Avokati Arsllani komenton padinë ndaj tij: PSP nuk ka treguar asnjë dëshmi në gjykatë

Maqedonia

Avokati Arsllani komenton padinë ndaj tij: PSP nuk ka treguar asnjë dëshmi në gjykatë

Më: 28 janar 2019 Në ora: 14:31
Mefail Arsllani

Mefail Arsllani, avokati i cili e përfaqëson deputetin e BDI-së Ejup Alimi, në rastin e PSP-së “Titanik 3” për parregullsi zgjedhore, ka reaguar pasi është paditur nga prokurori i PSP-së, Gavrill Bubevski.

Ai thotë se prokurorët e PSP-së pasi në seancë nuk treguan asnjë dëshmi mbi të cilat kanë ngritur aktakuzën, tani mundohen që hesapet me të t’i qërojnë jashtë gjykatave.

“Nuk lejojnë ta kryejmë punën në mënyrë profesonale. Arena jonë është në gjykatë me argumente juridike në lëndë. Në rastin që ata e përmendin nuk kanë asnjë argument dhe papritur doli diçka e paqartë. Nëse siç thonë ata, kërcënimet janë bërë vitin e kaluar, pse atëherë i tregojnë tani. Nuk e di nëse dëshirojnë të viktimizohen dhe të bëjnë presion mbi gjykatën”, tha Arsllani.

Ai shtoi se nuk ka drejtuar asnjë kërcënim në drejtim të Bubevskit.

“Së pari thanë se kërcënimet kanë qenë në gjykatë, më pas në korridoret e gjykatës dhe në fund dolën tek QT “Mavrovasja”. Nëse e kam kërcënuar, dihet se si veprohet: thirret policia dhe bëhet procesverbali. Është dashur të denoncohet kjo, prej atëherë deri tani kemi pasur shumë seanca, askush nuk ka përmendur diçka të tillë”, tha Arsllani.

Ndryshe, prokurori i PSP-së Gavrill Bubevski sot në Prokurorinë Themelore dorëzoi padi penale ndaj avokatit Arsllani, duke thënë se e ka kërcënuar.

Arsllani është avokati i deputetit të BDI-së Ejup Alimi, të cilin e përfaqëson në rastin “Titanik 3” ku ai është i akuzuar për mashtrime zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Ejup Alimi dhe Ismet Guri i BDI-së, dyshohen nga PSP se si anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor në Çair me fuqinë e tyre kanë ndikuar në shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe falsifikim të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat