“Presidencialet”, partitë nuk zbulojnë emrat e kandidatëve

Maqedonia

“Presidencialet”, partitë nuk zbulojnë emrat e kandidatëve

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 15:34
Ilustrim

Përderisa partitë e mëdha taktizojnë me kandidatët për president, subjektet e vogla thuajse kanë zgjidhur dilemat. Lidhja e Romëve të Maqedonisë ka nominuar kreun e saj Amdi Bajram për president. Ky i fundit, ka caktuar strategjinë për t’i siguruar nënshkrimet e nevojshme. Bajram si kandidat për president i kërkon edhe votat e shqiptarëve.

Do të kërkojë nga të gjithë, përfshi edhe shqiptarët. Nga të gjithë që nuk kanë kandidat. Dua të më mbështesin të gjithë qytetarët. Do t’i grumbullojë 10 mijë nënshkrime. Si fillim do të hapim një faqe në Facebook do të punojmë me “like”. Katër ditët e para të punojmë me “like” dhe kur do t’i arrimë numrin e nevojshëm do t’i falënderoj qytetarët dhe do të filloj me mbledhjen e nënshkrimeve. Dua ta bashkoj popullin. Dua t’i bashkoj të gjithë – deklaroi Amdi Bajram, Kryetar i Lidhjes së Romëve të Maqedonisë.

Në LSDM akoma nuk kanë përfunduar anketat e brendshme për selektimin e kandidatëve të mundshëm për president. Madje socialdemokratët as nuk kanë mbajtur mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv i cili duhej të vendoste edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Është caktuar data kur LSDM-ja do ta mbaj kongresin e saj dhe kuptohet që kandidatin dhe kryetarin e ardhshëm të Maqedonisë do ta shpalosim më 3 mars. Të gjitha angazhimet shtetërore na kanë penguar që të mblidhemi si Komitet Ekzekutiv. Presim që ditëve në vijim, duke u thirrur në interesin e qytetarëve, të sjellim vendim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare – u shpreh Kostadin Kostadinov, Zëdhënës i LSDM-së.

Në VMRO-DPMNE komisioni është duke shqyrtuar kandidaturat e tetë personave të paraqitur në konkursin e partisë opozitare. Nga ana tjetër Partia Demokratike Shqiptare nuk do të nxjerr kandidatin e saj, por kërkon nga pushteti që të dalë me një kandidat të përbashkët, duke mos mbështetur idenë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në BDI nuk ka zhvillime të reja. Integristët presin nga kreu i partisë që të negociojë me partitë shqiptare për kandidat të përbashkët edhe pse opozita shqiptare nuk pranoi ofertën e BDI-së. Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit janë duke shqyrtuar kandidatët, ndërkohë që kanë prerë qëndrimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Besa e Afrim Gashit akoma është duke diskutuar në nivel partiak. Në garë e vetme pritet të futet edhe Partia Liberal-demokrate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat