënë. Në biseda ata gjithherë mundohen të gjejnë zbrazësi duke u munduar të gjejnë shkas për fjalosje. Kjo ndodh sepse natyra e njeriut është e tillë që çdoherë don vërtetime, pra edhe të asaj se dikush na do, respekton dhe vazhdimisht mendon për ne.

Një egoizëm i tillë është i dyanshëm, por që dallon për disa nuanca, prandaj kujdesuni më shumë për atë që ia thoni të dashurit tuaj. Edhe atëherë kur doni ta kritikoni, zgjidhni fjalët më të buta e kur doni t’i tregoni se e doni, atëherë këtë përsëriteni 100 herë. Kështu do t’i ikni mundësisë së mospajtimeve dhe do të jeni më shumë të kënaqur në dashuri. Nëse ju dëshironi ta dëgjoni më shpesh fjalën “të dua”, jini të sigurt se po këtë fjalë e dëshiron edhe partneri juaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat