Maqedonia e Veriut e Shqipëria duke pritur “Qershorin Evropian”

Maqedonia

Maqedonia e Veriut e Shqipëria duke pritur “Qershorin Evropian”

Më: 29 janar 2019 Në ora: 12:45
Foto ilustrim

Të dy vendet fqinje në Ballkanin Perëndimor ndodhen nën ethet e pritjes së vendimit të BE-së, në Qershorin që po vjen, nëse do të ketë vendim pozitiv apo përsëri shtyrje të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në bllokun evropian.

E deri në Qershor, Maqedonia e Veriut do të merret edhe me zgjedhjet pér kryetar té ri té vendit e nisjen e ratifikimit të protokollit për anëtarësim në NATO, i cili për t’u përmbyllur nga të gjitha vendet anëtare do të marrë një kohë prej rreth dy vitesh, siç ishte rasti me Malin e Zi.

Shqipëria, pos përplasjeve të brendshme politike dhe grevave të studentëve, e protestave të paralajmëruara nga opozita në Shkurt, do të vazhdojë që të merret me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të bindur edhe më shumë vendet anëtare të BE-së se ajo e meriton hapjen e bisedimeve.

Shpresat se vendet anëtare të BE do të mbajnë premtimin e dhënë në qershorin e vitit të kaluar për të marrë vendim në qershor të 2019 për të hapur eventualisht këto bisedime në fund të këtij viti, janë shprehur dje edhe nga zyrtarë të qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Zëvendës-Kryeministri Bujar Osmani i ka shprehur këto shpresa në takimin në Bukaresht e së hënës me kryeministrin rumun Viorica Dăncilă dhe ministrin e jashtëm Teodor Meleșcanu.

Por, pos përkrahjes së përgjithshme dhe qëndrimit rumun në favor të hapes së bisedimeve, Osmani nuk mori ndonjë premtim konkret nga qeveritarët e vendit i cili e mbanë kryesinë e radhës së BE-së, deri në qershor, sepse vendimet për kohën e hapjes së bisedimeve merren me unanimitet të të gjitha vendeve anëtare.

Ministrat e jashtëm të BE-së, me 26 qershor 2018 në takimin e Luksemburgut thanë se do të marrin vendim në qershor 2019 për hapjen e bisedimeve në fund të këtij viti, nëse të dy vendet do të kenë bërë përparim në reforma, e në veçanti në betejën kundër korrupsionit.

Ky vendim, për të vonuar datën e vendosjes, u konfirmua edhe nga kryeministrat dhe kryetarët e 28 vendeve anëtare tre ditë më pas.

Ishin tre shtete që kryesisht i rezistuan gatishmërisë së vendeve të tjera për hapjen e bisedimeve vitin e kaluar dhe bënë që vendimi të shtyhet për 12 muaj.

Danimarka, Holanda dhe Franca ishin shtetet që bllokuan caktimin e datës vitin e kaluar për hapje të bisedimeve të anëtarësimit në BE.

Por, jo të tre vendet me arsye të njëjtë bënë që të vonohet hapja e bisedimeve, për të cilat Komisioni Evropian në Prill tha se meritohen nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Danimarka dhe Holanda patën kryesisht për mbulesë arsyen e gjendjes në korrupsion dhe krim të organizuar, ndërsa Franca e ndërlidhi me nevojën e reformave të brendshme të BE-së para se të vazhdohet me procesin e zgjerimit, në këtë rast me hapjen e bisedimeve për Maqedoni dhe Shqipëri. Kjo ishte kërkesë e vitit të kaluar nga Kryetari i Francës Emmanuel Macron.

Por, arsyeja e vërtetë ishte frika e qeverive të këtyre vendeve që mund të ketë efekti i hapjes së bisedimeve para fushatës për zgjedhjet për Parlament Evropian këtë vit, sepse opinioni publik nëpër BE, pra votuesit nëpër vendet anëtare, nuk është në favor të procesit të zgjerimit të BE-së.

Pas zgjedhjeve për Parlament Evropian të Majit të këtij viti qeveritë e vendeve të BE-së mund të marrin frymë më lirshëm dhe premtimi i tyre, në princip, për marrje vendimi në Qershor të këtij viti, një muaj pas zgjedhjeve nëpër BE, nuk do të duhej të ishte problematik më.

Ato më nuk do të jenë në presion nga frika e opinionit të brendshëm publik në vendet e tyre për zgjerimin e BE-së.

Por, kur është fjala për qëndrimet e kryetarit francez, kjo mbetet që të shihet. Macron ende nuk ka béré gjé me kërkesën e tij për reforma të brendshme në BE. Ai tash po përballet edhe me protesta qytetarësh në vendin e tij për arsye socio-ekonomike ka disa muaj.

Nuk dihet se si do të ndikojë gjendja e brendshme në Francë tek vendimi i Macron që duhet marrë në Qershor për bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Vendimi i tij mund të jetë kryesori, për vonesë të re apo për hapje të bisedimeve këtë vit.

Por, deri atëherë të presim Qershorin nëse këto tre shtete do të ndryshojnë mendje e të lejojnë caktimin e ndonjë date për hapjen e bisedimeve në Nëntor apo Dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat