Arratia e Gruevskit, nesër pamjet nga Shqipëria

Maqedonia

Arratia e Gruevskit, nesër pamjet nga Shqipëria

Më: 24 janar 2019 Në ora: 22:51
Gruevski

Pa pranuar të tregojë detaje, Prokurori Publik Lubomir Joveski për TV21 tha se deri më tani kanë arritur të mbledhin disa të dhëna, por ende po i presin incizimet nga kamerat e sigurisë të pikë-kalimeve kufitare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.

“Unë pres që kjo pjesë e ndihmës juridike ndërkombëtare, përkatësisht dorëzimi i incizimeve do të bëhet sot ose nesër, sepse dy personat tanë zyrtarë gjenden atje që t’i marrin këto materiale”, tha Lubomir Joveski, Prokuror publik.

Deri më tani për arratinë e Gruevskit janë dëgjuar rreth 20 dëshmitarë, ndërsa pritet që në pyetje të merren dhe 4 të tjerë.

Pyetjes nëse ka indicie se ndonjë person zyrtar e ka ndihmuar ose jo Gruevskin gjatë arratisë, Joveski tha se në këtë fazë parahetimore është delikate për të folur për këtë.

E deri sa nuk mbaron hetimi, Prokuroria nuk do të japë detaje.

E këto detaje po i pret edhe Qeveria, nga ku gjithashtu deklarojnë se vetëm pas raportit të prokurorisë do të shihet se kush do të mbajë përgjegjësi për arratinë e ish-kryeministrit.

Përpara arratisë së Gruevskit, drejtësisë së Maqedonisë i kanë ikur edhe Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski.

Madje tani së fundmi u arratis edhe Nikolla Vojminovski, i dënuar me 13 vjet burg për shkak të dhunës së ushtruar ndaj deputetit Ziadin Sela më 27 prill.

A vjen kjo nga keqfunksionimi i gjyqësorit dhe masave të kujdesit ndaj të dyshuarve?

Joveski me përgjigje: “Në këtë pjesë ndoshta duhet të rishikohen këto çështje në aspekt të ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjeve. Kemi pasur vendim në ligjin për procedurë penale që kur shqiptohet dënim mbi 5 vjet, paraburgimi të jetë i detyrueshëm, por pas shqyrtimit ky vendim u hoq dhe unë nuk jam për një vendim të tillë, ndërsa kjo duhet të vendoset sipas rrethanave, t’i lihet prokurorit publik që e propozon masën dhe gjykatësit”.

Sa i përket amnistisë së dhënë për disa të përfshirë në ngjarjet e 27 prillit, Prokurori Joveski tha se e kanë zbatuar atë që parashikonte ligji i miratuar në Kuvend.

Po të varej nga Joveski, ligji për amnisti nuk do të sillej, ndonëse të njëjtin nuk e konsideron përzierje të politikës në gjyqësor.

“Por kjo ndjesi e imja bazohet në funksionin që unë e kryej, kurse motivet, bazat dhe pikëpamjet në sjelljen e ligjit janë të deputetëve dhe sigurisht kanë pasur arsye se pse vendosën ta sjellin ligjin për amnisti”, tha Lubomir Joveski, Prokuror publik.

Joveski thotë se komunikon me politikanë dhe qeveritarë, por vetëm për sigurimin e kushteve për funksionimin e prokurorisë, ndërsa siç pohon, jo që ata të ndikojnë në vendimet dhe veprimet e prokurorisë në lëndë konkrete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat