Bailey: Kompromiset në Marrëveshjen e Prespës nuk janë të lehta, por kjo është mundësi historike

Maqedonia

Bailey: Kompromiset në Marrëveshjen e Prespës nuk janë të lehta, por kjo është mundësi historike

Më: 8 janar 2019 Në ora: 12:21
Bailey

Pas vitit të udhëheqësisë së guximshme pasojnë vendime të rënda strategjike të cilat Marrëveshja e Prespës kërkon nga liderët e zgjedhur demokratikë që ta përcaktojnë kursin më të mirë për vendin. SHBA-të e mbështesin Maqedoninë dhe atë që qytetarët dhe liderët do të vendosin se është në interes më të mirë për vendin. Ne e dimë se kompromiset në Marrëveshjen e Prespës nuk janë të lehta, por kjo me të vërtetë është mundësi historike për Maqedoninë dhe për rajonin, që do të japë të ardhme më të sigurt dhe më prosperuese, deklaroi ambasadori amerikan në Shkup, Jess Bailey në intervistën e Vitit të Ri për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase.

I pyetur se çka e motivon mbështetjen e SHBA-ve për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, Bailey thotë se Shtetet e Bashkuara janë mike dhe partnere të Maqedonisë që nga pavarësia e saj prej më shumë se 25 viteve, ndërsa integrimi në institucionet euro-atlantike është zgjedhje sovrane e vendit.

“Ne jemi krenarë që e mbështesim këtë zgjedhje dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë derisa Maqedonia e ndryshon kursin e të ardhmes së saj. Fuqishëm e mbështesim zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës. Marrëveshja do t’i mundësojë Maqedonisë që ta marrë vendin e merituar në NATO dhe BE dhe do të kontribuojë për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin rajonal. Përveç kësaj, zëvendës-sekretari shtetëror, Xhon Salivan, ishte në Maqedoni para disa javëve dhe na përkujtoi të gjithëve se bota në mënyrë dramatike ka ndryshuar në 20 vitet e kaluara.  Gara dhe konflikti mes forcave të mëdha u kthyen në skenën kryesore, me aktorë të këqij të cilët dëshirojnë ta dëmtojnë dhe destabilizojnë sistemin demokratik. Që t’i mundim, na nevojiten shtete të fuqishme, me themele të forta demokratike, mediume të lira dhe tregje të hapura. Sinqerisht besojmë se Maqedonia, tërësisht e integruar në  NATO dhe BE, do të jetë aleat i fuqishëm në prosperitetin tonë të përbashkët dhe sigurinë tonë të përbashkët”, tha Bailey.

I pyetur se a ka plan B në rast se votimi në Parlament dështon, qoftë në Maqedoni ose në Greqi, diplomati amerikan thotë se nuk sheh alternativë të realizueshme dhe se është optimist se liderët edhe në Maqedoni edhe në Greqi nuk do ta humbin mundësinë për zgjidhjen përfundimtare të kontestit tridhjetëvjeçar për emrin.

“Gjatë gjithë procesit të bisedimeve, por edhe tani, gjatë zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, liderët e gjithë spektrit politik janë të gatshëm që t’i lënë mënjanë interesat afatshkurta partiake dhe ta mbështesin të ardhmen e Maqedonisë në NATO dhe BE. Liderët në Maqedoni dhe Greqi thonë se kjo Marrëveshje është me interes kombëtar thelbësor të tyre, ajo do të sjellë siguri dhe prosperitet, në të dyja vendet por edhe në rajon. Që të arrihet deri në këtë zgjidhje ishin të nevojshme 25 vite dhe unë nuk shoh ndonjë alternativë tjetër. Jam i sigurt se edhe më tutje do të shohim se si liderët e guximshëm punojnë që ta sigurohen se Maqedonia dhe Greqia nuk do ta humbnin mundësinë  që përfundimisht të zgjidhet kjo çështje”, thekson ambasadori amerikan.

Për amnistinë për shumicën e atyre të cilët ishin të involvuar në sulmin në Kuvend më 27 prill, Bailey vlerëson se ai ishte vendim i rëndësishëm politik, vlera e të cilit do të konstatohet sipas asaj nëse do të ndërtohet konsensus nacional, i nevojshëm për t’u realizuar dëshira e shumicës së qytetarëve për anëtarësim në NATO dhe BE.

“Mendoj se të gjithë do të pajtohemi se kriza e vazhduar politike krijoi përçarje të madhe dhe çoi drejt situatës ku ndarjet politike i përcaktonin marrëdhëniet mes njerëzve, ndërkaq në disa raste madje edhe më shumë se dallimet etnike, fetare dhe ekonomike. Liderët në Maqedoni duhet të mund të punojnë së bashku në mënyrë që të përballen me çështjet e rënda me të cilat po përballen vendi dhe qytetarët. Vendimi i Kuvendit për të miratuar Ligj për amnisti është vendim i rëndësishëm politik, i miratuar përmes një procesi transparent dhe demokratik, që ishte mbështetur nga shumica e madhe e deputetëve. Në fund, mendoj se ai do të vlerësohet sipas asaj nëse ka arritur të ndërtojë konsensus nacional të nevojshëm për t’u realizuar dëshira e shumicës së qytetarëve për anëtarësim në NATO dhe BE, proces që do ta përforcojë sundimin e së drejtës në vend”, thekson Bailey.

Ai shton se është me rëndësi që ata të cilët i organizuan sulmet më 27 prill të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, ndërsa gjatë tërë këtij procesi, gjyqësia duhet të mbetet e pavarur nga ndikimet politike dhe të vendosë lirshëm për këto raste në bazë të fakteve dhe ligjeve.

Procesi i inkuadrimit në NATO, thotë Bailey, tashmë është në rrjedhë. Përfaqësuesit e NATO-s dhe të Qeverisë së Maqedonisë i përgatitën protokollet për inkuadrim dhe sapo Marrëveshja e Prespës të implementohet tërësisht, ato do të finalizohen, ndërsa vazhdimi i reformave do të jetë pjesë e atyre protokolleve.
“Këtu hyjnë përpjekjet për përforcim të pavarësisë gjyqësore, përgjegjësia e funksionarëve për korrupsion dhe keqpërdorim të autorizimeve, si dhe reforma në sektorin e zbulimit. Sapo të 29 aleatët ta ratifikojnë Protokollin për inkuadrim, Maqedonia do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s”, thekson Bailey./VOA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat