Ndryshimet kushtetuese, vazhdojnë koordinimet Zaev – Kasami, seanca është shtyrë për më vonë

Maqedonia

Ndryshimet kushtetuese, vazhdojnë koordinimet Zaev – Kasami, seanca është shtyrë për më vonë

Më: 10 janar 2019 Në ora: 13:33
Kuvendi i Maqedonisë

13.00 – Edhe pse u paralajmërua të fillojë në ora 13, seanca është shtyrë për në ora 15. Ende nuk ka marrëveshje mes LSDM-së dhe krahut të BESA-s së Bilall Kasamit.

LSDM-ja nuk ka qëndrim të qartë nëse kërkesa e Lëvizjes BESA me kryetar Bilall Kasamin, për nënshtetësi e rrezikon identitetin maqedonas.

“Atë që e kemi deklaruar dhe që e tha edhe sot kryeministri Zoran Zaev, në atë qëndrojmë”, kjo ishte përgjigja e zëdhënësit dhe deputetit të LSDM-së, Kostadin Kostadinov, në konferencën e tij për shtyp, nëse kërkesat e Lëvizjes BESA e rrezikojnë identitetin maqedonas.

Ndonëse, dy herë iu parashtrua pyetje në lidhje me këtë çështje, Kostadinov nuk u përgjigj në mënyrë direkte me “po” ose “jo”, por vetëm se “ngelemi në qëndrimin tonë që e kemi deklaruar”.

Nga ana tjetër, lëvizjet pro-ruse “Tvrdokorni” dhe “Maqedonia Bllokon” edhe sot janë duke protestuar para Kuvendit të Maqedonisë, kundër ndryshimeve kushtetuese.

***

Në ora 13:00, do fillojë vazhdimi i seancës së 75-të të Kuvendit të Maqedonisë, në të cilën do të zhvillohet diskutimi për fazën e fundit të ndryshimeve kushtetuese të paraparë me Marrëveshjen e Prespës, së nënshkruar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.

Shumica parlamentare ende nuk i ka siguruar 80 vota, pasi që deputetët e Lëvizjes BESA e kanë kushtëzuar votën “për” me amendamente që kanë të bëjnë me “çështjen shqiptare” – për të cilat janë duke u realizuar takime koordinuese me grup ekspertësh për të shqyrtuar mundësitë e përfshirjes së tyre në pakon e ndryshimeve kushtetuese.

Përndryshe, dje kryeministri Zoran Zaev duke i prezantuar argumentet pse duhet të votohet për ndryshimet kushetuese, i falënderoi të gjithë që kanë dhënë kontribut dhe tha se me Lëvizjen Besa ende nuk janë marrë vesh por që pret marrëveshje.
 

Rendi i ditës ka katër pika:

1. Përcaktim i Propozim-amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
2. Miratim i amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
3. Shpallja e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;
4. Propozim-ligj Kushtetues për zbatimin e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë;

Secili amendament përcaktohet  me shumicë të thjeshtë (61 deputet), më pas hapet diskutimi i përgjithshëm për to. (PIKA 1)

Pastaj, hapet diskutim për secilin amandament në veçanti dhe votohet për secilin amandament me shumicën e dy të tretave (80 vota). (PIKA 2)

Më pas, votohet me shumicën e dy të tretave (80 vota) për të gjithë amandamentet së bashku. (PIKA 3)

Ndërsa në fund hapet Ligji Kushtetues për zbatimin e amendamenteve për miratimin e së cilit duhet gjithashtu shumica e dy të tretave (80 vota). (PIKA 4)

Ndryshe, kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi kohë më parë paralajmëroi se pret që debati për ndryshimet kushtetuese të përfundojë më herët se 15 janari, kur është edhe data e fundit për miratim.

Në seancë nuk do të marrin pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët të shoqëruar nga lideri i partisë, Hristijan Mickoski, dje u janë bashkuar protestës që nisi dje para Kuvendit të Maqedonisë, si formë për të shprehur pakënaqësinë ndaj procesit të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës.

Kalkulime për sigurimin e 2/3 të votave

Mes kryeministri të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe liderëve të dy partive shqiptare opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA janë duke u zhvilluar konsultime, pasi që të njëjtit kanë kushtëzuar votën “për” me kërkesa që lidhen me “çështje shqiptare”.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev është deklaruar optimist për 80 votat e nevojshme për miratim të ndryshimeve kushtetuese, pasi që dje i njëjti ka realizuar takim me liderin e ASH-së, Ziadin Sela, në të cilën u morën vesh për ndryshime shtesë në Preambulë.

Përveç takimit Zaev – Sela, është realizuar edhe takim ndërmjet grupit punues të lëvizjes BESA të udhëhequr nga deputeti, Fadil Zendeli dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov për të shqyrtuar çështjen “e shtetësisë” në ndryshimet kushtetuese.

Zaev dhe Dimitrov janë shprehur të gatshëm të pranojnë kërkesën e Besës që shteťësia në dokumentet personale në gjuhën shqipe të shkruhet vetëm si “qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” ndërsa në gjuhën maqedonase, shtetësia të mbetet “maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” ashtu siç propozon Qeveria. Propozimin e Besës Zaev pritet ta diskutojë edhe me 8 deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat