Ivanov: Shumica parlamentare të mbledhë forca dhe ta hedhë poshtë Marrëveshjen e Prespës

Maqedonia

Ivanov: Shumica parlamentare të mbledhë forca dhe ta hedhë poshtë Marrëveshjen e Prespës

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 16:13
Gjorge Ivanov

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, sot në fjalimin vjetor tradicional para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, kërkoi nga shumica parlamentare që të mbledhë forca dhe ta hedhë poshtë Marrëveshjen e Prespës.

“Ende shpresoj se kjo shumicë parlamentare do të mbledhë forca dhe do ta dëgjojë zërin e popullit dhe do ta hedhë poshtë marrëveshjen e Prespës dhe amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës”, tha Ivanovi nga foltorja në Kuvendin e Maqedonisë, në fjalimin në të cilën morën pjesë kryeministri Zoran Zaev, spikeri Talat Xhaferi, ministra në Qeveri, përfaqësues të pushtetit gjyqësor, të ARM-së, të bashkësive fetare dhe korit diplomatik.

Ai i kritikoi ashpër politikat e Qeverisë në lidhje me marrëveshjen me Greqinë, si dhe me ndryshimet kushtetuese.

Ai tha se Ligji për amnisti, të cilin e miratuan deputetët e shumicës parlamentare dhe i cili u dekretua nga vetë presidenti, është sjellë për të bërë presione dhe për të bërë këmbime me deputetët.

“Faljet që i bëj unë dhe faljet që i bëni ju kanë shumë dallim. Unë i fal të burgosurit që të shmanget kaosi, ndërsa ju falni për të bërë presione dhe për kompensime. E kam dekretuar Ligjin për amnisti, për shkak të patriotëve të pafajshëm të cilët kanë qenë të pranishëm më 27 prill në hapësirat e Kuvendit”, tha Ivanovi.

Ivanov u përqëndrua edhe në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, të cilin nuk e ka nënshkruar, e për të cilin tha se “është kundërkushtetues, i miratuar në Kuvend jashtë çdo procedure dhe jashtë trupave kompetente dhe se do të shkaktojë bllokadë të tërësishme të institucioneve”.

Ai ngriti edhe një çështje të rëndësishme për përgjimet në Maqedoni, ku tha se me urdhër gojor është përgjuar ai, familja e tij dhe anëtarët e kabinetit të tij.

“Kam informacione se me urdhër gojor, e përsëris me urdhër gojor, jam përgjuar unë, familja ime dhe anëtarët e kabinetit tim. Kam pasur edhe kërcënime. Politikanë të ndryshëm haptazi kanë bërë thirrje për eliminim të presidentit”, tha mes tjerash Ivanovi.

Ai foli edhe për ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë dhe akuzat ndaj tij se ai ka qenë njëri ndër organizuesit kryesor, duke thënë se nuk ka pasur asnjë plan që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme gjatë "së enjtes së përgjakshme”.

Presidenti i shtetit mes tjerash tha se politikat e qeverisë duhet të fokusohen drejt zgjidhjes së problemeve të qytetarëve, për të cilët tha se jetojnë në varfëri./MIA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat