Kacin: Sllovenia së shpejti do ta ratifikojë protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO

Maqedonia

Kacin: Sllovenia së shpejti do ta ratifikojë protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO

Më: 25 janar 2019 Në ora: 22:05
Foto ilustrim

Ambasadori slloven në NATO, Jelko Kacin, tha se pas ratifikimit të marrëveshjes së Prespës në Greqi, Maqedonia mund të bëhet anëtare e NATO-s në më pak se një vit, njofton korrespondenti i AIM-së nga Brukseli.

Kacin për media tha se nëse gjithçka shkon ashtu siç dëshirojnë të gjithë, “flamuri i Maqedonisë mund të valëvitet përpara selisë së NATO-s kah fundi i këtij viti, më së voni në fillim të vitit 2020”

Maqedonia do të bëhet anëtare e Aleancës “de fakto së shpejti, por de jure pasi të gjithë aleatët të ratifikojnë protokollin e pranimit”.

“Ne jemi të gatshëm dhe kam leje nga qeveria sllovene për të nënshkruar protokollin e pranimit”, tha Kacin.

Ambasadorët e shteteve anëtare të NATO-s duhet të marrin dritën e gjelbër për miratimin e protokollit të pranimit në dhjetë ditët e ardhshme, pas së cilës Maqedonisë do t’i lejohet të marrë pjesë në të gjitha formatet kryesore të Aleancës si vëzhguese. Sapo të ratifikohet protokolli i pranimit nga të gjitha vendet, Maqedonia do të bëhet anëtare e plotë e NATO-s.

Sipas diplomatëve në NATO, të martën e ardhshme, Maqedonia mund të përfshihet në agjendën e Këshillit të Atlantikut të Veriut ose NAC.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat