Ndërmarrjet publike në Maqedoni thellojnë borxhet

Maqedonia

Ndërmarrjet publike në Maqedoni thellojnë borxhet

Më: 7 janar 2019 Në ora: 12:57
Ilustrim

Një pjesë e madhe e ndërmarrjeve publike në Maqedoni edhe gjatë vitit 2018. janë radhitur në krye të listët së borxhlinjve ndaj Drejtorisë së të Ardhurave Publike.

Në mesin e tyre janë Hekurudhat e Maqedonisë, Rrugët e Maqedonisë, Radiotelevizioni i Maqedonisë, ndërmarrjet komunale të themeluara nga njësitë e vetëqeverisjes lokale, etj.

Ndërkohë, me ndryshimet e reja ligjore të propozuara nga shumica parlamentare, të gjitha ndërmarrjet publike parashihet që të kenë edhe nga një zëvendësdrejtor.

Kjo ka nxitur reagimin e opinionit publik.

Organizatat joqeveritare kanë theksuar se në këtë mënyrë vetëm se do të bëhen shpenzime plotësuese për të kënaqur apetit e partive në pushtet, përkatësisht për të sistemuar, siç thuhet, “ushtarët partiakë”.

Nga ana tjetër ministri i Shoqërisë Informative, Damjan Mancevski, ka thënë se zëvendësdrejtorë parashihet vetëm 12 ndërmarrje publike që i ka themeluar Qeveria, të cilat me vite të tëra punojnë keq dhe kanë humbje të mëdha.

Mancevski ka bërë të ditur se Qeveria po punon në hartimin e një ligji të ri për shërbim publik, ku do të dihet konkretisht se kush çfarë punon, që sipas tij, bazament kryesor do të jetë llogaridhënia.

Përderisa ekspertët e ekonomisë problemin me thellimin e borxheve të ndërmarrjeve publike e shohin te menaxhimi i keq i ndërmarrjeve, stafi i tepërt, punësimet partiake, por edhe në moszbatimin e Ligjit për disiplinë fiskale.

Eksperti i ekonomisë, Borçe Trenovski, për Radion Evropa e Lirë thotë se në Maqedoni ekzistojnë më shumë ndërmarrje publike, të cilat aspak nuk janë të nevojshme sepse veprimtaria që ushtrojnë mund të rregullohej në një mënyrë shumë më pak të kushtueshme.

Ndërkaq nga Drejtoria e të Ardhurave Publike theksojnë se janë duke punuar që të gjendet një modalitet për krijimin e kushteve që kompanitë t’ia kthejnë borxhin njëra-tjetrës, me këtë të mundësohet qëekonomia do të shkojë përpara.

Ekspertët e ekonomisë thonë se mungesa e llogaridhënies ka bërë që të instalohet praktika e keqmenaxhimit të ndërmarrjeve publike në Maqedoni.

Alaudin Zeqiri, ekspert i ekonomisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se përderisa themelues i ndërmarrjeve publike është Qeveria dhe njësitë e vetadministrimit lokalë, kjo bën që drejtuesit e këtyre institucioneve pa u shqetësuar të krijojnë borxhe ,sepse sipas klauzolës juridike, themeluesi është i obliguar të mbulojë borxhet ose në rast se ndërmarrja shënon saldo pozitive, që shumë rrallë ndodh, e merr benifitin në fund të vitit kalendarik.

Ndërkohë për vitin 2019 është hartuar buxheti më i madh në historinë e shtetit të Maqedonisë në vlerë prej 3.9 miliardë eurosh, nga i cili një pjesë e konsiderueshme është paraparë të shpenzohet për rritjen e pagave të punonjësve që marrin rrogë nga buxheti i shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat