UNICEF dhe OECD: Shkollat kanë shumë fëmijë por pak cilësi

Maqedonia

UNICEF dhe OECD: Shkollat kanë shumë fëmijë por pak cilësi

Më: 31 janar 2019 Në ora: 16:56
Foto ilustrim

Në Maqedoni numri i fëmijëve që ndjekin shkollën shkon në rritje, mirëpo rezultatet e mësimit janë të dobëta, thuhet në draft raportin e përgatitur nga OECD UNICEF dhe Ministrisë së Arsimit, ku vitin e kaluar kanë bërë analiza në shkollat fillore dhe të mesme.

Por, sipas draft raportit, për të arritur  rezultate të mira, shumë me rëndësi është të forcohet kompetenca profesionale, ku mësuesit kanë një rol të rëndësishëm. Sipas të gjitha hulumtimeve ndërkombëtare, mësimi i cilësisë së lartë është faktori më i rëndësishëm për të mësuar, njofton TVM2.

“Më shumë se 50% e testimit të PISA-s në vitin 2015, nuk ka treguar kompetenca themelore në matematikë, shkenca natyrore dhe lexim. Duhet të kthehemi, nëse profesioni i mësimdhënies vlerësohet dhe merr mbështetjen e duhur, në mënyrë që të kemi mësimdhënës të kualifikuar dhe të trajnuar”,- u shpreh Hana Kichen nga OECD.

“T’ ju sigurojmë shansin më të mirë për zhvillimin më të mirë të fëmijëve në jetën e tyre. Dhe e gjithë kjo fillon me edukimin parashkollor, sepse sipas shkencës, është periudha në të cilën zhvillohet 80% e trurit. Por, duhet të shoqërohet me edukim të fortë, të barabartë dhe cilësor për çdo fëmijë”,- theksoi Elspet Erikson nga UNICEF.

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, theksoi se të gjitha rekomandimet në draft analizën do të jenë pjesë e ligjit të ri për shkollat fillore dhe të mesme, i cili po përgatitet.

“Është më se e domosdoshme për Ministrinë e Arsimit, më se e domosdoshme për Qeverinë e Maqedonisë, që të kemi raporte të këtilla, analiza të këtilla bazuar në fakte e argumente. Mbi bazën e këtyre raporteve, sigurisht se ne duhet t’i ndërtojmë politikat tona me të vetmin qëllim, që të kemi një sistem arsimor më kualitativ”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.

UNICEF dhe OECD vlerësojnë se Maqedonia ka plane të mira në letër, por të cilat duhet të zbatohen në fushën e arsimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat