Partitë me ide të ndryshme se si një shqiptar të bëhet kryetar apo zëvendës-kryetar i shtetit

Maqedonia

Partitë me ide të ndryshme se si një shqiptar të bëhet kryetar apo zëvendës-kryetar i shtetit

Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 12:07
Shkup

Lëvizja Besa-krahu i Bilall Kasamit, Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja Besa-krahu i Afrim Gashit kanë ide të ndryshme se si do të duhej apo mund të realizohet synimi i vjetër që kryetari i shtetit të jetë shqiptar apo të paktën që të krijohet posti i zëvendës-kryetarit në mënyrë që ai të jetë nga radhët e shqiptarëve, shkruan Zhurnal.

Levizja Besa e Bilall Kasamit thotë se mënyra më e mirë do të ishte që të bëhen ndryshime kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e shtetit nga parlamenti sepse aty votat e deputetëve shqiptarë do të kishin më shumë ndikim për të zgjedhur një kryetar shteti koncensual.

"Pasi që Maqedonia ka sistemin parlamentar të vendosjes, ne kemi shprehur që më herët se roli i Presidentit është vetëm ceremonial dhe i njëjti duhet të zgjidhet në Kuvend përmes një konsensusi intra dhe inter etnik. Vetëm atëherë do kemi një President konsensual dhe nëse vjen deri te realizimi i kësaj ideje hapet rruga për emërim edhe të një posti të zëvendës kryetarit të shtetit dhe ne jemi pro këtij plotësimi në sistemin politik por normalisht duke i caktuar detyra dhe obligime të qarta dhe jo vetëm për të qenë figurë e pazëshme në pozicionin e zëvendës Presidentit",  deklaroi për Zhurnal, zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Elmedin Memishi.

ASH sugjeron dy mënyra tjera, por që po ashtu kërkojnë ndryshime kushtetuese. Sipas tyre do të duhej ndryshime kushtetuese për të krijuar postin e zëvendës-kryetarit për mes zgjedhjeve direkte ose të kopjohet sistemi kushtetues amerikan.

“Edhe pse mënyrën e zgjedhjes së presidentit e përcakton Kushtetuta e vendit, megjithatë duhet të hapet edhe idea e Zv. Kryetarit të shtetit i cili do të ishte shqiptar, i cili me automatizëm do të ishte ai kandidat i cili do të mblidhte më shumë vota nga shqiptarët  raundit e parë ( i cili nuk do kishte mundësi të nominohet në raundin e dytë) i cili do ta ftonte votuesit e tij ta votojnë njërin nga dy kandidatët qe do garonin në raundin e dytë , ose një variant tjetër i ngjashëm me atë amerikan ku votohet edhe presidenti edhe zv. presidenti, ku njeri nga këto dy pozitat Kryetar ose zëvendës kryetar do të ishte te ishte shqiptar,” tha ASH në një përgjjigje me email për Zhurnal.mk.

ASH nuk hedhë poshtë as opsionin e tretë, atë të zgjedhjes së kryetarit të shtetit nga parlamenti.

“Megjithatë Maqedonia ka sistem politik parlamentar, dhe Presidenti i Shtetit, nuk ka aq kompetenca në raport me mënyrën se si zgjidhet me vota të drejtpërdrejta nga qytetarët. Pra ka dy variante të pranueshme për ASH e para që Presidenti të zgjidhet në Kuvend me shumicë absolute, ku do merrej parasysh edhe Batenteri dhe presidenti aktual do ta reflektonte gjithmonë karakterin multietnik dhe multigjuhësor të vendit, ose varianti tjetër që në zgjedhje të drejtpërdrejta, të ekzistojë edhe pozicioni zv Kryetar i Shtetit, dhe gjithmonë këto dy pozita tju takonin dy popujve më të mëdhenj në Maqedoni atij maqedonas dhe shqiptar të cilat edhe do ta forconin kohezionin e brendshëm politik jo vetëm mes dy forcave politike por me dy etniteteve më të mëdha!” thotë ASH.

Levizja Besa e Afrim Gashit i ka lënë të gjitha opsionet e hapura dhe nuk është përcaktuar për ndonjë prej këtyre ideve.

“Që të bëhet kjo, detyrimisht do të duhet të ndryshojë kushtetuta. Ne jemi të hapur për të biseduar, sepse ka edhe plot gjëra të tjera të këtilla, që mund të ridefinohen në këtë kushtetutë, por kjo varet edhe nga faktorët e tjerë. Hëpërhë, derisa nuk ka asgjë formale dhe derisa shkojmë në zgjedhje popullore presidenciale, jemi të përqendruar në atë temë,” thuhet në një përgjigje të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat