ASH: Po ikin të gjithë kriminelët por jo edhe kujtesa e shqiptarëve

Maqedonia

ASH: Po ikin të gjithë kriminelët por jo edhe kujtesa e shqiptarëve

Më: 16 janar 2019 Në ora: 16:49
ASH

Nga partia opozitare Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar ndaj njoftimeve për arratisjen e Nikolla Vojminovskit, i cili akuzohet për sulm ndaj liderit të kësaj partie Ziadin Sela.

“Se Maqedonia po bëhet vendi i çudirave dhe aty ka gjithçka përveç drejtësisë dhe shtetit ligjor, flet edhe ikja e njërit nga sulmuesit e liderit të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Selës, i dënuari me 13 vite burg për tentim vrasje Nikolla Vojminovski”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga atje thonë se Nikolla Vojminovski edhe pse i dënuar për veprën e rënde penale është lejuar të qëndrojë në paraburgim shtëpiak gjoja për arsye shëndetësore dhe në këtë mënyrë institucionet e shtetit dhe MPB po dorëzohen përballë kriminelëve dhe të korruptuarve!

“Këto ikje të koordinuara dhe të ndihmuara nga pushteti LSDM-BDI me ndihmën e MPB dhe Gjykatave të politizuara, pas Ligjit të Amnistisë dhe ikjes së Gruevskit, po vrasin edhe shpresën e fundit se në Maqedoni se mund të kthehet ndonjëherë drejtësia dhe se krimi në Maqedoni jo që nuk sanksionohet por shpesh herë po inkurajohet madje edhe po shpërblehet.

Arsyetimet boshe te udhëheqësve shtetëror që shpesh herë mundohen ta bartin përgjegjësinë herë të Gjykatat e herë të Prokuroria apo të Ministria e Brendshme, janë bërë refreni i përditshëm i Qeverisë LSDM-BDI dhe janë të pajustifikueshme për qytetarët dhe për Aleancën për Shqiptarët. Ky pushtet i cili lejon ikjen e një krimineli të dënuar me 13 vite burg, për tentim vrasje nuk mund ta mbrojë lirinë e askujt tjetër, sepse krimi dhe korrupsioni ka metastazuar thellë në mentalitetin politik të të gjitha qeverive duke përfshirë edhe këtë të fundit.

Ikja e fundit e Nikolla Vojminovksit, amnistia e te dënuarve tjerë për 27 Prillin, tregon se burgjet na qenkan të ndërtuar vetëm për shqiptarë dhe të dënuarit maqedonas o duhet të ikin o duhet të amnistohen sepse kështu e kërkon tradita e përhershme e sistemit të drejtësisë në Maqedoni, me standarde të dyfishta, një për maqedonasit dhe tjetër për shqiptarët”, thuhet në deklaratën e Aleancës për Shqiptarët.

Nga atje i bëjnë thirrje Qeverisë së RM-së, Ministrisë së Punëve të brendshme, Gjykatave dhe Prokurorisë, të bëjnë punën e tyre sipas ligjit, të sanksionojnë shkelësit e veprave penale, sepse në të kundërtën do të cilësohen si bashkëpunëtor të krimit dhe do të mbajnë përgjegjësi morale dhe penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat