Rasti i Almirit, rikualifikimi kthen lëndën në rigjykim

Maqedonia

Rasti i Almirit, rikualifikimi kthen lëndën në rigjykim

Më: 5 janar 2019 Në ora: 21:41
Almir Aliu

Kthimi i rastit të Almir Aliut në rigjykim nënkupton vendimin dhe rikualifikimin e padrejtë të bërë nga Prokuroria Themelore dhe Gjykata Themelore në Kumanovë. Ekspertët vlerësojnë se Gjykata Apelit ka marrë për bazë pikërisht këtë fakt për të shfuqizuar vendimin e plotfuqishëm. Sipas ish gjykatësit, Sejfulla Osmani, vepra është vrasje, ndërsa paramendimi dhe motivet duhet t’i shqyrtojë gjykata në procedurën e rigjykimit.

“Ekspertiza neuro-psikiatrike është bërë nga ekspert pa licencë, që në parim do të thotë është e cunguar dhe nuk mund të merret parasysh në sjelljen e aktgjykimit. Kam ndarë mendimin që ky veprim i cili vërehet edhe nga incizimet e mara është veprim i paramenduar dhe nuk do të thotë asgjë tjetër përveç se vepër penale vrasje”, theksoi Sejfulla Osmani, ish-gjykatës.

Pavarësisht kthimit të lëndës në rigjykim, ekspertët potencojnë rrezikun e përsëritjes së padrejtësive si në vendimin e shkallës së parë. Osmani në këtë drejtim akuzon prokuroren e lëndës, Suzana Kusigerska dhe prokurorin publik, Lubomir Joveski i cili rikualifikimin e kishte mbrojtur me idenë se për çfarëdo kualifikimi tjetër, Gjykata do të obligohej të sillte vendim për ta liruar të akuzuarin.

“Ne nuk kemi problem me trupin gjykues por kemi problem me prokurorin e lëndës i cili bëri një rikualifikim të panevojshëm. Prokurori i shtetit ose do të na thotë se ai nuk e njeh mirë punën, që unë nuk e besoj, apo do të na thotë se një viktimë është irelevante dhe një i akuzuar është interes shtetëror. Prokurori do të vazhdojë si shumë të tjerë që të mbaj anën e të fortëve për çka mendoj se është një punë që duhet t’i jepet fund”, u shpreh Sejfulla Osmani.

Para vendimit të plotfuqishëm, Alsat zbuloi se ekspertiza neuro-psikiatrike për të akuzuarin Boban Iliq ishte bërë nga ekspert pa licenca dhe pa respektuar procedurat gjyqësore të parashikuara me Ligjin për ekspertiza. Ky fakt nuk i trembi Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore të cilët u distancuan duke u mbrojtur me faktin që asnjëri dhe as tjetri organ nuk mbajnë përgjegjësi për licencat e ekspertëve. Pas aktvendimit, Prokuroria Themelore e Kumanovës u ankua ndaj lartësisë së dënimit për të akuzuarin Boban Iliq i cili u dënua vetëm me 6 vite burg. Gjykata gjithashtu kishte dënuar babain e Almirit, Sedat Aliun u me 6 muaj burg, Abdulla Aliun 9 muaj burg dhe Sami Demiri 9 muaj heqje lirie, ndërsa vëllai i Boban Iliq, Bojan Iliq mbeti jashtë akuze. Vrasja e vogëlushit Almir Aliu ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në qytetin e Kumanovës, kur katërvjeçari u shtyp për vdekje nga Boban Iliq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat