Vazhdon intervistimi i kandidatëve për Komisionin antikorrupsion

Maqedonia

Vazhdon intervistimi i kandidatëve për Komisionin antikorrupsion

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 09:36
Foto ilustrim

Në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve  të Kuvendit sot vazhdon intervista e kandidatëve të paraqitur në shpalljen për emërim të kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit.

Në shpallje janë paraqitur gjithsej 80 kandidatë prej të cilëve 57 i kanë plotësuar kushtet, ndërsa për 22 është konstatuar se nuk kanë dokumentacionin përkatës.

Intervistën e zhvillon Komisioni për Përzgjedhje me të cilin kryeson Muhamd Zekiri, ndërsa zhvillohet në seancën e Komisionit të Kuvendit për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve dhe duhet të përfundojë të mërkurën.

Intervistat i bëjnë përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Unionit Ndërparlamentar dhe shoqatave të qytetarëve që merren me luftën kundër korrupsionit.

Shpallja për paraqitjen e kandidatëve u publikua në Kuvend dhe zgjati nga data 22 deri në 27 të muajit të kaluar. Siç citohet në shpallje, zgjidhen kryetari i komisionit dhe gjashtë anëtarë me mandat pesëvjeçar, të cilët nuk do të kenë të drejtë për rizgjedhje. Gjatë përzgjedhjes, sipas Ligjit të ri për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, do të zbatohet parimi i përfaqësimit adekuat dhe të barabartë dhe parimi i përfaqësimit të barabartë gjinor.

Ligji i ri për Parandalimin e Korrupsionit parashikon që kryetarë dhe anëtarë të KSHPK-nuk mund të zgjidhet person i cili në 10 vitet e fundit ka qenë donator i një partie politike, deputet ose anëtar i Qeverisë. Gjithashtu anëtarët e rinj duhet të kenë gjashtë vjet përvojë pune në fushën e zbulimit ose parandalimit të korrupsionit, sundimit të ligjit dhe të kanë përfunduar studime juridike, ekonomike, politike ose të komunikimit.

Afatet për zgjedhjen e përbërjes së parë të komisionit kundër korrupsionit sipas ligjit të ri janë shkurtuar në mënyrë që komisioni i ri të mund të formohet përpara fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat