Vit i sfidave për institucionet e Maqedonisë

Maqedonia

Vit i sfidave për institucionet e Maqedonisë

Më: 2 janar 2019 Në ora: 18:06
Ilustrim

Institucionet vendore këtë vit i pret një agjendë e ngjeshur. Menjëherë pas festave të fundvitit do të votohen amendamentet kushtetuese. Përfundimi i suksesshëm i marrëveshjes së Prespës do të hap rrugën e integrimeve të vendit në BE dhe NATO ndërsa Maqedonia do të mund të merr pjesë në seancat e NATO-s, por pa të drejtën e votës.

Në shkurt, Greqia duhet të ratifikojë protokollin për anëtarësim ndërsa më pastaj vijon procesi i ratifikimit në vendet tjera anëtare të NATO-s.

Zgjedhje për kryetar shteti është sfida e dytë e institucioneve dhe për politikën. Mbetet të shihet nëse partnerët e koalicionit do të gjejnë gjuhë të përbashkët për kandidat, e që BDI thotë se duhet të jetë konsensual.

Pas një kohe të gjatë, më në fund pritet të formohet edhe Komisioni Antikorrupsion dhe të dënohen keqpërdorimet e mundshme dhe shfrytëzimi i resurseve në fushatë parazgjedhore.

Një numër i madh i ligjeve që u miratuan në fund të vitit të kaluar, si ai për gjyqësi, media, Ligjit për shërbimet e sigurisë duhet të zbatohen në praktikë. Këtu janë edhe reformat që janë paraparë me planin 18 të qeverisë dhe që lidhen me plotësimin e kushteve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Pikërisht nga zbatimi i këtyre reformave do të varet edhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE.

Brukseli është i vendosur, përveç zbatimit të plotë të marrëveshjes së Prespës, Maqedonia duhet të ketë rezultate konkrete për reformat në gjyqësi, administratën publike, mediat, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në shërbimet e sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat