Filipçe: Do të kontrollohen kartonët e vaksinave, fëmijët e pavaksinuar të vaksinohen

Maqedonia

Filipçe: Do të kontrollohen kartonët e vaksinave, fëmijët e pavaksinuar të vaksinohen

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 11:30
Venko Filipçe

Epidemia e fruthit në lagjen Radishan prej të cilës janë infektuar pesë fëmijë dhe një 30-vjeçar, është e treta për këtë vit pas asaj në Dibër ku u prekën 20 persona dhe në komunën e Sarajit ku u prekën tre persona, tha sot në konferencën për shtyp ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

"Definitivisht kjo është shenjë e humbjes së imunitetit kolektiv si rezultat i përfshirjes së zvogëluar me vaksinat. Nuk guxojmë të lejojmë ky trend i përfshirjes me vaksinimin të vazhdojë, pasi paraqet rrezik serioz prej epidemisë së madhe e cila mund të ketë pasoja të mëdha për të gjithë popullatën", tha Filipçe.

Ai theksoi se në territorin e të gjithë shtetit në pikat e vaksinimit do të bëhet kontroll i kartonëve dhe në bazë të rezultateve do të zbatohet vaksinim i fëmijëve prej një deri në 13 vjeç. Ai tha se fëmijët e infektuar janë hospitalizuar, janë në gjendje shëndetësore stabile dhe nuk ka komplikime në trajtimin e tyre.

“Ndërmorëm masa të cilat kanë të bëjnë me kopshtin, në komunën e Butelit dhe territorin e gjithë shtetit tonë. Kopshti është mbyllur dhe në të është bërë dezinfektim. Të gjithë 104 fëmijët të cilët janë regjistruar në kopsht është rekomanduar të rrinë në shtëpi në periudhë prej dy javësh derisa zgjat inkubacioni. Në pikën për vaksina në Shtëpinë e Shëndetit do të kontrollohen të gjithë kartonët e vaksinave të fëmijëve dhe në bazë të të dhënave të cilat do të grumbullohen do të zbatohet vaksinimi i të gjithë fëmijëve të moshës prej gjashtë muajsh deri në 14 vjeç”, theksoi Filipçe.

Ministri tha se kanë formuar grup pune prej epidemiologëve, pediatërve, përfaqësuesve të ministrive të Punës dhe Politikës Sociale dhe për Arsim me qëllim që ta përforcojnë rregullativën lidhur me zbatimin e kontrollit të asaj cilët fëmijë gjatë regjistrimit në kopsht, shkolla dhe në fakultet kontrollohen lidhur me statusin e tyre të vaksinimit dhe si zbatohen masat të cilat kanë të bëjnë me dispozitat ndëshkuese për prindërit fëmijët e së cilëve nuk janë vaksinuar për arsye se e refuzojnë vaksinimin.

“Duhet t’i analizojmë më shumë rregullore dhe ligje, mënyrën në të cilën zbatohen dhe ta përforcojmë këtë sistem”, shtoi Filipçe.

Doktor Vlladimir Mikiq nga Instituti për Shëndet Publik i Republikës së Maqedonisë tha se fëmijëve të moshës prej gjashtë deri në 14 vjeç të cilët nuk janë vaksinuar do t’u dërgohet ftesë për vaksinim. Presim 100.000 kartonë të vaksinave të kontrollohen gjatë disa ditëve të ardhshme në territorin e Qytetit të Shkupit dhe në territorin e shtetit, që të pengohet zinxhiri i përhapjes dhe të reagohet shpejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat