Ligji për gjuhët në Maqedoni, pas ndryshimeve kushtetuese

Maqedonia

Ligji për gjuhët në Maqedoni, pas ndryshimeve kushtetuese

Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 16:45
Bujar Osmani

Pushteti në Maqedoni nuk do të presë as firmën e Presidentit, Gjorge Ivanov dhe as presidentin e ardhshëm për ta shpallur në Gazetën Zyrtare Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Këtë ligj dhe marrëveshjen e Prespës kryeparlamentari Talat Xhaferi do t’i dorëzojë në Gazetë Zyrtare menjëherë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese gjatë muajit janar.

“Nuk presim dhe nuk shpresojmë që të kemi ndonjë marrëveshje me Presidentin lidhur me Ligjin e gjuhëve. Unë mendoj që pas përfundimit të procesit të ndryshimeve kushtetuese do të vijojë edhe publikimi i marrëveshjes me Greqinë, si parakusht për të vazhduar procesin në Greqi edhe Ligji i gjuhëve. Dhe të dy këto ligje do të publikohen nga Kryetari i Kuvendit në Gazetën zyrtare, në kuadër të Kushtetutës si rezultat i mos-respektimit të Kushtetutës nga Presidenti”, tha Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Osmani shtoi se Shkupi ka besim të plotë se Qeveria aktuale greke ka shumicën e nevojshme për ta ratifikuar Marrëveshjen e Prespës dhe protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO. Pushteti në Shkup nuk e sheh të rrezikuar marrëveshjen, pavarësisht kërcënimeve të partnerit të koalicionit të Qeverisë greke, Panos Kamenos se do ta lëshojë pushtetin kur procesi të mbarojë në Shkup.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat