Agjencia për zbatimin e ligjit të gjuhëve ende pa drejtor

Maqedonia

Agjencia për zbatimin e ligjit të gjuhëve ende pa drejtor

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 14:43
Muhamet Hoxha

Konkursi publik për zgjedhjen e drejtorit të Agjencisë për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve ende nuk është shpallur, por e gjithë procedura është në rrjedhë e sipër. Zëdhënësi i Qeverisë Muhamet Hoxha tha se në mbledhjen e fundit është diskutuar për emërimin e drejtorit të këtij Institucioni, por shtoi se shpallja e konkursit është përgjegjësi e Sekretariatit të Përgjithshëm. Sipas Hoxhës në krye të këtij institucioni mund të ketë vetëm drejtor dhe jo ushtrues detyre.

Pas publikimit të shpalljes dhe pas përfundimit të shpalljes do të bëhet edhe përzgjedhja e drejtorit i cili do të ketë për obligim edhe riorganizimin e këtij institucioni, i cili del nga ligji për përdorimin e gjuhëve. Domethënë rrjedhin procedurat në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë për të shpallur kandidaturën, ku ka disa procedura, të cilat janë të nevojshme dhe pastaj vjen shpallja. Është me rëndësi që prej dje kanë filluar të gjitha procedurat për të bërë publikimin e shpalljes për drejtorin e Agjencisë së Zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve – tha Muhamed Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

Deklarata e mësipërme demanton fjalët e një natë më parë të liderit të Integristëve, i cili tha se konkursi është shpallur tashmë dhe se i njëjti do të zgjasë 10 ditë.

Sot është shpallë konkursi, do të zgjasë 10 ditë, dhe sigurisht ai që do jetë më i miri edhe do zgjidhet, zgjedhja nuk do të bëhet në mënyrë sekrete. Me rëndësi është që të funksionoj ashtu si duhet përdorimi i gjuhës shqipe në këtë vend – u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Konkursi për drejtor të Agjencisë për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e gjuhëve, si një nga dy institucionet që do të ndjekë zbatimin e këtij ligji, duhet të publikohet para shpalljes së zgjedhjeve. Pas shpalljes së datës për mbajtjen e zgjedhjeve ligjërisht ndalohet shpallja e çfarëdo lloj konkursi. Pos Agjencisë, duhet të formohet edhe Inspektorati për përdorimin e gjuhëve. Për moszbatim të ligjit në ligj janë paraparë dënime prej 4 deri më 5 mijë euro për Institucionet e theksuara në nenet e ligjit. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve më 14 janar të këtij viti u publikua në Gazetën Zyrtare, ndërsa i njëjti është dërguar në Komisionin e Venecias për mendim lidhur me nenet kontestuese, për bankënotat, uniformat e ushtrisë dhe letrat me vlerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat