“Moskow Time”: Inkuadrimi i Maqedonisë në NATO është dështim për Rusinë të cilin e shkaktoi vetë

Maqedonia

“Moskow Time”: Inkuadrimi i Maqedonisë në NATO është dështim për Rusinë të cilin e shkaktoi vetë

Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 17:15
Zaev Cipras

Mediat botërore flasin për një dështim të ri për Rusinë, duke theksuar se NATO e ka tejkaluar rezistencën ruse dhe përsëri po përhapet në Ballkan, duke e përshëndetur Maqedoninë në radhët e saj, Në fund të përrallës, të gjitha 29 anëtaret e NATO-s, si edhe Greqia – me të cilën kishte më së shumti probleme në këtë tregim – në mënyrë simbolike do ta nënshkruajnë protokollin për anëtarësim, thuhet në tekstin e Maksim Samorukov, redaktor në qendrën Karnegi në Moskë, të publikuar në “Moskow Time”.

“Në mes të kësaj skene idilike, Rusia është lënë ta luaj rolin e zanës së keqe, e cila tentoi ta shkatërrojë celebrimin për të gjithë nga inati, por përjetoi dështim të rëndë. Dhe si në përrallë, fundi fatlum për Maqedoninë dhe NATO-n ishte i dukshëm që në fillim. Megjithatë, Rusia zgjodhi të ndalet në anën e gjykuar për dështim”, theksohet në tekst.

Autori vlerëson se ky rast tregon se konfrontimi me Perëndimin është i lindur për Rusinë, pa dallim të rezultatit dhe se nëse ka mundësi të poentojë, qoftë kjo pa kuptim dhe e bërë thjeshtë për t’i frustruar të gjithë të tjerët, Moska do ta bëjë atë. “Në stilin e Dostoevskit, sa më shumë që angazhimet janë të pashpresa, aq më i ëmbël është dështimi i vetëshkaktuar”, thotë Samorukov.

Ai përkujtoj se kur para 10 vitesh Shqipëria dhe Kroacia u inkuadruan në NATO, ajo ishte pa ndërhyrjen e veçantë të Rusisë dhe se pritej e njëjta të ndodh edhe me Maqedoninë, duke e pasur parasysh atë se Moska “nuk ka ndonjë interes të veçantë dhe as ndikim atje”.

Por, pasi shpërtheu kriza me Ukrainën në vitin 2014, e cila në mënyrë serioze i prishi marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, ndërsa në vitin 2015 filluan protesta në Maqedoni kundër qeverisë së kryeministrit të atëhershëm Nikolla Gruvski, Moska si edhe revolucionet e tjera të ngjyrosura, protestat i vlerësoi si vaj i forcave të huaja. “Fakti se BE-ja me vite e lavdëronte Gruevskin si reformator properëndimor nuk e inkurajoi Rusinë, as fakti se kryeministri i atëhershëm dhe VMRO-DPMNE e tij e mbështetën anëtarësimin e vendit në Aleancë”, thuhet në tekst.

Samorukov thekson se deklaratat përplot me kritika nga Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, publikimet gjykuese në mediat ruse me pronë shtetërore, aktiviteti i dyshimtë në mediat sociale dhe vizita në Kremlin nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov – cili është i afërt me Gruevskin – ishin të mjaftueshme për ta bindur Perëndimin për përzierjen e madhe të Rusisë në Maqedoni me qëllim të ndryshimit të orientimit gjeopolitik të vendit. Më pas nuk kishte kthim. Perëndimi u mobilizua për t’i ndihmuar koalicionit në pushtet, i përbërë prej socialdemokratëve dhe partive shqiptare, jo vetëm të vijnë në pushtet, por edhe të bëjnë progres të vërtetë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, u detyrua të fokusohet në pengesën e mbetur për integrimin e Maqedonisë në këto dy trupa – kontestin me Greqinë për emrin e Maqedonisë”, thuhet në tekstin në “Moskow Time”.

“Dhe derisa Perëndimi u angazhua fort në ndërmjetësimin midis Greqisë dhe Maqedonisë në këtë kontest, Rusia zgjodhi taktikë që madje edhe teoritikisht nuk lejoi mundësi për sukses. Moska u propozoi të dyja vendeve të mos bëjnë asgjë dhe thjeshtë të presin derisa kjo çështje nuk bëhet pak më e ndjeshme, si edhe njëzet e shtatë vitet e kaluara të mos ishin të mjaftueshme”, u potencua në tekst. Në të shtohet se Marrëveshja e Prespës për ndërrimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoninë e Veriut është nënshkruar prej të dyja qeverive, ndërsa megjithatë Rusia e kritikon si të papranueshëm, duke iu referuar zemërimit të nacionalistëve në të dyja vendet.

Samorukov vlerëson se në kritikat e Moskës ka pasur edhe poenta korrekte, veçanërisht në pjesën e rezultateve të referendumit, në të cilin pati dalje prej vetëm 38 për qind, por prej atyre që e kanë dhënë votën e tyre, mbi 90 për qind votuan pozitivisht. Ai përkujton edhe për sigurimin e shumicës në parlamentet e Maqedonisë dhe Greqisë për marrëveshjen, që u shoqërua me vështirësi.

Qeveria e Maqedonisë e sheh Rusinë si armik, ndërsa opozita e Maqedonisë nuk ka për qëllim të orientohet drejt Moskës dhe të vazhdojë ta mbështesë hyrjen e Maqedonisë në NATO. Vendi do t’i bashkohet Aleancës shumë më shpejtë se që mund të ëndërronin njerëzit.

“E gjithë kjo u shndërruar edhe në një burim irritimi në marrëdhëniet e stërngarkuara midis Rusisë dhe Perëndimit. Tentimi i Rusisë ta kundërshtojë të pashmangshmen vetëm e përshpejtoi zhvillimin e tij, duke shtuar edhe një pikë të përuljes ndërkombëtare për Rusinë dhe duke i shkaktuar dëm interesave të saj në rajon”, thuhet në tekstin e Samorukov, të publikuar në “Moskow Time”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat