Baily, thirrje Maqedonisë të marrë vendimet e vështira strategjike

Maqedonia

Baily, thirrje Maqedonisë të marrë vendimet e vështira strategjike

Më: 8 janar 2019 Në ora: 06:31
Ambasador Jess Baily

Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily tha se Marrëveshja e Prespës është një mundësi historike për Maqedoninë dhe për rajonin. Në një intervistë ekskluzive për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës, ambasadori Baily u bëri thirrje udhëheqësve të vendit të marrin vendimet e vështira strategjike që kërkon realizimi i marrëveshjes.

Ndërsa Maqedonia hyn në vitin 2019, cilat janë disa nga reflektimet tuaja për zhvillimet e vitit të kaluar atje?

Kur mendoj për vitin e kaluar, gjatë të cilit pati aq shumë zhvillime historike, të gjitha mund të përmblidhen me fjalët: një udhëheqje e guximshme. Qytetarët e Maqedonisë qartazi duan anëtarësimin në NATO dhe në BE. Kryeministrat Zaev dhe Tsipras si dhe ministrat e tyre të jashtëm u morën me çështje tepër të vështira për të arritur marrëveshjen e Prespës, e cila do të heqë pengesat për anëtarësimin. Ata treguan guxim, durim, vendosmëri dhe përqendrim të rëndësishëm në zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje të gjatë.

Ne pamë gjithashtu një udhëheqje të guximshme në Parlament, kur deputetët votuan për të filluar procesin e ndryshimit të kushtetutës, duke lënë mënjanë interesat partiake në emër të të ardhmeje më të ndritur për Maqedoninë dhe qytetarët e saj. Në fund të fundit, është në dorë të udhëheqësve të zgjedhur në mënyrë demokratike në Maqedoni që të marrin vendimet e vështira strategjike që kërkon Marrëveshja e Prespës dhe të përcaktojnë kursin më të mirë për vendin. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Maqedoninë dhe me atë që qytetarët dhe udhëheqësit e Maqedonisë vendosin se është në interesin më të mirë të vendit. Ne e dimë se kompromiset në Marrëveshjen e Prespës nuk janë të lehta, por kjo është me të vërtetë një mundësi historike për Maqedoninë dhe për rajonin, që do të çojë në një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë.

Qeveria e SHBA ka demonstruar një nivel të lartë angazhimi në Maqedoni. Çfarë e motivon mbështetjen e SHBA-ve për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO?

Së pari, Shtetet e Bashkuara kanë qenë mik dhe partner i Maqedonisë që nga pavarësia e saj mbi 25 vjet më parë. Gjatë gjithë kësaj kohe, qytetarët dhe qeveria e Maqedonisë kanë mbështetur fuqimisht integrimin në institucionet euroatlantike. Është zgjedhja sovrane e Maqedonisë për t'u bashkuar me NATO-n. Ne jemi krenarë që e mbështesim këtë zgjedhje dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë sepse Maqedonia ndryshon rrjedhën e së ardhmes së saj. Ne mbështesim fuqimisht zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë dhe Greqisë. Marrëveshja do të lejojë që Maqedonia të zerë vendin që meriton në NATO dhe BE dhe do të kontribuojë në stabilitetin, sigurinë dhe begatinë rajonale.

Përveç kësaj, Zëvendës Sekretari i Shtetit John Sullivan ishte këtu disa javë më parë dhe ai na kujtoi të gjithëve se bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike këto 20 vitet e fundit. Konkurrenca dhe konflikti mes fuqive të mëdha janë kthyer në skenë, me aktorë të këqij që kërkojnë të prishin dhe destabilizojnë sistemet demokratike. Për t'i mposhtur ata, kemi nevojë për shtete të forta, me themele të forta demokratike, media të lira dhe tregje të gjalla e të hapura. Ne sinqerisht besojmë se Maqedonia, e integruar plotësisht në NATO dhe në BE, do të jetë një aleate e fortë në prosperitetin dhe sigurinë tonë kolektive.

A jeni i bindur se Maqedonia do ta zbatojë Prespën? Cili është plani rezervë nëse votimi në parlament dështon, qoftë në Maqedoni apo në Greqi?

Gjatë gjithë procesit të negociatave dhe zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, udhëheqësit në të gjithë spektrin kanë qenë të gatshëm të lënë mënjanë interesat afatshkurtra partiake për të mbështetur të ardhmen e Maqedonisë në NATO dhe BE. Udhëheqësit në Greqi dhe Maqedoni kanë thënë se kjo marrëveshje është thellësisht në interesin e tyre kombëtar; ajo do të çojë në siguri dhe begati për të dy vendet dhe për rajonin. Arritja e kësaj zgjidhjeje zgjati 25 vjet dhe unë nuk shoh ndonjë alternativë praktike në horizont. Kam besim se do të vazhdojmë të shohim udhëheqës të guximshëm që punojnë për të siguruar se Maqedonia dhe Greqia nuk do ta humbasin rastin që më në fund ta zgjidhin këtë çështje.

Shumë njerëz kritikojnë qeverinë Zaev për kompromis në emër të pajtimit dhe në emër të së ardhmes së Maqedonisë në NATO dhe në BE. Çfarë mendoni për amnistinë për shumë prej atyre të përfshirë në sulmin e 27 prillit në Parlament? A e dobëson kjo pozitën e Maqedonisë si një udhëheqëse në rajon në angazhimin e saj për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin, siç tha zëvendës sekretari Sullivan në vizitën e tij të fundit?

Mendoj se ne të gjithë pajtohemi se kriza e zgjatur politike ka qenë jashtëzakonisht përçarëse dhe ka çuar në një situatë ku ndarjet politike përcaktojnë marrëdhëniet mes njerëzve, madje në disa raste, edhe më shumë sesa dallimet etnike, fetare apo ekonomike. Udhëheqësit e Maqedonisë duhet të jenë në gjendje të punojnë së bashku për të trajtuar çështjet e vështira me të cilat ballafaqohet vendi dhe qytetarët e tij. Vendimi i Parlamentit për të miratuar një ligj për amnistinë është një vendim i rëndësishëm politik, i miratuar nëpërmjet një procesi transparent dhe demokratik që u mbështet nga një shumicë e madhe parlamentarësh. Në fund të fundit, mendoj se kjo gjykohet nga fakti nëse ligji ndërton konsensusin kombëtar të nevojshëm për të realizuar aspiratën e shumicës së qytetarëve për t'u bashkuar me NATO-n dhe BE-në, një proces që do të forcojë sundimin e ligjit në vend.

Ne besojmë se është e rëndësishme që ata që organizuan sulmet e 27 prillit të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Gjatë gjithë këtij procesi, gjyqësori duhet të mbetet i pavarur nga ndikimi politik dhe i lirë të vendosë për këto raste në bazë të fakteve dhe ligjit. Siç tha kohët e fundit Kryeprokurori Publik Joveski, kjo është pikërisht ajo që po bëjnë gjyqtarët dhe prokurorët, zbatimi i ligjit.

A e kërcënon amnistia dhe ndryshimet në kodin penal kualifikimin e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE?

Procesi i pranimit në NATO po ecën mirë. Zyrtarët e NATO-s dhe Qeveria e Maqedonisë kanë përgatitur protokollet e pranimit dhe sapo Marrëveshja e Prespës të zbatohet plotësisht, ato do të finalizohen. Më 6 dhjetor, Maqedonia i paraqiti zotimet e saj për sundimin e ligjit tek aleatët në shtojcën e reformave që do të shoqërojnë protokollet e saj të pranimit në NATO. Këto përfshijnë përpjekjet për të rritur pavarësinë e gjyqësorit, për të mbajtur zyrtarët përgjegjës për korrupsionin dhe keqpërdorimin e pushtetit dhe për të reformuar sektorin e inteligjencës. Pasi të 29 aleatë të kenë ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit, Maqedonia do të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s.

Si do të vazhdojë SHBA-ja të mbështesë axhendën e reformave në Maqedoni? Cilat duhet të jenë fushat kryesore të përqendrimit për qeverinë Zaev në përpjekjet e saj për reforma?

Në bisedat e mia të shumta me qytetarët, një gjë është shumë e qartë: njerëzit duan që Maqedonia të jetë një vend i begatë, një vend ku njerëzit e mençur dhe të zellshëm të mund të ndërtojnë një të ardhme të ndritur, pavarësisht prej nga vijnë apo cilin njohin. Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të rrisë stabilitetin dhe sigurinë dhe kjo do të çojë në rritje ekonomike. Bizneset dhe investitorët, vendas dhe të huaj, do të jenë më të sigurt për të vepruar në vend.

Por Maqedonia duhet të punojë gjithashtu për të ndërtuar institucionet e forta që nevojiten për të arritur begatinë afatgjatë. Qytetarët duhet të kërkojnë llogaridhënie dhe transparencë nga institucionet. Kjo nuk është thjesht një çështje e ligjeve dhe rregulloreve, por ndryshim i sjelljes, duke ndryshuar "mënyrën se si funksionojnë gjërat", në mënyrë që ligjet të funksionojnë siç duhet, që të shpërblehet merita dhe jo besnikëria ndaj eprorëve dhe që inovacioni të lulëzojë e jo status quo-ja. Kjo nuk është e lehtë dhe do të kërkojë udhëheqje të guximshme dhe vizion të guximshëm nga të gjitha palët. SHBA është e angazhuar për partneritetin tonë me Maqedoninë dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me Maqedoninë në mbështetje të vendosmërisë suaj sovrane për një të ardhme të sigurt dhe të begatë në familjen perëndimore të kombeve, duke përqafuar plotësisht vlerat demokratike dhe përgjegjësitë e përbashkëta të aleancës dhe institucioneve tona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat