Pse ka frikë nga zyrtarizmi i gjuhës shqipe në Maqedoni?

Maqedonia

Pse ka frikë nga zyrtarizmi i gjuhës shqipe në Maqedoni?

Më: 16 janar 2019 Në ora: 18:32
Foto ilustrim

Shqetësimet dhe frika e shprehur nga zyrtarizmi i gjuhës shqipe në opinionin maqedonas, sipas analistëve rrënjët i ka tek opinioni i krijuar se shqiptarët nuk do të ndalojnë me kërkesat për avancimin e statusit të tyre në Maqedoni.

Ndërsa analistët shqiptarë fajin e hedhin tek elitat politike të cilat, sipas tyre, në vazhdimësi përmes tensioneve etnike kanë siguruar rehatinë gjatë qeverisjes së pushtetit, duke mos u angazhuar në zgjidhjen e problemeve reale me të cilat përballet vendi, siç është mirëqenia sociale.

Megjithëse, analistët politikë, qofshin ata maqedonas apo shqiptarë pajtohen se integrimi i Maqedonisë në strukturat Veri-Atlantike (NATO) do të shmang retorikat nacionaliste.

Aleksandar Kërzhallovski, i cili drejton Qendrën Maqedonase për Bashkëpunim Ndëretnik, e cila ka realizuar dhe një hulumtim sa i përket opinionit publik rreth zyrtarizmit të gjuhës shqipe, thotë se frika e maqedonasve burimin e ka tek krijimi i opinionit se kërkesat e shqiptarëve s'kanë të ndalur.

Kjo për faktin se disa herë nga politikanët është theksuar se Marrëveshja e Ohrit është mbyllur, pasi është realizuar në tërësi, ndërkohë që paraqiten kërkesa të reja.

“Mund të gjendej një zgjidhje më adekuate nëse do të kishim një debat gjithëpërfshirës sa i përket Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pra problemi është se për këtë çështje nuk u arrit konsensus. Thjesht kishim një pazar politik dhe në opinion tek pala maqedonase lufta u zhvillua kush ka dëmtuar interesat shtetërore në funksion të lëshimit pe për kërkesat e shqiptarëve”, thotë Kërzhallovski.

Por, Arsim Sinani nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike, thotë se frika e shprehur nga maqedonasit sa i përket zyrtarizmit të gjuhës shqipe buron nga frika e faktorizimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

“Është doktrinë e vjetër serbe që gjuhën shqipe e sheh si rrezik, e që është një fiksim doktrinar i ndërtuar për ta ushqyer nacionalizmin maqedonas. Maqedonasit nuk e kuptojnë se gjuha shqipe dhe faktori shqiptar e stabilizojnë vendin”, thotë Sinani.

Ndërkaq, Mirjana Malevska, ligjëruese e shkencave sociale në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë thotë se gjithmonë do të jetë e pranishme frika tek pala maqedonase, sa herë që realizohet ndonjë kërkesë e shqiptarëve, përderisa në opinion gjallërojnë skenarët e promovuar nga qarqe të ndryshme për ndryshimin e kufijve dhe formimin e një “Shqipërie të madhe” .

Një garanci për stabilitet të qëndrueshëm për Maqedoninë si shtet, thekson Malevska, paraqet anëtarësimi në NATO.

“Është me shumë rëndësi që një bashkësi etnike e cila është e përfaqësuar me një numër të konsiderueshëm, siç është bashkësia etnike shqiptare, të shpreh lojalitetin e saj ndaj shtetit dhe gjithsesi ju jeni më lojal nëse institucionet u drejtohen me gjuhën që e flisni. Me anëtarësimin në aleancën Veri-Atlantike kjo do të shihet si vlerë sepse atëherë maqedonasit nuk do të ndjehen të rrezikuar se do ta humbasin shtetin”, thotë Malevska.

Ndryshe parashihet që në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve përmes së cilit zgjerohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, të gjitha institucionet të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e tij. Në të kundërtën, do të pasojnë gjobat përkatëse, të cilat do t’i shqiptojë Inspektorati për përdorimin e gjuhëve./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat