Secila parti shqiptare në Maqedoni me kandidatin e saj për zgjedhjet presidenciale?!

Maqedonia

Secila parti shqiptare në Maqedoni me kandidatin e saj për zgjedhjet presidenciale?!

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 10:06
Liderët

Secila parti shqiptare në Maqedoni në zgjedhjet presidenciale të prillit të këtij viti do të dal me kandidatin e saj për president. Kjo bëhet e ditur nga paralajmërimet e këtyre partive, të cilat po shkojnë drejt vendimit që të dalin me kandidatët e tyre në zgjedhjet presidenciale, pasi që me këtë do të matet forca e tyre para elektoratit shqiptar, informon INA.

BDI ditë më parë paralajmëroi se do të dal me kandidatin e saj për president, por duke lënë të hapur opsionin për kandidat koncensual me LSDM apo edhe një kandidat të përbashkët me partitë shqiptare.

“Kryesia njëzëri vendosi që në këto zgjedhje BDI të garojë me kandidat të vetin. Në rast se ditëve në vijim do të krijohen kushte politike për ndonjë bashkëpunim eventual, atëherë kryesia e BDI-së e ka autorizuar kryetarin e partisë që të zhvillon bisedimet edhe me partitë politike shqiptare për eventualisht një kandidat të përbashkët, por edhe me partitë politike të komuniteteve tjera“, theksoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Aleanca për Shqiptarët bëri të ditur se do të dal me kandidat të saj, por gjithashtu duke lënë të hapur opsionin për një kandidat të përbashkët shqiptar me partitë e bllokut opozitar shqiptar dhe shoqërinë civile.

“Po i shqyrtojmë të gjitha opsionet. Ne nuk kemi nevojë të bëjmë garë që të dalim menjëherë me emra, në shqyrtim kemi disa emra të cilat do të diskutohen në Kryesinë Qendrore”, theksoi mbrëmë kreu i ASH-së, Ziadin Sela.

Edhe Lëvizja BESA e udhëhequr nga Bilall Kasami do të dal me kandidatin e saj partiak, por gjithashtu duke lënë të hapur mundësinë e koncensualitetit me partitë opozitare shqiptare dhe shoqërinë civile. Nga kjo parti tashmë është lansuar emri i deputetit Fadil Zendeli si kandidat për president. Nga partitë e tjera deri tani nuk ka pasur qëndrime të shprehura lidhur me kandidaturat për president.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat