Zhbogar: Mbetem optimist për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Prespës

Maqedonia

Zhbogar: Mbetem optimist për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Prespës

Më: 20 janar 2019 Në ora: 12:27
Samuel Zhbogar

Euroambasadori Samuel Zhbogar në intervistë për “Radio Evropa e Lirë” tha se “për t’u arritur marrëveshja e Prespës ishte e nevojshme vendosmëria, përkushtimi dhe lidershipi i të dyja palëve. Dhe këtë e pamë me nënshkrimin e marrëveshjes, përmes procesit të ratifikimit në Kuvend, ndërsa unë jam optimist se të njëjtën do ta shohim në Kuvendin e Greqisë së shpejti. Mbetem optimist dhe shoh përkushtim te të dyja palët që plotësisht ta zbatojnë marrëveshjen.

Sipas tij marrëveshja e Prespës ishte arritje e madhe, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ishte proces i vështirë dhe i dhimbshëm, por liderët tonë në Evropë, vendet anëtare në BE e njohën këtë. Ata e çmojnë marrëveshjen që ka domethënie për dy vendet dhe rajonin. Ata i lavdëruan liderët e dy vendeve për këtë marrëveshje dhe jam i sigurt se do ta kenë parasysh kur në qershor do të vendosin për hapjen e bisedimeve”, thekson Zhbogar.

Në intervistë Zhbogar thekson se mendon në mënyrë optimiste dhe në vendime pozitive.

“Nuk mendoj se duhet të mendojmë për skenarë negativ, por duhet ta përqendrojmë gjithë energjinë te reformat. E dini se për t’u arritur marrëveshja e Prespës, të ratifikohet, të ndryshohet Kushtetuta, kërkon shumë përkushtim, fuqi dhe shumë besim. Vetëm duhet ta shfrytëzoni të njëjtin në zbatimin e reformave. Nëse e shohim të njëjtin përkushtim te reformat, nuk mendoj se duhet të brengoseni se çfarë do të ndodhë në qershor”, potencon euroambasadroi Zhbogar.

Në lidhje me reformat në gjyqësi ai thotë se tani duhet të shihen ndryshimet e vërteta në gjyqësi.

“Ndryshimet e vërteta do të ishin gjyqësi plotësisht e pavarur, të mos ndikohet nga politika, profesionale, efikase, gjyqësi e sinqertë ku ka besimin e qytetarëve, dhe kjo duhet të arrihet, të punohet në proces, por me përkushtim dhe vendosmërinë e politikanëve dhe vetë gjyqësisë”, shton ai.

I pyetur rreth Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Zhbogar tha se Kushtetuta dhe ligjet janë shumë të qarta në kuptimin e kompetencave të autoriteteve lidhur me miratimin, publikimin dhe shpalljen e ligjeve.

“Ne s’duhet të vlerësojmë. mendoj se Gjykata Kushtetuese është e vetmja që mund të vlerësojë si zbatohet Kushtetuta apo nëse zbatohet siç duhet”, tha ambasadori evropian, Zhbogar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat